Çmimi Kadare 2023, Nurie Emrullai: Dua që përmes prozës sime të flas hapur

Mar 31, 2023 | 18:17
SHPËRNDAJE

E dyta grua fituese, pas shkrimtares Vera Bekteshi dhe më e reja në moshë, me romanin “Duhet të jetës Dashuri”  Emrullai nis një rrugëtim të ri në karrierën letrare. Para se të merrte trofeun e Çmimit autorja e re u takua edhe me shkrimtarin Ismail Kadare.

ermullai

Fituesit i akordohet vlera prej 10 mijë eurosh, ndërsa UET PRESS kujdeset për botimin dhe promovimin jo vetëm të librit, por edhe të autores nga Maqedonia e Veriut.  Çmimi Letrar Kadare, i themeluar në vitin 2014, synon ta zgjerojë ndikimin ndërsa i afrohet mbylljes së dekadës së parë

Ishte gjashtë vjeç, kur në Kosovë nisi lufta. Shtëpia e saj hapi dyert për një familje, që do t’i shënjonte pavetëdijshëm fatin. Babai i familjes së strehuar shkruante dhe vogëlushja e ndiqte saherë ai zinte vend nën hijen e pemës, në oborrin e shtëpisë kërçovare për të hedhur mendimet në letër. Dikur, iu bë edhe sikur i dëgjoi ç’ka shkruheshin…

“Sot nuk kujtoj asgjë nga ajo që shkruante, por kujtoj procesin e të shkruarit dhe sa shumë e adhuroja atë njeri, vetëm se ai ishte ndryshe nga ajo e zakonshmja që ndodhte nëpër shtëpitë e fshatit tim. E mësova procesin e shkrimit, qetësinë e tij para se të mësoja për artin dhe letërsinë, në veçanti”, do të shprehej shkrimtarja e re nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai.

Në  Tiranë, atë që e cilëson si mëmëdhe, e solli Çmimi Letrar Kadare, ku ajo u shpall fituese e edicionit të tetë të konkursit prestigjioz, që promovon prozën shqipe, në të gjitha trevat.

E dyta grua fituese, pas shkrimtares Vera Bekteshi dhe më e reja në moshë, në fillim të të tridhjetave të jetës, me romanin “Duhet të jetës Dashuri”  Emrullai nis një rrugëtim të ri në karrierën letrare. Para se të merrte trofeun e Çmimit, autorja e re u takua edhe me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili që në vitin 2014 i dha bekimin konkursit letrar, që në thelb vendosi promovimin e prozës letrare shqipe.

E njohur më së shumti si poete, me tre vëllime poetikë të botuar, ajo zgjodhi Çmimin Kadare për debutimin e saj në prozë letrare, duke u përzgjedhur  si më e mira mes dhjetëra dorëshkrimesh nga një juri e shquar me emra si shkrimtarja dhe poetja Natasha Lako, gazetari  nga Tirana Alfred Peza – gjithashtu autor i disa librave – dhe ai nga Shkupi Nazim Rashidi, njohësi dhe kritiku i letërsisë Ermir Nika, gjithashtu pedagog në UET, si edhe pedagogia Irena Myzeqari.

“Si vepër e parë në prozë, duke konkurruar edhe me emra të tjerë të rëndësishëm të botës letrare, ky çmim tregon edhe suksesin e parë por jo të befasishëm të kësaj autoreje. Dhe ky sukses duket se është para përgatitur nga një pritje e ngrohtë që i ka bërë lexuesi tre vëllimeve të saj poetike”, do të shprehej shkrimtarja Natasha Lako, kryetare e jurisë së Çmimit Kadare për këtë vit.

Lako, e cila ka shkruar edhe parathënien e romanit të autores nga Kërçova, tha më tej se  janë të shumtë ata  në botën e letrave, që hyjnë në prozë nga bota poetike. “…Dhe duket sikur të tre vëllimet poetike kanë lënë të hapur vendin e asaj dritareje që,  do ta shohë botën nëpërmjet një historie dashurie që ndodh në një qytezë të vogël, ku duket sikur nuk ndodh asgjë tjetër”, vijoi shkrimtarja e njohur.

Sipas Lakos, këndvështrimi i Emrullait, i sjell diç të re romanit shqiptar, duke bërë një krahasim me “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, botuar më 1936, që u ndje atëkohë si një trokitje e parë për letërsinë shqipe.

Romani, gjykon poetja dhe shkrimtarja Natasha Lako, përmbledh shfaqjen e të gjitha impulseve që kanë lidhje me dashurinë.

Ngjarjet janë të vendosura në Ujhanë, një toponim i trilluar por që mund të merret me mend  se flitet për një lokalitet të Maqedonisë së Veriut prej nga shkrimtarja është. Kryeredaktori i UET PRESS, Rigel Rizaj thotë se përmes këtij romani “na shpaloset mendësia e njerëzve, të cilët mendimin dhe mënyrën e jetesës e kanë  kthyer në zakone të cilat nuk mund të zhbëhen, nuk mund as të diskutohen dhe çdo rast për t’i ndryshuar ato,  përbën një akt çudie të mbrapshtë për këta banorë. Martesa, dashuria si një ndjenjë e ndaluar që s’mund të shfaqet haptas, guximi për të thyer normat shoqërore, dashuria midis së njëjtës gjini, bohemizmi dhe guximi për të ndrydhur ndjenjat e fajit, janë temat që vihen përballë një shoqërie që e ka të vështirë ndryshimin”.

nurieemrullai

Rizaj shton se shkrimtarja Emrullai, në saje të një rrëfimi të thjeshtë, poetik dhe meditues, ngre pyetje që janë aktuale në brezat e rinj.

Shkrimtarja e re, në fjalën e mbajtur në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës – përballë një publiku emrash të shquar të letërsisë shqipe si Vera Bekteshi, Preç Zogaj e Rudolf Marku, autorë plejadë të shtëpisë botuese UET PRESS-, tha se imazhi i fëmijës gjashtëvjeçar që magjepsej pa e ditur as vetë nga letërsia, e shoqëron ende.

“Frymëzimi im, lidhja ime me letërsinë, është sikur e kemi mbajtur njëri-tjetrin për fyti për të mos folur, për të mos u dëgjuar se është aty, si vetë qenësia jonë. Duke pasur frikë se ajo që mund të thuhet apo shkruhet është thënë më parë, jam stepur një kohë të gjatë për të mos shkruar apo për t’u marrë me gjëra të tjera në jetë, edhe pse nuk kishte tjetër që më tërhiqte apo më bënte pjesë të botës, përveç letërsisë”, u shpreh Emrullai gjatë ceremonisë së akordimit të çmimit, që u shoqërua edhe me promovimin e romanit të saj.  Fituesit të  Çmimit Kadare, i akordohet vlera prej 10 mijë eurosh, ndërsa UET PRESS kujdeset për botimin dhe promovimin jo vetëm të librit, por edhe të autores nga Maqedonia e Veriut.

Të dorëzuar në dorëshkrim, si një nga kriteret kryesore të Çmimit Letrar Kadare për të futur në garë vepra që nuk e kanë parë dritën e botimit, shkrimtarja e re e mori në dorë të botuar romanin e saj të parë, që do të ndiqet nga një vit i gjatë promovimesh e takimesh me lexues.

“Proza që tashmë e ka një titull dhe e fitoi lirinë, ka një proces të gjatë të shkruarit, sepse gjithnjë mes saj është futur poezia. Ndonëse ka shumë vite që shkruaj dhe e braktis”, tha më tej ajo.

Pas vëllimeve me poezi si  “Për gjysmën tjetër të hënës”, “Vargmale nën dhe” dhe “Në orën moderne të perëndive” vjen romani “Duhet të jetë dashuri”.

“Kam dashur të flas për gjëra që nuk thuhen, që emërtohen por që bartin diçka tjetër brenda tyre.  Për vetë jetën që mund ta jetosh në mijëra dimensione,  qoftë edhe në vendin më të braktisur të universit. Jeta e njeriut me natyrën, me rrethin,  jo gjithnjë është pranueshme dhe e jetueshme. Dua, përmes prozës sime, të flas hapur e të mos gënjehemi se ndonjëherë rritemi  e ata që shtiren si të rritur, thjesht vuajnë. Artistit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të jetë i vërtetë me artin dhe me veten. Jam njeri i zakonshëm që vendosa të shoh lirshëm veten time, që vendosa të shoh shtresat, prej nga korja e tokës e deri te gjethi më i vogël dhe kjo është pafundësia”, e përfundoi fjalën e saj autorja. Emrullai garoi në këtë edicion me shkrimtarë si Grigor Banushi, Leonard Veizi, Tobias Xhaxhiu, Flogerta Krypi, Klidi, Majlinda Rama, Piro Loli, Suad Arilla dhe Afërdita Blaka.

Çmimi Letrar Kadare, i themeluar në vitin 2014 dhe që gjatë viteve ka nderuar autorë si Rudolf Marku, Musa Ramadani, Vera Bekteshi, Virgjil Muçi, Gani Mehmetaj, Shkëlqim Çela e  Loer Kume, synon ta zgjerojë ndikimin ndërsa i afrohet mbylljes së dekadës së parë. Themeluesit e tij hedhin idenë që të përfshijë të gjithë rajonin, ndonëse përfaqësimi dhe fituesit i kanë kaluar kufijtë e vendit, me dy fitues nga Kosova dhe së fundi, autoren nga Maqedonia e Veriut, duke e parë bashkimin dhe integrimin më të afërt përmes gjuhës dhe letërsisë shqipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura