Ç’kanë këto “Zharrëza e Marinza” që rënkojnë?

Apr 17, 2015 | 12:26
SHPËRNDAJE

SAZAN GURI

   Qysh nga 2009, rajoni pranë vendburimit të Marinzës, si zona e Marinzës dhe sidomos ajo e Zharrëzës, është tronditur nga diçka që ata që e dinin, s’i linte Drejtori ta thoshin. Dhe, të gjithë së bashku në kor qeshnin, kur Drejtori tregonte bejte e histori, se aksh tërmet që vinte nga poshtë me shungullima e uturima, jo nga shkaqe që lidheshin me aktivitetin e naftës, por nga larg-larg, si nga Saranda, pastaj e afruan në Vlorë, e pastaj mezi e prunë në Fier, por e çuan 20,000 m thellë, e pastaj 10,000 m thellë, sot unë dhe Besnik Bare e pranojmë se mund të jetë diku 3-5000m thellë. Dhe ne që nuk qeshnim, sepse nuk ishim të asaj ndërmarrjeje, na thoshin pse nuk gajaseni edhe ju me ne. Kjo ishte grindja që na ka shoqëruar ndër vite, aq më tepër kur e shihnim dhe e preknim shpesh vuajtjen nga afër të qytetarit apo myzeqarit zharrziak a marinzak. Dhe besonim se do vinte një ditë, ku do të shfrynte, jo më qytetari apo katundari për ta (mnia e Akilit), por zemërata (mnia) e natyrës. Po pse mendonim se shungullimat dhe uturimat lidheshin me aktivitetin e naftës? Po, as më shumë e as më pak se ajo që ndodh në vendet si Kanadaja apo Amerika, por andej me ndryshimin se shteti nuk i ruan si këtej, por komuniteti mbron dhe jo si këtu që top i gjuan. Le të fillojmë me atë se çfarë ndodh me banesat dhe tokën mbi dhè kur ka aktivitet hidrokarburesh nën dhè. Është normale të nxjerrësh naftë apo ujë a gaz nga nëntoka, por ka norma, kur thotë populli “kripa në gjellë, po kripa me karar”.  
Dihet se Marinzës i janë marrë deri në vitet, pa ardhur kompania, jo më pak se 100 milionë masë me naftë, rërë dhe ujë, që do të thotë një humbje nga nëntoka e kësaj sasie. Shtoji këtij aktiviteti prej 50 vjetësh (1956-2005) edhe aktivitetin e sotëm të kompanisë, ku thuhet se mallkuar qoftë ai që i shpiku apo i ofroi kompanisë “burmën pa fund” në sajë të së cilës ajo (kompania) nuk merr më debite optimale, aq sa është energjia e shtresës që mund të vijë dalëngadalë për një periudhë 400-vjeçare. Por, jo se kompania e ka koncesionin 30 vjet, bie fjala, dhe pas meje kiameti u bëftë. Kush fiton këtu?! Luajtja në bursë, disa shtetarë të djeshëm e të sotshëm shqiptarë, aq sa thonë se kompania është shqiptare, të huajt luajnë veçse bursën. Objekt tjetër ky, por le të ndalemi te lidhjet që ekzistojnë midis aktivitetit dhe shungullimave apo uturimave dhe menjëherë pas tyre të tërmeteve të trigeruara.
Së pari, prishet ekuilibri dinamik i shkëmbinjve, ku të gjitha sistemet gjeologjike janë në ekuilibër dinamik, sikundër ka qenë rajoni ynë pa u nxjerrë ende lënda matriks si ajo naftë, gaz shoqërues, ujë, rërë, qysh nga viti 1957. Me nisjen e shfrytëzimit të këtij vendburimi llogaritet të jenë nxjerrë jo më pak se 200 milionë tonë ose m3 nga nëntoka e këtij rajoni. Shfrytëzimi për një kohë të gjatë i vendburimeve sjell si pasojë zvogëlimin e presionit të shtresës (apo te poreve) në krahasim me vlerat e presionit fillestar. Në këtë zonë, ku nxirret gaz natyror me metodat konvencionale (apo tradicionale), nuk ka pasur lëkundje sizmike qysh prej 140 vjetësh, ndaj mendohet se shkaku mund të jetë shfrytëzimi i vendburimit të gazit dhe ndryshimi i presionit efektiv në vendburim. Së dyti, tendosja e shkëmbinjve, ku përqendrohet si aktiviteti më perforim i nxjerrjes dhe ai i pompimit të ujërave të ndotura. Në zonën tonë lidhen me sjelljen e shkëmbit të tipit të thyerjes, sepse janë afër zonës së thyerjes tektonike. Në këto kondita, kur mbi të zbatohet një tendosje më e madhe se fuqia e tij, materialet e brishta (si ato të moshës mesiniane, të pliocenit dhe ato të kuaternarit) mund të bëhen më të buta, si pasojë e ndryshimit të kushteve. Së treti, fuqia e shkëmbinjve, duke qenë se shkëmbinjtë në thellësinë e nëntokës së zonës pësojnë episode të përsëritura, siç është pompimi dhe presioni i tij, deri në 15000 psi ose rreth 1000 atm, tendosja e akumuluar mund ta dobësojë shkëmbin dhe ta thyejë atë. Kjo thyerje, si pasojë e tendosjes së nivelit të ulët të akumuluar, quhet lodhje e shkëmbit. Së katërti, strukturat e shkëmbit, duke qenë se shkëmbinjtë në thellësinë e nëntokës së kësaj zone përbëhen nga argjila e ranorë që kanë porozitet të lartë, bëjnë që të krijohen hapësira edhe më të mëdha apo të tjera pore dhe/ose çarje të reja hidraulike. Së pesti, boshllëqet e tretura të shkëmbinjtë, duke qenë se shkëmbinjtë në thellësinë e nëntokës së zonës mbështeten mbi ata karbonikë apo gëlqerorë, ku shkarkohen apo pompohen ujërat nëntokësorë acidifikues duke qarkulluar përmes gëlqerorëve, bëjnë që të shpërbëhen zgavrat, duke krijuar më shumë pore. Tretësirat gëlqerore nëntokësore mund të krijojnë zbrazëti të mëdha poshtë sipërfaqes, të cilat dobësojnë mbajtjen e sipërfaqes, duke çuar në shembje, një problem mjaft i njohur anembanë. Së gjashti, zhvendosja e kokrrizave të rërës, si ato ende të padiagjenizuara të pliocenit, por sidomos ato të kuaternarit në thellësinë e nëntokës së zonës, kur tronditen nga një valë sizmike e gjeneruar, më saktë e trigeruar (artificiale) gjatë perforimeve ose injektimeve me presion, kokrrizat e riorientojnë veten e tyre në një lidhje kompakte në formë rombi. Kjo rezulton në zvogëlimin e hapësirave poroze, largimin e pjesëve të ujit në pore, kompaktësimin e shtresës dhe fundosje të tokës së mbishtresës dhe të ndonjë strukture mbi të. Së shtati, lëngëzimi i rërës, duke qenë se shkëmbinjtë në thellësinë e nëntokës së zonës mbulohen nga depozitime aluvionale, si dhe nga mbushjet artificiale, mbështetur në kriteret gjeologjike, këto raste në këtë zonë janë me potencial të lartë lëngëzimi, sepse shumica e mbushjeve të rërës nuk janë të thata, por janë sedimente të paketuara kubike, me pore, me ujëra nëntokësorë, ku për shkak të një goditjeje sizmike apo vale të ardhur nga nëntoka, e kthen sedimentin në rrjedhës/masë ujore përmes një procesi të quajtur lëngëzim, duke formuar kështu zbrazje dhe shembje nga sipër të tokës. Së teti, rrjedhja e argjilave, duke qenë se shkëmbinjtë në thellësinë e nëntokës së zonës përbëhen nga argjila, që sipas studimit të tyre në difraktometri me rreze X, marrin pjesë dhe predominojnë montmorillonitet, dhe më pak ilitet, çka i bën këto shtresa më të ndjeshme për bymim. Këto shtresa ushtrojnë një presion të fortë në shtresat e mbivendosura ndaj tyre, ndaj tokës dhe strukturave të tjera. Këto argjila janë një ndër gjeo-rreziqet e themeleve të ndërtesave banuese. Nëse bentonitet e ngopura me ujë pozicionohen në një shpat shkëmbor, atëherë materiali formon një sipërfaqe të rrëshqitshme, e cila zvogëlon forcat e fërkimit dhe lehtëson rrëshqitjen e shtresave të vendosura më sipër saj. Një tërmet, si i një niveli mesatar apo i lartë dhe/ose i vogël, por i shpeshtë, bën që të lindë kjo dukuri. Objektet e lehta (njëkatëshe) me themel të cekët mbi këto argjila shpeshherë deformohen, për shkak të aftësisë së bymimit të tyre (presioni i bymimit 1,7-2,7 bar). Këto deformime kanë karakter mbetës. Së nënti, shkëputjet tektonike në shkallë rajonale shërbejnë si gjeneruese dhe rrugë çlirimi të tërmeteve, në çfarëdo lloj niveli qofshin ato. Në rastin tonë mund të shkaktohen lëkundje sizmike gjatë shfrytëzimit të vendburimeve me metoda jokonvencionale, siç është çarja hidraulike, sepse fluidi (ujë, rërë dhe kimikate) që injektohet me presion të lartë në shtresën e gëlqerorëve dhe të ranorëve, mund të komunikojë edhe me prishjet tektonike ekzistuese, në afërsi apo brenda shtresës. Lëvizja e fluidit nëpër prishje ndryshon ekuilibrat e stresit dhe krijon kushtet që këto prishje të riaktivizohen dhe riaktivizimi i prishjes sjell rrëshqitje të formacioneve gjeologjike gjatë prishjes dhe, për pasojë, shkakton krijimin e lëkundjeve sizmike. Ja përse këto male (Zharrëza e Marinza) rënkojnë dhe, bashkë me to, edhe njerëzit që këto male mbajnë.
Inxhinier nafte

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura