Ç’ndodhi në takimin e Bashës me aleatët, zbardhen tre kushtet e opozitës

Sep 21, 2017 | 19:50
SHPËRNDAJE

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi dje në selinë blu aleatët e Partisë Demokratike brenda dhe jashtë Parlamentit për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore, shkruan “Panorama”.

basha-me-aleatet-2-1

Ashtu siç edhe premtoi dy ditë më parë, Basha do të nisë një sërë konsultimesh me të gjithë faktorët për të konkretizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat për Partinë Demokratike janë një urgjencë.

Burime nga takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura sqarojnë për “Panoramën” se synimi kryesor i opozitës është që, përmes Reformës Zgjedhore të mundësohet votimi dhe numërimi elektronik.

Kreu i Partisë Demokratike ka pohuar gjatë takimit se opozita do të kërkojë miratimin sa më të shpejtë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që maxhoranca të mos ketë më alibi për mungesën e kohës për performimin e elektronikës.

Gjithashtu, të njëjtat burime pranojnë se aleatët opozitarë kanë dakordësuar një aksion të përbashkët lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, propozime për ndryshimin e pjesshëm të hartës administrative-territoriale, krahas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka parashtruar tri kushte për maxhorancën, në mënyrë që të ketë një bashkëpunim për Reformën Zgjedhore.

“Jemi të vendosur që kjo reformë, as të mos ndalet, as të mos bëhet sa për sy e faqe, vetëm nga partitë politike në vend, por të bëhet vetëm pasi të ketë konsultime dhe konsensusin më të gjerë shoqëror. Ne jemi të hapur për modelin, por duhet të plotësojë, sipas Partisë Demokratike, tri kushte: E para, të ofrojë votimin dhe numërimin elektronik; e dyta, të ulë rolin e kryetarëve dhe partive politike; dhe, e treta, t’u japë më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur mënyrën e përfaqësimit të tyre në Parlament dhe në të gjitha organet e tjera vendimmarrëse”, ka deklaruar Basha.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura