“Çmimi i bukës në rritje që prej vitit 90”/ Rama: Këtë sistem kemi zgjedhur! Rrogat e pensionet nuk mund t’i rrisim sipas qejfit, paga minimale vitin e ardhshëm do jetë…

Oct 8, 2021 | 10:02
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama deklaron se rritja e çmimit të bukës në vendin tonë vjen për shkak të sistemit që është zgjedhur 30 vite më parë. Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se që prej vitit 90’, çmimi i bukës ka ardhur në rritje, ç’ka reflekton rritjen e kërkesës në treg.

 

Kreu i Qeverisë thotë se nëse nuk do të kishte kërkesë të rritur nga konsumatorët, kompanitë nuk do të prodhonin bukë që t’i mbanin të magazinuara.

Ndërkohë, Rama preku dhe rritjen e rrogave dhe pensioneve. Sipas tij, rritja e rrogave dhe pensioneve nuk mund të bëhet nëse rriten çmimet, por nëse rriten kapacitetet ekonomike të vendit tonë.

“Ne kemi zgjedhur këtë sistem 30 vjet përpara. Nëse marrim çmimin e bukës, nga viti 90 e këtej. Ka ardhur në rritje, natyrisht rritja e çmimit reflekton tregun, kërkesën dhe ofertën. Nuk do të prodhojë bukë për ta mbajtur në magazinë. Këtë e kemi mbyllur. Nga ana tjetër, meqë rrisni çmimet rrisni rrogat, nuk funksionon kështu.

Rrogat nuk rriten se dua unë. Nuk ekziston një kryeministër që nuk do të rrisë rrogat sa herë kërkojnë qytetarët. Kjo është të thuash njësoj sikur në shtëpinë e vogël të thuash pse nuk i jep më shumë lekë fëmijëve. Kështu ti duhet të marrësh borxh ose të punosh më shumë.

Pse Gjermania dhe Franca nuk i bëjnë rrogat nga 20 mijë euro për person. Që të rrisim kapacitetet ekonomike duhet të punojmë më shumë. Ne nuk do i shmangemi as një zotimi që kemi marrë. Në 1 janar të vitit 2022, rroga minimale do shkojë 320 mijë lekë (të vjetra)” – tha kryeministri Rama.

 

Duke folur për krizën energjitike që paralajmëroi rreth një javë më parë, kryeministri Rama u shpreh se ekspertët kanë parashikuar që kulmi i kësaj krize do të shënohet në gjysmën e vitit të ardhshëm.

“Nëse zgjidhja do të ishte hajde rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do bënte çdo qytetar për vendin e tij. Jemi këtu për të mishëruar shqetësimet e çdo qytetari. Për shkak të detyrës, unë fle më pak se çdo qytetar pasi ndjej çdo shqetësim të tyre. Sot për sot është shumë e rëndësishme. Unë e kam të pamundur të mendojë se mund të vrapoj me vrapin që ka marrë çmimi i energjisë. Broçkullat që Shqipëria ka ujë, e prodhon energjinë dhe naftën vetë.

Kjo situatë vjen nga që këtu bëhet e pabëra, duhen lënë më njëanë për të kuptuar veten se çfarë flasin. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet. Shqipëria e shet energjinë, pasi kur ka shi me tepricë dhe reshje, ose ta shesë ose ta derdhë. Kur është mot i përgjithshëm reshjes, çmimi është më i ulët dhe e shet në një moment kur kërkesa nuk është e lartë. Një ekonomi e varur 100% nga zoti, ka të mirën e vetë pasi ka energji të gjelbër, por nuk ka burime energjie të planifikueshme dhe kur e shet e shet me lirë dhe e blen më shtrenjtë gjatë thatësirës pasi kërkesa është më e lartë.  

Tregu nuk të pyet si e ke emrin kur shkon e blen, nuk të pyet nëse je Gjermania apo Shqipëria. Për ne është më sfiduese ose më e vështirë. Duhet t’i kuptojmë në mënyrë që të jemi të qartë për çfarë po flasim. Kjo është vetëm për tani, apo përgjithmonë. Sot ekspertët thonë se kriza do ketë një kulm që do të zgjasë të paktën deri në mesin e vitit të ardhshëm. Por thonë se çmimet nuk do të shkojnë aty ku ishin” – tha Rama.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/