Çmimi i lartë i karburantit, hapet hetim nga Konkurrenca/ Pozita dominuese ne treg në Porto Romano krijon dyshim për…

Dec 23, 2020 | 11:32
SHPËRNDAJE

karburant

MARIGLEN KUME/ Shqipëria rezulton të jetë një ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë, duke ndikuar direkt në ekonomitë familjare, por edhe në biznese.

Përqendrimi i pothuajse tërësisht zinxhirit të tregut që nga importi, shkarkimi në porte, shitja me shumicë dhe pakicë në pak duar kanë çuar në një situatë ku ka shenja të forta të mungesë së konkurrencës.

Në tetor të këtij viti Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak për tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve”. Hetimi do të përfshijë të tre koncesionarët që kanë dhënë leje për tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve që vinë nga jashtë, për periudhën janar 2017- tetor 2020.

Më konkretisht për “Petroliferën” në Vlorë dhe dy koncesionet në Porto Romano të Durrësit, “Romano Port SHA” dhe “Porti MBM”. Ky i fundit, i cili ka të drejtat e përpunimit të anijeve mbi 20 mijë ton, zotërohet nga shoqëria “ADRIATIC BAY INVESTMENT GROUP”, e cila kontrollohet nga dy prej kompanive më të mëdha të tregimit me shumicë dhe pakicë të naftës dhe benzinës në vend.

HETIMI

Hetimi-per-Kastratin

Referuar të dhënave të importit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për karburantet e përpunuara (ngarkim-shkarkim, depozitim) të realizuara në këto porte vihet re se: Pjesa më e madhe e karburanteve që importohen në vend është mbi 80% naftë dhe më pak se 20% benzinë.

Tregu i importit të karburanteve për periudhën 2017-2020 (janar-shtator) paraqitet si shumë i përqendruar ku treguesi CR3 është mbi 80%, thuhet në vendimin për çeljen e hetimit. Referuar numrit të kufizuar të operatorëve që realizojnë ngarkimshkarkimin dhe depozitimin e karburanteve në dy portet Vlora-1 dhe Porto Romano, dhënë me koncesion, ku secili koncesionar operon me modele të ndryshme dhe zotëron pozitë dominuese në zonën gjeografike, portin ku operon, dhe strukturës shumë të përqendruar të tregut të karburanteve, lind dyshimi për sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje, të cilat mund të çojnë në shkelje të ligjit ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’”, thuhet në vendimin e Autoritetit te Konkurrencës.

Tregjet e karburanteve kanë qenë disa herë objekt i hetimeve të mëparshme nga Autoriteti i Konkurrencës.

Në vitin 2012, kompania “Romano Port sh.a” u gjobit me 6.7 milionë lekë për abuzim me pozitën dominuese të ndërmarrjes në tregun e ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm të naftës në rrugë detare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura