“Ç’ndodhi pas ekzekutimit të babait, kthimi në Tiranë dhe ku i gjetëm eshtrat”, dëshmia e djalit të Beqir Ballukut: Na thanë se ishin djegur, por ish-kryetari i Kooperativës në Vranisht na tregoi se…

Aug 14, 2020 | 8:49
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”.

pjimage

 

Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes,  ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.  

 

“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë.

Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi.

Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin.

Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.balluku1

Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore?Beqir_Balluku

Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri.

Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të.41d08068b547e09cc985c9e9ba2b730d_L

Zoti Çlirim, po nga rrethi juaj farefisnor apo ai i krushqive që kishit në atë kohë, a ju vinte njeri për t’u takuar në Selenicë?

Desha të them se ka qenë rast unik, qëndrimi që ka mbajtur familja e bashkëshortes sime, Zanës, ndaj familjes sonë. Duke filluar që nga koha që ishim në Memaliaj e deri në fundin e internimit në Selenicë të Vlorës, për 16 vjet me rradhë, ata kanë ardhur për të na takuar atje pa ndrojtjen më të vogël dhe pa marë fare parasysh konsekuencat që mund të kishin. Vjehrri im, Sabri Hoti, nga zv/prokuror që ishte, u shkarkua dhe u përjashtua nga partia. Drita, e shoqja e tij, që punonte ekonomiste, u përjashtua nga partia, dy motrat e Zanës, Mira e Meli, gjithashtu u hoqën nga punët ku ishin. E megjithë këto represione që patën ata si familje, të gjithë vinin tek ne dhe vizitonin, edhe nënën, motrën dhe vëllezërit e mij. Kishte raste kur dy motrat e Zanës, Majlinda me Lidën, megjithëse ishin ende të vogla, (në vitin 1975) merrnin rrugën dhe vinin aty tek ne për të na takuar. Po kështu nuk mund të rri pa përmëndur edhe nënën e Zanës, Dritën, këtë grua me shpirt të madh, e cila përveç të tjerash ka mbajtur e rritur dy vajzat e mija që nga mosha dy vjeç e më tej. Ka qenë fati im që u lidha me këtë familje.

Keni vuajtur shumë gjatë kohës që ishit të internuar në Selenicë të Vlorës?

Për jetën dhe vuajtjet tona në Selenicë, nuk kam dëshirë që të flas gjatë, sepse edhe tani pas kaq kohësh, rrallë e kujtoj, kur më pyesin. Puna në minierë ku punuam ne të katër vëllezërit, ishte shumë e vështirë. Por goditja më e madhe për familjen tonë ishte arrestimi i vëllait, Ladit, më 14 mars 1979.

Si dhe pse ndodhi arrestimi i Ladit?

Regjimi komunist krijonte procese gjyqësore absurde, me qëllim për të mbajtur nën presion dhe frikë të gjithë familjen. Desha të them se regjimi komunist në atë kohë nuk respektonte as ligjet e veta, sepse në rastin e familjes sime dhe atë të motrës, Dritës, nuk kishte pse të internoheshim, sepse ne jetonim të ndarë nga pjesa tjetër e familjes. Por këto gjëra nuk u morën parasysh dhe si përfundim familja jonë, përveç ekzekutimit të babait, vuajti gjithësej 124 vjet internim dhe 12 vjet burg. Në këto shifra nuk llogaritet familja e xhaxhait tonë, Qemalit, e cila u internua në Ballsh, apo djali i hallës sonë, Ikbalit, që vuajti tre vjet burg. Po kështu këtu nuk po llogaris inkuizicionin që u ushtrua ndaj farefisit dhe rrethit tonë miqësor, pa llogaritur gjithashtu edhe dënimin e vuajtjen e dhjetra e dhjetra vartësve, miqëve e shokëve të babait që përfunduan burgjeve. Me një fjalë desha të them, se Enver Hoxha jo vetëm që na ekzekutoi babanë tonë pa asnjë faj, por na mori dhe gjënë më të shtrejtë që kishim, rininë.

Kur u kthyet në Tiranë, patët probleme strehimi?

Në Tiranë ne u kthyem në prillin e vitit 1991 dhe padyshim që u ndeshëm me vështirësi të mëdha sidomos për strehimin. Shtëpitë që kishim pasur unë dhe motra, Drita, nuk u morën parasysh dhe nuk na i dhanë më kur u kthyem. Ndërsa për nënën dhe pjestarët e tjerë të familjes, as që bëhej fjalë për strehim. Ndoshta kjo është dhe një nga arsyet kryesore që në Shqipëri kemi mbetur vetëm unë me vëllanë Ladin, pasi të tjerët prej vitesh u detyruan dhe morën rrugët e emigrimit e ndodhen në SHBA-ës, Kanada e Francë.

Pas kthimit në Tiranë, filluat përpjekjet për gjetjen e eshtrave të babait tuaj, Beqir Ballukut, e keni menduar ne kohën e internimit këtë gjë?

Gjatë kohës së internimit as që mendohej që ne të kërkonim apo të interesoheshim për atë gjë, për arsye që tashmë dihen dhe s’është nevoja t’i përmëndim përsëri. Natyrisht, pas kthimit në Tiranë ne filluam të viheshim në lëvizje për gjetjen e eshtrave të babait, duke e pasur atë si një nga piksynimet tona kryesore.

Patët probleme dhe me çfarë vështirsish u ndeshët në atë kohë?

Që në fillim të kërkimeve tona u ndeshëm me vështirësi të shumta, për arsye se në dikasterin përkatës, në Ministrinë e Brendëshme, mungonte krejtësisht dokumentacioni që na interesonte ne. Po kështu atë gjë na e vështirësoi edhe një pjesë e medjas që me lajmet e shkrimet e dhëna, na çorientonte akoma dhe më shumë, sepse ata e bënin të mbaruar atë, që eshtrat e Beqir Ballukut, ishin djegur.

 Cili ishte hapi i parë që ndërmorët për të filluar kërkimet?

Hapi i parë që ndërmorëm ne, ishte plotësimi i skemës me emrat e personave që ishin marrë me izolimin dhe gjykimin e babait. Për këtë gjë u angazhua dhe xhaxhai ynë, Qemal Balluku, i cili kishte njohuri mbi funksionimin e dikasterit të Ministrisë së Brendëshme dhe mund të mblidhte të dhëna edhe nga shokët e tij. Kjo skemë përmblidhte, prokurorin, hetuesit, doktorin dhe përgjegjësin e rrethimit të tretë të Burgut të Tiranës (Reparti 313), ku ishte mbajtur babai i izoluar. Pra, në atë kohë, unë mësova se Burgu i Tiranës në periudhën 1974-‘75, kishte pasur tre skalione rrethimesh, rast i paprecedent ky.

Ku u mbështetët më shumë ju nga këta që përmëndët?

Xhaxhai, Qemali, gjykoi se pika e referimit duhet të ishte përgjegjësi i tre rrethimeve dhe e vërteta ashtu doli, sepse tre të parët nuk treguan, pasi nuk kishin njohje për ekzekutimin dhe vëndin e varrimit.

A e gjetët atë person dhe u tregua i gatëshëm ai për t’ju ndihmuar?

Pas shumë kërkimesh, për arsye se ai nuk gjendej, takimin e parë ne e bëmë me të në vitin 1996, duke biseduar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes. Aty në atë takim, përveç meje dhe vëllait tim, Agimit, ndodheshin edhe Spartak Dume, nipi i Petrit Dumes, me Çobo Skënderin, nipi i Hito Çakos. Atë takim ne na i mundësoi Çobo Skënderi, duke na thënë që personi të cilin kërkonim, pranonte të bisedonte me ne. Në atë takim ai u pronocua për herë të parë duke na thënë se e dinte afërsisht vëndin (pasi kishin kaluar 21 vjet) i cili ndodhej diku në fshatin Tërbaç të Vlorës.

Pas kësaj,  filluat kërkimet?

Menjëherë unë me Ladin dhe dy nipërit e Hitos e Petritit, u nisëm në drejtim të Tërbaçit, por me ato të dhëna, për të mos thënë fare e kotë, ishte tepër e vështirë të kërkoje. Por ajo që na mundoi më shumë, ishte fakti se me këtë person i humbëm lidhjet deri në 1 korrik të vitit 2000. Në atë kohë ai na u shfaq përsëri duke na thënë se nuk vdiste pa e mbaruar atë punë që kishte marrë përsipër. Këtë rradhë për të përcaktuar vëndin e varrimit, shkoi edhe Ladi me të. Ata kërkuan gjatë në fshatin Vranisht, ku dhe arritën të bënin përcaktimin e vëndit. Aty Ladi kishte bërë dhe disa foto, ku nga sa shihej relievi disi me rrëshqitje, të krijohej përshtypja se aty duhej të ishin.

Çfar bëtë pasi përcaktuat vendin?

Pas kësaj unë i kërkova ndihmë Ministrit të Rendit, të asaj kohe, Spartak Poçit, me të cilin kisha njohje që në fëmijëri. Ai u tregua krejt i gatshëm për të na ndihmuar dhe na vuri në dispozicion ekspertët kriminalistë dhe mjekun specialist me në krye shefin e tyre, Estref Myftarin. Me këta ne shkuam në vëndin që kishim përcaktuar por kërkimet u vështirësuan sepse vëndi ku gërmuam nuk dha rezultate. Më pas duke shfrytëzuar të dhënat e personit që na kishte informuar dhe na kishte çuar aty, ne trokitëm në portën e shtëpisë së ish-kryetarit të kooperativës, sepse vetëm ai kishte dijeni për atë ngjarje nga e gjithë ajo krahinë.

Si ju priti ai?

Ai na priti shumë mirë dhe filloi të na tregonte se aty në atë fshat kishte qenë e internuar familja e Xhemal Ballukut, një kushëririt tonë të afërt, i cili e pësoi vetëm nga mbiemëri që kishte. Pasi na foli me simpati për familjen e Xhemalit, ne i bëmë pyetjen: “A dini gjë se ku ndodhen”? Ai na u përgjigj: “Po, do t’ju çoj unë atje”.

Çfarë ndjetë në ato çaste?

O zot, na u duk vetja sikur fituam qiejt në atë momente. Nuk di si t’jua përshkruaj.

Çfarë bëtë pas asaj që u tha ai?

Pas asaj ai erdhi me ne dhe na përcaktoi vëndin, por gaboi pak dhe na u desh një orë e gjysëm për të arritur atje ku duhej, pra të preknim me dorë ato eshtra që i kërkonim prej vitesh. Pas dhjetë ditësh u organizua edhe ceremonia e varrimit gjë e cila është e njohur nga lexuesi dhe nuk e shikoj të arsyeshme të ndalemi përsëri. Por desha të shtoj se sa herë unë shkoj për vizitë tek familja e kushëririt tonë, Xhemal Ballukut, vajzat e tij më thonë: “Pranë atij vëndi ne kemi punuar dhe s’dinim gjë”.

Në mbyllje të kësaj interviste kaq të gjatë, a mendoni se keni lënë ndonjë gjë tjetër të pathënë?

Historia e babait tim, Beqir Ballukut, për periudhën e fundit të viteve ‘60 dhe fillimin e viteve ‘70, pothuaj është krejt e pazbardhur. Ndoshta asaj periudhe kohe, mund t’i rikthehemi edhe një herë në të ardhmen, sepse kjo intervistë ishte si të thuash e çastit dhe me një kohë të pamjaftueshme për t’i përmbledhur të gjitha./Memorie.al

BEQIR_BALLUKU_RIVARRIM BEQIR_BALLUKU_TE_AFERMIT_TE BEQIR_BALLUKU_VENDI_VARROSJ beqir-biciklete

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura