Çmimi Nobel në Ekonomi 2015, Angus Deaton

Oct 13, 2015 | 12:40
SHPËRNDAJE

anastas_angjeliPROF.DR. ANASTAS ANGJELI

    Si çdo vit (që prej vitit 1969, kur Banka Qendrore e Suedisë vendosi dhënien e Çmimit “Nobel” edhe në Ekonomi), dje, pas hapjes së këtij sipari për shkencat e tjera, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave shpalli dhënien e Çmimit “Nobel” në Ekonomi për vitin 2015. Ky çmim iu akordua profesorit me origjinë skoceze, prej vitesh në SHBA si profesor në Universitetin Princeton, Angus Deaton.

Me këtë çmim, në shkencat ekonomike janë laureuar autorë, punimet e të cilëve janë shquar për karakterin e tyre aplikativ, dhe jo thjesht dhe vetëm  për çështje dhe teorizime të përgjithshme. Në rastin e këtij viti, dhënia e Çmimit “Nobel” në Ekonomi u bazua dhe konsideroi vlerësimin e kontributit të profesorit Deaton për “analizën e konsumit, varfërisë dhe mirëqenies”.

 Çmimi “Nobel” për Ekonomi, ose më mirë “Çmimi i Bankës Kombëtare të Suedisë i Shkencave Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel”, iu akordua  Angus Deaton-it për studimet e tij në preferencat personale të konsumatorit. Analiza e këtyre preferencave është thelbësore për të hartuar politika që promovojnë mirëqenien dhe ndihmojnë në uljen e varfërisë.

KUSH ËSHTË ANGUS DEATON
Angus Deaton, i lindur më 19 tetor 1945 në Edinburgh, Skoci, është profesor i Ekonomisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it, SHBA. Gjithashtu, profesor në Universitetin Cambridge dhe në Universitetin e Bristol-it. Anëtar i Akademisë Britanike, i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, president i Shoqatës Amerikane të Ekonomisë (American Economic Association) në vitin 2009, anëtar i Shoqatës Amerikane të Filozofisë (American Philosophical Society) dhe i Shoqatës Ekonomektrike (Econometric Society).

Punimet e tij më të njohura janë  “Ekonomia dhe sjellja konsumatore”, “Kuptimi i konsumit”, “Analiza e anketave të ekonomive familjare: Qasje mikroekonomike për politika zhvillimore” dhe “Arratisja e madhe: shëndetësia, pasuria, dhe origjina e pabarazisë”.

KONSUMI-VARFËRIA -MIRËQENIA, NË FOKUSIN E NOBELISTIT DEATON
Siç shpjegon edhe deklarata e komitetit të akordimit të Çmimit “Nobel”, pyetja e parë, nga tri pyetjet themelore që kanë të bëjnë me studimet e Deaton-it, është se si konsumatorët i ndajnë shpenzimet e tyre për produkte dhe shërbime të ndryshme. Sistemi i kërkesës, i elaboruar nga laureati i Çmimit “Nobel”, vlerëson se si kërkesa për secilin produkt varet nga çmimet e të gjitha mallrave dhe të ardhurat personale të konsumatorëve. Qasja e tij është shumë e rëndësishme, ndër të tjera për të vlerësuar ndikimin që taksat e konsumit kanë në mirëqenien e grupeve të ndryshme shoqërore.

Kësisoj, në studimet e tij që lidhen me kuptimin e konsumit dhe të preferencave të konsumatorit, Deaton ndërmerr një përqasje teorike të konsumit dhe të kursimit duke përdorur modele teorike të bazuara në themelet standarde të mikroekonomisë, si dhe në literaturën e konsiderueshme empirike që lidhet me këtë temë. Në studimet e tij në këtë fushë përfshihen edhe çështje të tilla, si impakti i normave të interesit në kursim, ndarja e riskut, grumbullimi, informimi, hipoteza të ardhurave permanente dhe ndjeshmëria e tepërt e konsumit lidhur me të ardhurat.

Pyetja e dytë ka të bëjë me marrëdhënien që ekziston ndërmjet të ardhurave dhe konsumit. Risia  e studimit të Deaton-it ishte se ai nuk u bazua në të dhënat për ekonominë në tërësi, por në matjet e të ardhurave individuale. Ai tregoi në këtë mënyrë se teoria mbizotëruese e konsumit nuk e ka shpjeguar në mënyrë adekuate ndërveprimin midis të ardhurave dhe konsumit me kalimin e kohës. Ky model tashmë është adoptuar gjerësisht në studimet makroekonomike dhe shpjegon se sa nga   të ardhurat e një shoqërie shpenzohet dhe sa kursehet.

Pyetja e tretë, ka të bëjë me matjen dhe analizimin e mirëqenies dhe varfërisë. Një fushë tjetër e ekspertizës së tij është edhe matja e varfërisë, kryesisht në Indi, por edhe në pjesë të ndryshme të botës. Deaton interesohet kryesisht për mënyrën se si matet varfëria, me një fokus të veçantë në numrin i njerëzve që jetojnë me më pak se një dollar (ose dy dollarë) në ditë. Deaton ka kontribuar në debatin në lidhje me arsyet se pse rritja relativisht e madhe ekonomike është shoqëruar me një ulje relativisht të vogël të varfërisë në botë.

Sipas Deaton-it, përgjigja për këtë pyetje qëndron në kontradiktën e thellë që ekziston ndërmjet burimeve të të dhënave që përdoren për matjen e rritjes dhe ato që përdoren për të matur varfërinë. Deaton tregoi se matjet e konsumit në çdo familje veç e veç janë të dobishme për planifikimin e politikave të zhvillimit ekonomik. Këto matje mund të zbulojnë deri te marrëdhëniet ndërmjet të ardhurave dhe marrjes së përditshme të kalorive, apo edhe pabarazinë gjinore brenda familjes.

Në funksion të qëllimeve studimore dhe interesit të tij shkencor janë dhe analiza e anketave të ekonomive familjare. Deaton, në studimet e tij shqyrton analizën e të dhënave të anketave familjare, duke përfshirë ndërtimin e sondazheve, mjetet ekonometrike, të cilat janë më të dobishme për një analizë të tillë, dhe një varg të problemeve në politikën e zhvillimit për të cilat analiza ekonometrike e anketimeve të ekonomive familjare është e dobishme dhe informative. Qasja e tij mbetet afër të dhënave, duke u mbështetur në teknikat ekonometrike transparente dhe grafike për të paraqitur të dhënat në mënyrë që edhe debati akademik, por edhe ai politik në lidhje me çështjen të informohen në mënyrë të qartë dhe transparente.

Jashtë vëmendjes së kërkimit shkencor, tashmë nobelistit më të ri në Ekonomi, prof. Deaton, nuk kanë mbetur edhe studimet në rolin dhe rëndësinë  e shëndetit në vendet e pasura dhe ato të varfra. Hulumtimi i tij shkencor në këtë fushë lidhet kryesisht me përcaktuesit “socialë” të shëndetit dhe me faktin se si të ardhurat e njerëzve, edukimi i tyre, dhe karakteristikat e shoqërive në të cilat ata jetojnë, prekin statusin e tyre shëndetësor dhe shanset e tyre të jetës. Ai fokusohet gjithashtu në analizimin e mënyrës se si gjetjet shkencore ndikojnë në mënyrën se si ne mendojmë për mirëqenien dhe për politikat që lidhen me shëndetin dhe varfërinë.
* * *
Çështjet e luftës së varfërisë, konsumit dhe rritjes së mirëqenies janë në fokus të prioriteteve të zhvillimeve të ekonomisë globale. Prandaj dhe vlerat dhe rekomandimet e studimeve të prof. Deaton merituan Çmimin “Nobel” në Ekonomi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura