“Çmenduri të flasësh për futboll”, Panuçi: Doja shumë para nga Reali

Mar 23, 2020 | 19:07
SHPËRNDAJE

Kristian Panuçi thotë se të flasësh për futboll në këto momente është një çmenduri e vërtetë. Në një intervistë për gazetën “MARCA”, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare flet për situatën që po kalon Italia dhe Spanja, por tregon edhe historinë me ish-presidentin e Realit, i cili humbi jetën nga koronavirusi.

Panuci

Do të më pëlqente të flisnim tani për jetën, për pushimet e verës dhe gjithçka tjetër.

Sigurisht që po.

Por ja që duhet të flasim për gjëra të trishtuara si ndarja nga jeta  Lorenzo Sanzit (ish-president i Realit të Madridit) dhe koronavirusin. Ku je Kristian?

Unë po qëndroj në shtëpinë time në Romë prej dy javësh. Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Sanz ishte një goditje e madhe për mua sepse ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Hodhi bazat e një skuadre fituese në Spanjë me Fabio Kapelon, por edhe në Europë.

Ishte një ditë shumë e tritueshme për të gjithë ata që e njihnin presidentin. Mesazhet që transmetonte në skuadër ishin gjeniale. Mbrëmjen kur fituam Champions-in e shtatë të historisë, ai ishte njeriu më i lumtur në botë.

Ai Champions ishte shumë i rëndësishëm edhe për të gjithë lojtarët.

Është e vërtetë, sepse kjo kupë ishte shndërruar në një fiksim të madh për skuadrën, lojtarët dhe drejtuesit. Për më shumë se 30 vite Reali nuk fitonte në Champions dhe ishte fitore e madhe. Të gjithë njerëzit në rrugë në restorante donin që të fitonim Champions-in e shtatë. Drejtuesit, lojtarët dhe të gjithë u fiksuam dhe mendonim vetëm për këtë trofe. Ishte diçka historike që e arritëm me presidentin.

Panucci

Keni ndonjë kujtim me presidentin Sanz?

Po kam një kujtim dhe një histori që e mbaj brenda zemrës time. Sanz kishte ardhur në aeroportin e Linates për të biseduar me mua. Unë isha në stërvitje me Milanin dhe më telefonon Galiani dhe më thotë që presidenti i Realit ka ardhur të më takonte. U lava, u vesha, mora makinën dhe shkova menjëherë. Në një takim të tillë, secili dëshiron që të ketë një kontratë më të majme dhe të fitojë më shumë para.

Reali kishte arritur marrëveshjen me Milanin, por jo me mua. Sanz më tha: Dëgjo Kristian, në këto 6 muaj të mbetur do të marrësh të njëjtën rrogë si te Milani, por mos harro që do të thuash një ditë se luajte për Realin. Në fundin e sezonit do të ulemi dhe do të flasim për kontratën.

Unë shkova te Reali për të njëjtën rrogë, por pastaj kur mbaroi sezoni ai më mori në zyrë dhe më rinovoi kontratën për 5 vite. Dhe e dini çfarë? Më dha rrogë më të lartë sesa te Milani. Ky ishte Lorenzo Sanz.

Si ishte si president?

Ai na trajtonte të gjithë si fëmijët e tij. Sigurisht që na kërkonte llogari, por dinte të krijonte marrëdhënie të mirë me lojtarët.

Si është situata në Itali prej koronavirusit?

Është dramë e madhe dhe e pabesueshme. Unë kam 15 ditë në shtëpi dhe ndonjëherë dal në oborr. Nuk kalon asnjë makinë.

panuci

Është një qetësi e frikshme, sidomos zona e Bergamos dhe e veriut të Italisë. Lajmet raportojnë për qindra të vdekur. Por edhe në Spanjë po shoh që po avancon shumë. Më pëlqen shumë që u morën vendime drastike, edhe pse është e vështirë që t’u heqësh lirinë njerëzve.

Por në Itali thuhet se Napoli mund të rikthehet në stërvitje…

E vërteta është që kur ka qindra të vdekur në një ditë, të mendosh për t’u rikthyer në stërvitje dhe për futboll është çmenduri. Disa presidentë thonë se duan të rikthehen, por tani duhet të rrinë në shtëpi dhe ta qepin gojën.

Për futboll do të flitet pas një muaji sepse tani duhet respekt për ata që po luftojnë me jetën dhe për ata që po largohen nga kjo jetë. E rëndësishme është ta vrasim këtë virus, sepse po na vret.

PËRGATITI: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura