Ç’nuk të bën halli

Oct 3, 2015 | 12:44
SHPËRNDAJE

MARCEL FÜRSTENAU

Askush nuk largohet nga vendi i tij pa qenë në nevojë. Miliona refugjatë në të gjithë botën janë në një situatë aq të keqe, saqë kërkojnë mbrojtje diku tjetër. Shumica e tyre janë të kërcënuar apo janë në rrezik jete. Shumë prej tyre duan të vijnë në Gjermani. Sepse këtu ka një ekonomi të lulëzuar. Sepse këtu, me gjithë zjarrin në strehimoret e azilkërkuesve, ka një mbështetje të dukshme për të sapoardhurit. Sepse nevojtarët këtu kanë miq dhe të afërm.

Ka aq shumë arsye dhe aq shumë stimuj për të ardhur në Gjermani. Kancelarja gjermane, mendojnë kritikët e saj, ka ofruar një joshje të gabuar, duke hapur përkohësisht kufijtë për të gjithë. Një kritikë e guxuar, sepse askush nuk e di, se si do të zhvillohet gjendja pas këtij vendimi. Në sytë e shumë refugjatëve Angela Merkel është një shenjtore, sepse ka vepruar në mënyrë humane dhe zemërgjerë. Kjo përshtypje do të mbetet së paku te njerëzit nga vendet si Siria, Iraku, apo Afganistani – me të drejtë.
Azilkërkuesit nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, gjithashtu me të drejtë, do të mendojnë në të ardhmen ndryshe për kryetaren e Qeverisë gjermane.

Sepse ato nga klasifikimi i ndryshuar së fundi vijnë nga vende gjoja të sigurta të origjinës. Kështu i ka shpallur ato koalicioni i konservatorëve dhe socialdemokratëve. Ai nuk e bëri këtë nga bindja, por nga presioni i mbështetësve të vijës së ashpër dhe presioni i masës. Por, natyrisht situata në Ballkan vazhdon të jetë shumë e tensionuar, si etnikisht, ashtu edhe ekonomikisht. Edhe ushtarët e Bundeswehr-it kujdesen atje për paqe dhe qetësi në mes etnive të armiqësuara.

Kur Qeveria gjermane flet për “stimuj të gabuar”, e ka fjalën për azilkërkues, që vijnë nga Europa, por jo nga BE. Ata në fakt nuk kanë asnjë perspektivë për të qëndruar”, thuhet në vendimin e kabinetit qeveritar për politikën ndaj refugjatëve. Shkalla e njohjes tenton prej vitesh drejt zeros. Duke pasur parasysh këtë, projektligji i paraqitur është nga ana ligjore në rregull. Megjithatë, ndryshimet e planifikuara duken si një përgjigje e frikësuar për dështimet e veta. Sepse papritur trajtohen për herë të parë defiäçte të njohura prej vitesh në zbatimin e ligjit të azilit, ndër më kryesoret shqyrtimi më i shpejtë i aplikimeve dhe kthimi i shpejtë i rasteve të refuzuara.

Fatalja është: Populistët do të ndjehen të forcuar. Heronjtë e tyre quhen Horst Seehofer dhe Viktor Orbán. Kryeministri bavarez u vëllazërua para disa ditësh në një pritje demonstrative me politikanin e djathtë, që është Kryeministër në Hungari, vend i BE-së. Duoja krijoi qëllimisht një atmosferë kundër refugjatëve dhe kundër Merkel-it. Një proces i çuditshëm brenda koalicionit gjerman dhe Bashkimit Europian. Kush e lejon një gjë të tillë, duhet të lejojë edhe akuzat, se ashpërson ligjin e azilit nga frika e sukseseve zgjedhore të partive të djathta. Demokratët e vetëdijshëm veprojnë ndryshe.

Mund ta marrësh si të duash: Ashpërsimi i ligjit të azilit është i lidhur drejtpërdrejt me rritjen e numrit të refugjatëve. Motivi është i qartë: Fluksi i refugjatëve për në Gjermani duhet të paktën të frenohet. Nevoja të bën krijues. Ashtu si refugjatët gjejnë vazhdimisht rrugë dhe mënyra të reja për të aplikuar për azil në Gjermani. Dhe për këtë nuk ka kufizim, tha Kancelarja Merkel, me të drejtë. *D.W.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura