Çmimet e pronës, Vorpsi: Të komanduara nga qeveria

Feb 8, 2016 | 14:24
SHPËRNDAJE

Harta e re me vlerat e trojeve sërish mbetet larg çmimeve të tregut. Ky është qëndrimi i kreu të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi. Sipas tij, vlerat e përcaktuara janë të diktuara nga qeveria.

Myrshit Vorpsi, kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”
Myrshit Vorpsi, kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

“Asnjëherë çmimet nuk kanë qenë çmimet tregu, por kanë qenë çmime të komanduara nga ana e shtetit. Metodika parashikon që të merren për referencë çmimet që regjistrohen në Hipotekë, por në këto zyra asnjëherë nuk është regjistruar një çmim më i lartë se çmimi i metodikës. Shitësi i tokës ka pasur interes për të raportuar çmime sa më të ulëta për të mos paguar tarifën e përcaktuar prej gati 15 për qind. Për hir të këtij fakti, vlerat e miratuara nga qeveria nuk kanë reflektuar vlerat e tregut”.

Vorpsi i bën apel Hipotekës që të deklarojë çmimet e shitjes së tokës bujqësore përgjatë vitit 2015. Vetëm në këtë mënyrë, sipas kreut të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, do të hidhet dritë mbi çmimet reale. “Unë i bëj një kërkesë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që të deklarojë çmimet e shitjes gjatë vitit 2015, të gjithë tokave bujqë- sore që u kanë ndryshuar çmimet. Pra, të bëjë evidente se sa ka qenë çmimi mesatar i të gjithë transaksioneve që janë realizuar në të gjitha ato zona ku është rritur çmimi.

Nëse Hipoteka do ta bënte këtë, atëherë do të ishte më se e kuptueshme që të gjitha këto çmime janë të imponuara nga qeveria. Kur themi që janë çmime të imponuara nga qeveria, duhet të kemi parasysh faktin që qeveria shqiptare në rastin e familjes Çoka ka sugjeruar që ta kompensojë me një çmim prej 440 lekësh metër katror.

Ndaj, kjo shifër nuk është e re sepse është përdorur që në korrik”, shprehet më tej Vorpsi në prononcimin e dhënë për gazetën. Përkundrejt tokës bujqësore në kryeqytet, e cila ka njohur rritje të vlerës këtë vit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për tokën truall. Për një pjesë të fshatrave në periferi të Tiranës është shënuar ulje drastike.

Kështu p.sh. 1 metër katror në Pezë, Shishtufinë, Dritaz, Vaqarr, Ndroq dhe Zall-Herr do të kushtojë më pak krahasuar me një vit më parë. Qeveria ka vendosur të çmojë më lirë kurorën e kryeqytetit. Vlera e pronës në Pezë nga 3560 lekë për m2 që ka qenë, është bërë vetëm 878 lekë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Shishtufinën, Ndroqin, Vaqarrin. Në këtë të fundit, ulja e shënuar është edhe më drastike. Çmimi i ri është bërë 528 lekë/m2 nga 3560 lekë që ka qenë para një viti. Kjo valë ka përfshirë edhe Fikasin, Dritazin, Prushin, Çerkez Morinën dhe Zall-Herrin.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura