“Çohu në këmbë, në emër të popullit je i arrestuar”- Dëshmia e rrallë e ish të dënuarit që vuajti 27 vite burg: Çfarë më kërkoi drejtori i Hetuesisë dhe si ua dekonspirova emrat e spiunëve

Apr 27, 2022 | 7:36
SHPËRNDAJE

ish i denuariNga Ylli Tabaku

Publikohen kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, me origjinë nga Tirana, pinjoll i një prej familjeve të pasura të kryeqytetit, ku babai i tij, Ramazan Tabaku, pasi kishte dhënë ndihma dhe shuma të mëdha financiare për çetën e Pezës gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, pas mbarimit të Luftës, për kontributin e dhënë, u emërua si Kryetar i Entit të Grumbullimeve dhe në 1947-ën, u dënua me burg të përjetshëm në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, gjë e cila kishte ardhur pas një debati që ai kishte bërë me Enver Hoxhën te Hotel “Dajti”, ku i kishte kërkuar atij të mos sekuestronte pasuritë e atyre që kishin ndihmuar Luftën.

Kalvari i gjatë i Ramazan Tabakut në burgjet komuniste dhe persekutimi i egër i të gjithë familjes së tij, ku duke filluar nga bashkëshortja dhe pothuaj të gjithë djemtë e vajzat e asaj familje, që përfunduan burgjeve e kampeve të internimit, deri në shembjen e atij regjimi, apo dhe mundën të arratiseshin nga Shqipëria. Të gjitha këto përshkruhen në kujtimet e Ylli Tabakut, (të publikuara në librin e tij “Arratisja”, botim i Institutit për Studimin e Pasojat e Krimeve të Komunizmit, me parathënie të studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi), i cili vuajti plot 26 vjet, e 8 muaj e 24 ditë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe mundi që të largohej nga Shqipëria në vitin 1990, (me ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave), duke jetuar në Gjermani, deri në vitin 2021, që u nda papritur nga jeta, pa e parë të botuar librin e tij!

Kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, që vuajti 26 vjet e 8 muaj e 24 ditë, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës

 SËRISH I BURGOSUR NË VITET 1980-1990

  1.  Arrestimi më 4.10.1980

Atë tetor vazhdoja punën në ndërtim. Po ngriheshin disa magazina misri në Balhaxhias, rreth 5-6 kilometra larg shtëpisë time. Në drekë, gjeta një qoshe, hapa trajsën dhe prej andej nxora gjilpërën e insulinës dhe pasi bërë injeksionin, nisa të hajë bukë. Ndërkohë, para meje u shfaq një hetues, i quajtur Lekë Mëlyshi, së bashku me sekretaren e Partisë, Vjollcën, u drejtuan nga mua dhe pyetën:

– Ti je Ylli Tabaku?

– Po, – i thashë unë.

– Çohu në këmbë, në emër të popullit je i arrestuar për agjitacion e propagandë, – më thanë.

– Të gjithë sa ishin atyre rreth e qark, u zverdhën, ndërsa mua, nuk e di se si u ndodha në atë moment, por nuk më bëri asnjë përshtypje. Ai kushedi se çfarë priste dhe, në fakt, u mërzit që unë nuk reagova fare. Më pas i’u drejtua fshatarëve: “Mos e shikoni këtë, që nuk i bën përshtypje, se është mësuar me burg, ai”!

Më vunë hekurat, por në atë kohë, desha të marr trastën e vogël prej bezeje, se aty brenda kisha insulinën.

-Lëre atë, – foli hetuesi.

-Kam ilaçet dhe gjilpërat, – i thashë unë.

-I ke atje të gjitha, – foli përsëri ai.

Më vunë në mes, bashkë me një polic dhe më hipën në një makinë. Unë isha i veshur me një këmishë me mëngë të shkurtëra dhe një palë sandale pa çorape, se i ftohti nuk kishte filluar akoma.

Më dërguan tek birucat e ‘Burgut të Ri’, se kështu quhej në atë kohë. Më futën brenda dhe menjëherë nja dy policë, mbasi më zhveshën lakuriq, më kontrolluan mirë e mirë, hapën një derë biruce që e përdorin si magazinë batanijesh, më thanë të merrja dy batanije.

Unë fillova t’i zgjidhja sa më të trasha.

-Qenke i zanatit ti, ke qenë herë tjetër këtu? – tha njëri nga policët.

-Po, – i thashë.

-Hajde shpejt, se nuk kemi kohë.

Hapën derën e birucës nr.12. Më thanë të hyja brenda. Shtrova batanijet dhe u shtriva. Pas pak sekondash, erdha në vete dhe fillova të shikoj realitetin në sy, se deri në atë kohë, kisha qenë krejt i mpirë dhe nuk kuptoja se çfarë po ndodhte me mua! Bëra një llogari të vogël; isha pothuaj 40 vjeç. Do më dënonin 10 vjet për “agjitacion e propagandë”. Do dilja nga burgu 50 vjeç.

Kur do të krijoja unë familje? Megjithëse edhe po të lirohesha, ata përsëri do të më ndiqnin hap pas hapi, dhe do të përpiqeshin të më dënonin. Se destinacioni im paskësh qenë vetëm burgu. M’u kujtua një shprehje arabe, që moma ime e përdorte shpesh, “saber selamet”, që do të thotë: “bëj durim”.

U hap dera dhe një polic më zgjati tasin e aluminit me supë.

-Merre, – më tha, – erdhi supa e darkës.

-Po gjilpërën, – thashë unë.

-Çfarë gjilpëre? – pyeti ai.

-Unë jam diabetik dhe duhet të bëj insulinë, – i thashë.

-Ku di gjë unë nga këto punë, – po deshe ha, po deshe rri.

-Të lutem, lajmëro ata të Infermierisë, – i thashë.

-Ku ka njeri sot, është e shtunë, – tha polici.

Çfarë të bëja, hëngra nja dy a tre lugë supë, se më ishte tharë goja, dhe u shtriva për të fjetur. Flija një gjysëm ore dhe zgjohesha nga etja. Erdhi mëngjesi, u hap dera:

-Ushqimi, – tha polici. Unë po të njëjtën kërkesë, duke e sqaruar se jam diabetik dhe i thashë që të lajmëroj ndonjë që ka në dorë për të zgjedhur problemin tim.

– “Nuk ka njeri sot, është e dielë”, tha ai. E kalova gjithë atë ditë dhe natë, me etje të tmerrshme dhe me shumë mundime. Të nesërmen, sapo ishte duke u gdhirë, më plasën të vjellat, më mbylleshin sytë, bija në gjumë të thellë dhe zgjohesha. Në një moment, e shikoj vetën në krevat, i rrethuar me mjekë dhe me infermierë, thashë se mos po shikoj ëndërr, por jo ishte e vërtetë. Unë isha përkeqësuar dhe kisha rënë në koma.

Mbas një mjekimi intensiv, u bëra mirë dhe hetuesia vazhdoi në kushte spitalore. Vinte hetuesi që më kishte arrestuar, Lekë Mëlyshi. Ai ndoshta, nga përvoja e tij e hidhur me regjimin komunist, sepse i ati i tij, Pal Mëlyshi, ishte arratisur dhe bashkuar me grupet e rezistencës antikomuniste, për t’a paraqitur sa më “armik të pushtetit”, (se ai në fakt, ishte agjent i Sigurimit të Shtetit), i kishin internuar familjen, gruan dhe dy fëmijët, Leka 8 vjeç dhe e motra, 5-6 vjeç.

Ai e dinte se çfarë kishte hequr në Kampin e Tepelenës, në fillim të viteve ’50-të; se sa kishte vuajtur nga uria, duke ngrënë rrënjë pemësh. Kështu që, ai, me mua u soll duke respektuar të gjitha normat ligjore, pa më fyer dhe pa më goditur, vetëm se herë pas here, më thoshte se isha “armik”. I gjori, nuk e dinte dhe nuk e kuptonte, se kjo fjalë mua më bënte krenar.

Mbas tre muajsh, më thirrën në Hetuesi, aty kishte ardhur drejtori i Drejtorisë, Elham Gjika. Ai filloi të më pyesë:

-Si i ke punët?

-Po, në fakt, sëmundja ime herë përmirësohet dhe herë përkeqësohet, – i’u përgjigja unë.

-Nuk të pyes për shëndetin, se atë e marr vesh nga mjekët, por për hetuesinë, ke tre muaj këtu dhe nuk ke thënë asnjë fjalë. –tha ai me inat.

-Ju më keni arrestuar në bazë të disa fakteve, për krime që unë kam kryer, çojini ato në gjykatë dhe gjykata le të më dënojë.

-Jo more, të dënohesh me fjalët tona, ëëë..?! Jo more jo, do të dënohesh me fjalët e tua dhe të dëshmitarëve që ne kemi. Nuk je më i ri, të thyesh kampe e të zihesh me policinë, me ato kapadaillëqet e tua, se ke më atë moshë që t’i rezistosh hetuesisë tonë, thuaj pesë fjalë që di ti, merr atë 10 vjetshin dënim dhe, shko në kamp vuaj dënimin, e na lërë rehat ne. Ke për t’i thënë gjë hetuesit?

-Jo, – thashë.

-Mirë, – tha ai, – kemi kushte të tjera për të vazhduar hetuesinë.

Të nesërmen, më sollën rrobat personale. Çfarë rrobash! Një këmishë me mëngë të shkurtra, një palë pantallona doku të holla, as çorape nuk kisha! Më hipën në një makinë dhe më dërguan përsëri tek Burgu i Ri. Ato birucat e Burgut të Ri, në dimër ishin aq të ftohta, sa nuk mund ta besoj askush që nuk i ka provuar vetë.

U futa në korridorin e birucave, dhe si instikt që ka i  burgosuri, i cili do të dijë rreth çdo gjëje, për aty ku e çojnë, i hodha një shikim të gjithë korridorit, dyerve të birucave, dhe konstatova se; në çdo korridor birucash, ndodhej një tavolinë, ku policët ndajnë bukën dhe mbajnë ndonjë send personal, që nuk u lejohet ta mbajnë në birucë të burgosurit; vura re se aty ndodheshin edhe dy çanta plastike, njëra në një cep, e që më pas mësova se i përkiste birucës nr. 51, dhe tjetra në qoshin tjetër, që i përkiste birucës nr. 53.

Unë nga natyra nuk jam hakmarrës, se fundja njerëzit nuk janë të gjithë njëlloj, edhe pse presioni ka qenë shumë i madh. Hetuesit thonin, do bësh kështu, ndryshe do të ndajmë nga gruaja, ose do të internojmë familjen, – gjëra që, me qindra raste i kishin bërë. Kishte dhe nga ata që ishin pa personalitet, dhe me karakter të dobët. Nga këto mendime, më përmendi një zhurmë që u dëgjua, së fundi: polici hapi birucën nr. 26, mesa më kujtohet dhe më tha të futesha.

Aty brenda ndodhesh edhe një person tjetër, të cilin mbasi e lexova nga maja e kokës deri në fund të këmbëve, thashë me vete, po ky ça do të jetë, ndonjë hallexhi, apo spiun birucash?! Ai filloi të më ndihmojë, duke shtruar batanijet e tejdukshme, aq të amortizuara ishin. Me lëvizjet që po bënte duke shtruar batanijet, i’u hap xhakoventoja dhe brenda saj shkëlqeu një paramandë, gjilpërë kapëse.

-Po këtë, çfarë e ke, – e pyeta.

-Qenke i shkathët, – thashë, – si ke mujt me e kalu?

-Fshehurazi, ja hodha rojeve, – m’u përgjigj ai.

Eh qen bir qeni, thashë unë me vete, more spiun, dhe duke i shtuar edhe një “më fal për shprehjen”. Aty nuk mund të kalosh asnjë fije floku, se ata të zhveshin lakuriq dhe të largojnë nja dy a tre hapa larg nga rrobat e tua, dhe mbasi i kontrollojnë mirë e mirë, të lejojnë të vishesh përsëri…! Aha thashë me vete, qenkëshe spiun. Mbasi i rregulluam batanijet, u ulëm karshi për karshi njeri-tjetrit dhe ky “zotnia 420”, e hapi muhabetin i pari.

-Pse të kanë arrestuar?

-Për mënd e kresë, – i’u përgjigja unë.

-Pse, çfarë bëre, -ngulmoi ai.

-Vodha një “Kallashnikov” të depot e Forcave Vullnetare të Kooperativës dhe ja shita një katundari 15 mijë lekë. Atë e kapën dhe ai tregoi që e kishte blerë nga mua, kështu që unë përfundova këtu me ty.

-Po më habit, – tha ai.

Ndërkohë, thoja me vete, shiko kur të çohet, t’i bjerë derës e të kërkojë hetuesin apo policin. Polici, do i kërkonte të ulej, se do vinte hetuesi. Vërtet ashtu ndodhi, nuk shkoi shumë dhe u dëgjuan çelësat në derë. U hap dera dhe u paraqit polici, një lloz i gjatë që thirri.

-Çohu ti, hajde me mua.

-Unë, – i thashë për t’u tallur.

-Jo ti, ai tjetri, – tha polici.

-Tani do të sjellë atë dhe do të më marrë mua, – mendova. Vërtet ashtu ndodhi, sikurse e mendova, nuk vonoi shumë e solli atë dhe më mori mua.

-Ku po më çon, – e pyeta.

-Në hetuesi, – ku do të coj, – m’u përgjigj ai.

-Jo, – thashë unë, mos do të bëjmë ndonjë shëtitje nga ‘Skënderbeu’.

-Kur ta shikosh ‘Skënderbeun’ mbas 10 vitesh, – përgjigj polici, se ai e dinte, sepse ishte polic me eksperiencë.

Futem në zyrën e hetuesisë dhe shikoj se ishin mbledhur nja katër hetues. Sapo u ula, m’u drejtuan menjëherë me pyetjet:

-Përveç agjitacionit, çfarë ke për të thënë ndonjë gjë tjetër?

-Ku e di unë, ju i dini të gjitha, ose më mirë, i merrni vesh të gjitha, – përgjigjem hetuesit që më drejtoi pyetjen.

– E kam fjalën, çfarë ke vjedhur ndonjë gjë, – e vazhdoi ai shkanë time.

-Dëgjo këtu, – tha ai, – personi që kemi futur në birucën tënde, është për të ardhur në ndihmë ty, se kështu e kemi udhëzimin nga mjekët e spitalit, se me sëmundjen që ke ti, nuk lejohet me të lënë vetëm në birucë. Ne, nuk jemi qeveri imperialiste, që të fusim provokatorë në qeli, – shtoi ai.

-Po të ishin të vërteta fjalët tuaja, nuk do të qe keq, – i thashë unë.

-A të them unë, ty, se kush janë të burgosurit nga Kampi i Ballshit, që shërbejnë si spiunë birucash këtu? Te biruca nr. 52, ke filanin. Tek birucat nr. 53, apo 54, ke fistekun, – u thashë. Ata shtangën që të katërt dhe u panë me njëri tjetrin në sy.

-Si ka mundësi ky, nuk ka mbushur orën që ka ardhur këtu, foli një nga hetuesit e tjerë. Kush është oficer roje? Cilët janë rojet e brendshme?, – vijoi ai, dhe u përmendën aty nja 5 a 6 emra, policësh, dhe pastaj m’u drejtua mua.

-Në këtë rast na ndihmo, se edhe ne do të ndihmojmë shumë, – tha ai, dhe pastaj bëri atë benë e famshme “Për ideal të Partisë, nga e more vesh”?! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura