Çmimi “Kadare”, Shkëlqim Çela, tri novela për çmitizimin e së shkuarës

Jun 22, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

“Mosha e tretë është ajo që është, se e tillë ka qenë mosha e parë dhe e dytë; mosha e dytë është ajo që është se e tillë ka qenë mosha e parë.

Shkëlqim Çela, fituesi i çmimit “Kadare”
Shkëlqim Çela, fituesi i çmimit “Kadare”

Dhe mosha e parë tregon që gjithë procesi i formësimit të njeriut fillonte që në fëmijërinë e thellë dhe kësaj nuk mund t’i shpëtonte askush. Ishte e programuar, që nga ai fëmijë që e përfundon librin, ta mbyllësh si ai plaku që e fillon librin”.

Ky qerthull është “Embriologjia” e Shkëlqim Çelës, fituesit të edicionit të dytë të çmimit letrar “Kadare”. Edhe pse është autor i disa vëllimeve me poezi, tregim e novela, si “Mëmëdhembje” (tregime), “Ishulli Ruzvelt” (Dy novela), “Tuneli i dhëndurëve” (tregime), “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore” (poezi), “Këmbë qeni” (poezi) etj., Çela është pak i njohur në Shqipëri. Distanca Shqipëri-SHBA, pa dyshim, ka rritur edhe distancën mes lexuesit dhe veprës së tij.

Edhe pse ka marrë pjesë edhe në të tjera gara letrare, siç është ajo e organizuar nga Ministria e Kulturës, madje edhe në edicionin e parë të çmimit “Kadare”, ky do të ishte viti i Shkëlqimit, çka mund ta afrojë me lexuesin shqiptar.

Kur e pyet se pse njihet kaq pak në Shqipëri, ai thotë se “letërsia është një garë ku jo të gjithë do të fitojnë, apo do të bëhen të njohur. Unë nuk ndihem më me pak fat. Jo çdo libër që do shkruhet do të bëhet i njohur, është e pamundur”. Por, përveç kësaj, ai sheh se ka një problem në promovimin e letërsisë shqipe. Nga njëra anë është sepja e botuesve për të marrë përsipër botimin e veprës së një autori shqiptar dhe nga ana tjetër, mungesa e një autoriteti gjykues. “Ne nuk kemi autoritete të tilla, tek i cili ata që shkruajnë të shohin një lloj ylli polar dhe veprat tona të mos jenë vetëm nën vlerësimin subjektiv të shokëve, por të një gjykuesi objektiv, profesional. Duhet të ketë njëlloj standardi”, thotë ai.

Çela e pranon se interesi i lexuesve ka rënë, por jo vetëm në Shqipëri, po në të gjithë botën, për shkak të konkurrencës së fortë të mediave të tjera. Gjithsesi, ai do të donte që zëri i atyre 5 njerëzve që lexojnë letërsi, të mund të lexohej më shumë se lajmet rozë të tabloideve.

VEPRA

Thonë se largësia të jep mundësi të jesh më i ftohtë në trajtimin e disa temave e ndoshta kjo e ka nxitur Shkëlqim Çelën t’u rikthehet ca temave të diktaturës socialiste, siç ishte utopia e krijimit të “Njeriut të Ri”.

“Thuhet se një shkëputje nga realiteti është e domosdoshme dhe ato që ne shkruajmë, për kohën që na ka mbetur në vitet ’90-’91, nuk mund t’i shkruajë një njeri që e prek Shqipërinë çdo ditë. Kështu që i thuret njëlloj himni largësisë. Por unë nuk e di, unë shkruaj sepse ashtu më vjen në trurin tim, por thonë se kemi një avantazh plus, sepse kemi një distancë të mjaftueshme për të shkruar mirë. Dhe këtë na e ka dhuruar, pa dashjen tonë, emigracioni”, thotë Shkëlqim Çela.

Përmes librit me tri novela “Embriologji”, na shfaqen veteranë me dekorata varg-varg në gjoks, skena zbori apo votimesh që paraprihen nga muzika e bandës së qytetit, të kthejnë pas në kohë, në një periudhë tragjikomike, ku heronjtë e dikurshëm janë vetëm ca pleq të handakosur nga koha e nga reumatizma, që shtyjnë ditët duke rrëfyer lavdira të pangjara e duke përgjuar çifte duke bërë dashuri nga Kodrat e Liqenit. Ideja e çmitizimit të së shkuarës e përshkon tej e mbanë librin.

“E gjithë ideja është të jepet njeriu në tërësinë e vet. Një brez njeh tri periudha (mosha e parë, e dytë, e tretë) dhe në këtë trilogji, të gjitha moshat janë të përfaqësuara nga një novelë. Dhe emri “Embriologji” i lidh të tria këto”, thotë shkrimtari, i cili njëkohësisht është edhe statisticien.

Edhe pse thonë se matematika është e “ftohtë”, ai përpiqet ta hedhë poshtë këtë teori, teksa thotë se “Matematika është si muzikë. Ka një tekst kënge sllave, që thotë ‘zemra ime është si violinë dhe mos e prek, po nuk di t’i biesh’. Kështu është edhe matematika. Nëse dikush nuk e sheh dot botën nga ai lloj prizmi, më mirë të mos merret me të. Matematika e aplikuar që unë bëj, në vetvete është filozofi”, thotë teksa shton se “shqiptarët duhet të mësojnë të luajnë me shuma pozitive, ku të gjithë dalin të fituar. Ne historikisht kemi fituar me shuma zero, nëse fiton njëri, ka humbur tjetri. Shuma mbetet gjithnjë zero, prandaj nuk ecim përpara”.

Shkëlqim Çela merr trofeun, fiton mes 33 kandidatësh

Shkëlqim Çela mundi të marrë dje librin e tij të botuar në letër e bashkë me të edhe trofeun. Me shumicë votash, ai meritoi çmimin “Kadare 2016”, që akordohet nga Fondacioni Mapo. “Embriologji”, një trilogji novelash, u promovua dje në hollin e Universitetit Europian të Tiranës.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit, drejtori i Media Mapo, gazetari Alfred Lela, do të shprehej se Fondacioni Mapo po synon të ngrejë një traditë të së ardhmes me këtë çmim me vlerë 10 mijë euro, duke e bërë atë një nga çmimet më të rëndësishme letrare në vend. Nismëtari dhe donatori i këtij çmimi, Henri Çili, duke numëruar mbi 70 pjesëmarrës në këtë garë, në edicionin e parë dhe të dytë, e bëri më të prekshëm kontributin që ky çmim jep në letërsinë shqipe.

Shkrimtarja Diana Çuli, që ishte dhe anëtare e jurisë, i dorëzoi trofeun shkrimtarit Shkëlqim Çela, duke vlerësuar veprën e tij, e cila tregon sipas saj për momentet e zhvillimit të letërsisë shqipe. Vetë autori vlerësoi çmimin si një kontribut që bëhet për promovimin e autorit shqiptar dhe prozës shqipe, duke e cilësuar “si një mungesë që duhet plotësuar”.

Gjithashtu ai tha se ky çmim është një kontribut që bëhet për librin në letër përballë “rrezikut” dixhital. Në garën e këtij viti, Shkëlqim Çela do të konkurronte mes 33 kandidatësh dhe në finale me 6 autorë, të cilët janë: Ada Çapi me “morPhina”, Arb Elo me “Ursa Major”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar”, Mustafa Nano me “Selam aleikum, baba”, Pranvera Bekteshi me “Ora me rërë”.

Juria ishte e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë: Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela. Në votimin final për fituesin, juria u nda 4 me 3 ndërmjet Vera Bekteshit dhe Shkëlqim Çelës.

Më në fund, juria e zgjodhi “Embriologjinë” e Çelës si prozën më të mirë me motivacionin: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe”. Një vit më parë, fitues i këtij çmimi ishte autori Rudolf Marku me romanin “Tri divorcet e Viktor N.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura