Çmimet e larta, Sejko: Duhet mbështetje financiare për kategoritë në nevojë

May 12, 2022 | 8:36
SHPËRNDAJE

Konflikti në Ukrainë, përveçse ka sjellë rritje të çmimeve, do të ndikojë edhe në aktivitetin ekonomik duke e dobësuar atë.

gent sejko

 

Guvernatori Sejko tha se shkalla e ndikimit do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit dhe shtrëngimi potencial i sanksioneve ndaj Rusisë. Por, nisur nga kushtet aktuale, inflacioni do të vijojë të rritet, ndërsa kthimi në objektiv pritet të ndodhë në 6-mujorin e parë të 2024-s. “Sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Për më tepër, konflikti i armatosur ka shtuar pasiguritë dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit, të cilët po ndikohen edhe nga kufizimet e vendosura rishtas ndaj valëve të reja të pandemisë në Azi. Kjo goditje me ndikim të dyfishtë, në rritje për çmimet dhe në rënie për aktivitetin ekonomik, do të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare. Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës. Bazuar në informacionin aktual, ne presim që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim. Nga ana tjetër, ne parashikojmë që inflacioni të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024”, tha Sejko, gjatë prezantimit të raportit për vitin që lamë pas në Komisionin e Ekonomisë. Rritja e shpejtë e çmimeve në tregun ndërkombëtar e shtyu inflacionin në nivelin 3.7 për qind në muajin dhjetor 2021 dhe 6.2 për qind në muajin prill 2022.

MASAT

Për Guvernatorin Sejko, me rëndësi është mbështetja ndaj familjeve apo shtresave në nevojë si edhe ndaj sektorëve që janë më të ekspozuar nga goditja. “Politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të udhëhiqet nga respektimi i objektivit parësor të saj: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë frymë, ne vendosëm të rrisim normën bazë të interesit në muajin mars, duke e kthyer atë në nivelin e parapandemisë prej 1 për qind. Nga ana tjetër, politika fiskale duhet të vijojë të ofrojë mbështetje financiare për shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë dhe për sektorët më të ekspozuar ndaj goditjes. Megjithatë, kjo mbështetje duhet të financohet nga të ardhurat shtesë të siguruara nga rritja e çmimeve dhe nga rishikimi i shpenzimeve joprioritare. Në këtë mënyrë, efektiviteti i ndërhyrjes nuk do të dëmtojë treguesit e borxhit publik”, tha më tej Sejko. Banka e Shqipërisë, shtoi Guvernatori, do të vijojë të monitorojë ecurinë e inflacionit dhe nuk do të hezitojë të reagojë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Kursi i politikës monetare pritet të fillojë rrugën e normalizimit gradual gjatë vitit 2022. Ky qëndrim ofron një balancë të përshtatshme midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të ngadalësimit të rritjes ekonomike.

ECURIA

Ekonomia shqiptare u rimëkëmb me hapa të shpejtë gjatë vitit 2021. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 8.5 për qind, pas tkurrjes me 3.5 për qind gjatë vitit 2020. Rritja e shpejtë ekonomike sipas Guvernatorit Sejko pasqyroi reduktimin e masave kufizuese, rritjen e besimit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe stimujt monetarë dhe fiskalë. “Rimëkëmbja ishte me bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ajo pasqyroi rritjen e konsumit dhe të investimeve private, zgjerimin e eksporteve të mallrave e të shërbimeve, si dhe kontributin pozitiv të stimulit fiskal. Në terma sektorialë, ajo pasqyroi zgjerimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë. Rimëkëmbja u shoqërua me rritje të punësimit dhe të pagave, duke përmirësuar bilancet financiare të familjeve. Rritja e punësimit mundësoi rënien e shkallës së papunësisë në 11.4 për qind në fund të vitit, duke qëndruar pranë niveleve të parakrizës. Në reflektim të tyre, pagat njohën ritme të larta rritjeje, në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë”, theksoi Sejko. Inflacioni mesatar rezultoi në nivelin 2.0 për qind në vitin 2021, kundrejt vlerës 1.6 për qind të një viti më parë. Nga ana tjetër, sistemi bankar u karakterizua nga një ecuri pozitive. “Gjatë periudhës së pandemisë, sistemi bankar tregoi se ishte një partner serioz në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit, duke mbajtur përsipër një pjesë të barrës së kostove. Viti 2021 konfirmoi se ky sektor ka aftësi të larta rezistence, falë politikave makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë, zbatimit të një kuadri të shëndoshë mbikëqyrjeje dhe përmirësimit të vazhdueshëm së sistemeve të kontrollit të bankave”, tha Guvernatori.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura