Çili: Pashko, më aktual se kurrë, një alternativ unike në ekonomi

Jul 13, 2016 | 20:07
SHPËRNDAJE

Promovohet sot në kinema “Millenium” filmi dokumentar “Gramoz Pashko, Antagonisti” i regjisorit Roland Sejko dhe shpallet krijimi i Institutit Europian “Pashko”.

Flet nismëtari i kësaj ideje, Henri Çili, administrator i Universitetit Europian të Tiranës. Pas 26 vitesh tranzicion, idetë avangarde të Pashkos janë më aktuale se kurrë.

Gramoz Pashko dhe Henri Çili
Gramoz Pashko dhe Henri Çili

Më 16 korrik, bëhen 10 vjet prej ndarjes aksidentale dhe tragjike nga jeta të Gramoz Pashkos. Në kuadrin e Fondacionit për Liri Ekonomike, ju keni mbështetur financiarisht një film dokumentar mbi Gramoz Pashkon. Përse?

Ideja për të pasur një film dokumentar me nuancat e një filmi artistik dhe dhënia e besimit regjisorit të shquar, dokumentaristit ndoshta më të mirë shqiptar, Roland Sejko, për këtë dokumentar ka ardhur në kuadrin e bisedave me bordin e Fondacionit për Liri Ekonomike- një fondacion i krijuar prej meje në 2010-n – me idenë debatimin, propagandimin dhe elaborimin e ideve të liberalizimit ekonomik. Gjatë darkave të bordit, shpesh me kolegun Armand Shkullaku apo të tjerë miq të Pashkos, si Dritan Shanon, na ka shkuar ndërmend se pse nuk kemi diçka të dokumentuar, të përmbledhur për momentin Pashko, protagonizmin Pashko, fenomenin Pashko apo ashtu si autorët e këtij filmi, skenaristi Armand Shkullaku dhe regjisori Roland Sejko, e kanë quajtur mbi “antagonistin Pashko”. Kështu që prej dy-tre vjetësh kemi debatuar rreth kësaj dhe vendosëm, së bashku me disa kolegë të tjerë, të financonin filmin, premiera e të cilit është sonte në kinema “Millenium”.

Por sikur të ishte një nostalgji miqësore, sikur të ishte një qokë për këtë ose atë person, kjo do të ishte shumë e pamjaftë. Unë them se nga largësia e 25 vjetëve të fillesave të tranzicionit shqiptar dhe nga largësia e 10 vjetëve prej ndarjes tragjike nga jeta e Gramoz Pashkos, ai është më shumë se kurrë një simbol aktual dhe jo thjesht një histori. Edhe pse, qoftë edhe si histori ia vlen të sistemojmë historinë tonë të afërt, të tranzicionit shqiptar me protagonistët e tij. Kanë kaluar 25-26 vjet. Ky film është një përpjekje modeste. Së dyti, Fondacioni për Liri Ekonomike që unë kam themeluar dhe idetë liberale kanë nevojë për një simbol dhe Gramoz Pashko mund ta kryejë këtë rol në tërësinë dhe galaktikën e figurave jashtëzakonisht interesante dhe me natyrë historike që tranzicioni shqiptar ka prodhuar, secili me profilin e vet dhe kontributin e vet, pasojë e të cilit është ky transformim i jashtëzakonshëm i Shqipërisë së 25-26 viteve të fundit, ku ndryshimi është si nata me ditën. Evoluimi i Shqipërisë nga vendi më i izoluar komunist i botës në një vend relativisht normal, kandidat në BE, apo anëtar i NATO-s është epokal dhe i pangjashëm në të gjithë historinë tonë të ekzistencës shqiptare, qëkur ajo konceptohet si e tillë.

Cili është motivi i filmit?

Filmi, të cilin do ta shihni edhe vetë, ka një gjuhë impresionuese. Ai është pa skenar në kuptimin e gjetjes regjisoriale, është i mbushur me ngjarje dhe kronika të kohës, xhirime dhe ndonjë simulim apo edhe me rrëfimet e disa protagonistëve që e kanë njohur apo kanë pasur të bëjnë me Gramoz Pashkon, përfshi këtu edhe zonjën e Pashkos, Mozën, një bashkëluftëtare e betejave publike të Pashkos dhe shoqe e jetës; si edhe të vajzës së tij Flonja, për herë të parë. Ka aktorë të tjerë, miq, bashkëpunëtorë të tij apo njerëz që e kanë njohur.

Pse regjisorët kanë sjellë këtë këndvështrim dhe ç’mendoni se sjell të re filmi?

Filmi është një ndërthurje mes personales dhe publikes së Gramoz Pashkos, por e gjitha në një këndvështrim: karakterin absolutisht sui generis, të veçantë dhe avangard të Gramoz Pashkos si fenomen intelektual, politik dhe kulturor. Koha ka provuar që asnjë fenomen politik nuk mund të ecë i pambështetur nga një fenomen kulturor. Si i tillë, Gramoz Pashko mbetet një produkt i botës intelektuale shqiptare, për të cilin duhet të jemi krenarë, një çudi që ai ishte një prodhim vendës. Ai nuk studioi kurrë jashtë deri në vitin ’90, por ishte më bashkëkohës se të gjithë bashkëkohësit ekonomistë të Lindjes së kohës dhe, mbi të gjitha, ishte një liberal dhe avangardist i mendimit ekonomik, sikur të kishte dalë nga studiot apo aulat e Milton Friedman-it apo të Hayek-ut.

Për çfarë mund të shërbejë si simbol Gramoz Pashko sot?

Për shumëçka. Krahas këtij filmi dokumentar-artistik mbi Gramoz Pashkon, për të cilin do të flasin më gjerë autorët e tij; skenaristi Shkullaku dhe regjisori Sejko, ne si Universiteti Europian i Tiranës apo si grup i angazhuar në jetën publike shqiptare, në kuadrin e ideve tona liberale, kemi vendosur ta çojmë më tej strukturimin e Gramoz Pashkos apo ta thërrasim përsëri në ndihmë profesorin, nëpërmjet dy iniciativave.

Bashkë me promovimin e filmit “Pashko”, ne shpallim krijimin e Institutit Europian “Pashko”, një organizëm i krijuar nga grupi ynë ekonomik, i cili do të strukturojë dhe koordinojë të gjitha qëllimet dhe aksionin tonë nonprofit në jetën publike, që fillon që nga Fondacioni për Liri Ekonomike, që e kam quajtur shtëpia jonë e ideve liberale, shtëpia jonë ideologjike, “Fondacioni Mapo” dhe “Botimet Mapo”, që janë arenë e debatit të lirë publik dhe e lirisë së shtypit, tek “UET Press”, i cili është tashmë një emër referencë në botimet universitare dhe botën e ideve në Shqipëri dhe “Qendrën UET”, e cila është një organizatë reference tashmë prej shtatë vjetësh në idetë dhe kërkimin tonë shkencor.

Të katërta këto iniciativa, nën çatinë e Institutin Europian “Pashko”, janë aksioni ynë publik nonprofit në funksion të ideve, pluralizmit, lirisë së shtypit apo kërkimit shkencor.

E gjitha kjo, bashkë me organizmat e tjerë ekonomikë, është pjesë e grupit tonë ekonomik Iniciativa Europiane për Edukim, e cila prej dhjetë vitesh tashmë kontribuon në fushën e arsimit dhe ka plane dhe projekte të tjera edhe në arsimin parauniversitar apo elemente të tjera që lidhen me edukimin. Kush mendon se “ka mbaruar punë” me Gramoz Pashkon apo se idetë e tij janë të vdekura, është shumë i gabuar, Gramoz Pashko është më aktual se kurrë.

Me ulërimën e tij për liberalizimin e tregjeve, iniciativën e lirë, de-etatizimin, taksat e ulëta, për gjithçka tjetër që i përket frymëzimit liberal në ekonomi, Pashko është thuajse një alternativë unike përgjatë gjithë eksperimenteve etatistë, kripto-etatistë, kejnsianiste që bëhen sot në Shqipërinë tonë të vobektë e që vetëm sa e ngadalësojnë zhvillimin, ose e çojnë më pas. Dështimi i taksës progresive, dështimi vazhdueshëm i sektorit shtetëror në arsim, shëndetësi apo të tjera, mbirregullimi, shteti i madh dhe shumëçka tjetër janë absolutisht një emergjencë kombëtare dhe nevojë të rikthehen në debatin publik në mënyrë urgjente.

Ky vit dhe kjo kohë nuk është e mirë për liberalët, thoshte në editorialin e këtij viti “The Economist”, por vetëm ky vit, ose vetë për një periudhë të shkurtër, sepse zgjidhjet janë pikërisht aty; te formulat e tregut, liberalizimi i tregut, konkurrenca, ruajtja e saj dhe roli i shteti si garant i konkurrencës dhe jo roli i shtetit si bërës i tregjeve apo prodhues apo shteti specialist. Përgjigjja është te tregjet në çdo sektor dhe atëherë kur kërkohet roli i shtetit, ai duhet të garantojë imparcialitetin e tij në treg dhe konkurrencën sa më të mirë të mundshme.

Si të tilla, idetë avangarde të Gramoz Pashkos janë më aktuale se kurrë dhe me veprimin tonë në dobi të interesit publik, mendoj se duke pranuar pluralitetin e ideve, idetë e Pashkos janë një simbol, te i cili mund të referohemi çdo ditë, pa frikë se do të dështojmë. Koha e vërtetoi plotësisht Gramoz Pashkon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura