Çmimet “e çmendura” të energjisë në tregun e lirë, në nëntor 38.73 lekë/kwh

Jan 6, 2022 | 7:14
SHPËRNDAJE

Çmimet e energjisë në tregun e lirë kanë arritur nivele rekord të larta të pa imagjinuara ndonjëherë për bizneset por edhe kompanitë publike të sektorit.

cmime

Në muajin nëntor të vitit të shkuar, çmimi i një kilovat/orë ishte 38.73 lekë. Të paktën kjo është tarifa me të cilën Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) furnizoi kompanitë që kanë detyrimin e daljes në tregun e lirë (të lidhura në 35 kilovolt) dhe që nuk kanë gjetur furnizues. Bëhet fjalë kryesisht për kompani publikë që ofrojnë shërbime të rëndësishme dhe për të cilat FMF është e detyruar që t’i mbajë në rrjetin e saj por duke u faturuar çmime tregu.

Çmimet me të cilat po blihet energjia sot janë të paktën 3-4 herë më të larta se çmimet me të cilat furnizohen si bizneset në tregun e lirë edhe ato që janë në tregun e rregulluar. Aktualisht në tregun e lirë janë subjektet, që kanë tensionin 110 kv dhe që kanë shkëputur shumë vite më parë ndërkohë që nga viti 2018 në këtë treg janë bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt.

Bizneset e radhës, që do të përballen me çmime të larta, janë ata të lidhur në tension të mesëm për të cilët qeveria vendosi shtyrjen e liberalizimit deri në qershor në mënyrë që t’i mbrojë ata ndaj çmimeve të larta. Vetëm pak ditë më parë gjatë një tryeze mes Ministrisë dhe bizneseve u nënvizua se çmimet e larta do të falimentonin bizneset vendase nëse do të liheshin në treg të lirë nga janari sikurse ishte lajmëruar.

Qeveria vendosi që deri në qershor bizneset e lidhur në tension 20,10,6 kv të furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me një çmim më të ulët sesa ai i tregut të lirë, por më i lartë gjithsesi se tregu i rregulluar. Modeli që do të funksionojë sipas OSHEE është shkrirja e çmimit me të cilin sigurohet energji nga KESH për këtë grup bizneset së bashku me çmimin me të cilën sigurohet diferenca në tregun e lirë. Kjo sipas përfaqësuesve të OSHEE do të japë një çmim prej 18-22 lekë/kwh, që është sa gjysma e atij me të cilin energjia u sigurua në nëntor.

Nëse çmimet do të kenë ulje atëherë pas qershorit qeveria do të vijojë negociatat me bizneset për të vijuar me liberalizimin dhe daljen përfundimtare të këtyre bizneseve në treg.

Nëse këta të fundit nuk gjejnë furnizues atëherë FMF do të sigurojë energjinë edhe për ta përmes një tarife që është miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe që përfshin në të koston e energjisë së blerë në treg, kostot operative për procesin, tarifën e shpërndarjes si dhe një mazh minimal fitimi. Në çdo rast aplikimi i kësaj formule ka në thelb dekurajimin e bizneseve për të qëndruar tek kompania publike duke tentuar gjetjen e furnizuesve privatë. /Monitor/


Burimi: ERE

 

© Panorama.al

Te lidhura