Çmimi i energjisë, pensionistët marrin tri herë kompensim

Jan 27, 2016 | 14:17
SHPËRNDAJE

Kush plotëson kushtet për të përfituar kompensim të energjisë, duhet të nxitojë se përfiton jo pak, por rreth 1288 lekë në muaj. Nuk është vetëm kompensimi i shtesës së çmimit që hyri në fuqi nga 1 janari 2015, por edhe dy kompensime të tjera.

pensioniste1Shuma në total arrin deri në 1288 lekë, ose gati 10 për qind e pensionit minimal të pleqërisë. Qeveria, krahas 648 lekë/muaj që jep për rritjen e çmimit në vitin 2015, shton edhe kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë së vitit 2007, me 500 lekë/muaj dhe atë të vitit 2009 me 140 lekë në muaj. Totali jep 1288 lekë/muaj shtesë pensioni për pensionistët kryefamiljarë.

SA KOMPENSOHET

Me një llogari të thjeshtë një pensionisti kryefamiljar qeveria i paguan gati gjysmën e energjisë elektrike. Kompensimi që ndahet për pensionistët jepet me logjikën e zerimit të kostos nga rritja e çmimit. Nga 1 janari 2015, çmimi i energjisë u unifikua në 9.5 lekë/ khw, ose 11.4 lekë/khw bashkë me TVSH-në. Kompensimi u dha për fashën nën 300 kilovat në muaj, me logjikën se kjo shtresë konsumon nën këtë sasi energjie në muaj. Me kompensimin 1288 lekë që marrin kryefamiljarët, atëherë qeveria paguan rreth 112 kilovat energji. Pra, 112 kilovat për një pensionist kryefamiljar janë të paguara nga shtesa në pension, pjesa tjetër e konsumit do të paguhet nga vetë ai.

KUSH PËRFITON

Për të marrë 1288 lekë në muaj, pensionistët duhet të përmbushin disa kushte. E para, duhet të jenë kryefamiljarë pa asnjë të punësuar në familje. Pra, anëtarët në certifikatën familjare të pensionistit nuk duhet të jenë në punë, qoftë në shtet, qoftë në privat. Në këtë kusht përfshihen edhe të ardhurat e tjera që mund të përfitojë pensionisti nga qiraja apo aktivitete të tjera.

formulariPra, nuk duhet të ketë të ardhura shtesë. Kushti i dytë është të kenë librezën e dritave në emër të tyre. Dhe kushti i tretë është të jenë pagues të rregullt të energjisë elektrike. Kush plotëson këto kushte, mund të aplikojë në zyrat e ISSH-së në qytetin ku banon dhe të marrë kompensimin e plotë, pra, të tre kompensimet, me një vlerë prej 1288 lekë/muaj.

Verifikimi, që anëtarët e tjerë të familjes janë apo jo në punë, që pensionisti ka të ardhura të tjera, apo që paguan rregullisht energjinë, bëhet nga vetë ISSH-ja në bashkëpunim me Tatimet dhe zyrat e punës.

Pensionisti thjesht duhet të plotësojë deklaratën, që gazeta po e riboton, dhe të dorëzojë certifikatën familjarë, bashkë me librezën e dritave, si dhe kartën e identitetit. Në rast se janë burrë e grua në pension, atëherë kompensimi i takon vetëm njërit, pra, kryefamiljarit.

Nga kompensimi duket se penalizohen vetëm pensionistët e fshatit. Pensionistët kryefamiljarë me pension fshati dhe që jetojnë në fshat nuk e përfitojnë këtë lloj kompensimi. Përjashtim bëhet për kryefamiljarët pensionistë të invaliditetit të plotë që banojnë në fshat, por që nuk kanë pjesëtarë të tjerë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura