Cilat janë Zonjat e Para më të bukura në botë?

Dec 1, 2015 | 11:18
SHPËRNDAJE

Zonjat e Para perbejne lajm po aq sa edhe bashkëshortët e tyre, sidomos për sa u përket pamjes, veshjes dhe sjelljes. Gjithnjë ato janë në qendër të vëmendjes, aq sa ndonjëherë janë prezente në media edhe me çikërrima, krahasuar me ngjarjet serioze të burrave të tyre si kryetarë shteti.

Por edhe konkurrenca mes Zonjave të Para në botë vihet në dukje, sa herë që ato takohen mes tyre në ndonjë ceremoni apo aktivitet. Ndërsa çdo fundvit, agjenci të ndryshme rankimi apo media bëjnë një listë se cilat janë Zonjat e Para më të bukura në botë, apo për kategori të tjerë personazhesh publikë (Presidentë, kryeministra, artistë, biznesmenë etj.), në rang ndërkombëtar.

Kujtojmë këtu, për shembull, se para 4 vitesh Bamir Topi u fut në listën e Presidentëve më të pashëm në botë, por për vitin 2015 mungon si Bujar Nishani, ashtu edhe bashkëshortja e tij, Odeta. Ajo nuk është përfshirë në listën e 10 Zonjave të Para më të bukura në botë, që është publikuar në revistën “Men’s Health”, apo në rankime të tjera, si, për shembull, boxnewsbox.com etj.

Në krye të listës si më e bukura në botë qëndron Mbretëresha Rania e Jordanisë, për të tjerat ndiqni vijimin…

MEHRIBAN ALIYEVA (AZERBAJXHAN)

Mehriban Aliyeva

Bashkëshortja e Ilham Aliyev-it, Presidentit të tanishëm të Azerbajxhanit, Mehriban Aliyeva, është diplomuar nga Universiteti i Mjekësisë dhe më pas edhe në Akademinë e Muzikës. Pas studimeve, ajo ka punuar si doktoreshë e syve dhe fizikante, ndërsa tani si Zonjë e Parë e shtetit merret më shumë me aktivitete bamirësie.

MBRETËRESHA RANIA (JORDANI)

Rania Al-Yassin

Mbretëresha Rania është përshkrimi i përkryer i një femre të përsosur! Ajo është joshëse, saqë në vitin 2011, ajo është shpallur Zonja e Parë më e bukur në botë, epitet të cilin e mban edhe sot. Ajo u martua me Princin Abdullah bin Al-Hussein, që tani është Mbret i Jordanisë.

ASMA AL-ASSAD (SIRI)

Asma al-Assad

Asma al-Assad është Zonja e Parë e Presidentit sirian dhe pa marrë parasysh ngjarjet që po ndodhin në vendin që udhëhiqet nga bashkëshorti i saj, askush nuk mund ta mohojë faktin që ajo është shumë tërheqëse. Asma e ka kaluar shumicën e jetës në Britaninë e Madhe, ku ka studiuar në shkenca kompjuterike dhe letërsi frënge, para se të martohej me Bashar al-Assad-in, në vitin 2000, duke u bërë njëra nga Zonjat e Para më tërheqëse dhe më të mençura që ka pasur ndonjëherë Siria.

ANGELICA RIVERA (MEKSIKË)

 

Angelica Rivera

Angelica Rivera, bashkëshortja e bukur e Presidentit të Meksikës, Enrique Peña Nieto, ka qenë modele, aktore dhe këngëtare. Angelica ka tre fëmijë nga martesa e kaluar me producentin Jose Alberto Castro, prej të cilit ishte ndarë në vitin 2008, për t’u martuar më pas me Nieto-n, në vitin 2010. Që prej vitit 2012, kur bashkëshorti i saj ka marrë postin e presidentit, ajo shërben si Zonja e Parë e vendit.

MICHELLE OBAMA (SHBA)

Michelle Obama

Pa asnjë dyshim, Michelle Obama është njëra nga femrat më të fuqishme në botë, kryesisht për shkak të faktit se është e martuar me njeriun më të pushtetshëm, Presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Ajo është diplomuar në Universitetin e Prinstonit dhe në Harvard. Është një avokate dhe autore e shquar.

MBRETËRESHA LETIZIA (SPANJË)

Letizia Ortiz Rocasolano

Mbretëresha Letizia Ortiz Rocasolano është Zonja e Parë e Spanjës, pasi është bashkëshorte e Mbretit aktual, Felipe IV, i cili është ngritur në pushtet më 19 qershor të vitit 2014. Letizia ka studiuar për gazetari në Universitetin e Madridit. Pas përfundimit të studimeve, ajo punoi nëpër televizione lokale, duke u bërë njëra nga prezantueset më të pëlqyera të audiencës spanjolle, para se të martohej me Felipe-n dhe më pas të bëhej Zonja e Parë e vendit.

SYLVIA BONGO ONDIMBA (GABON)

Sylvia Bongo Ondimba

Sylvia Bongo Ondimba u lind në Francë, por që kur ishte e vogël, prindërit e saj ishin dërguar për të punuar në Kamerun, ku edhe ka kaluar vitet e para të fëmijërisë. Më pas, familja e saj u zhvendos në Tunizi dhe prej këndej, në Gabon, ku nëna e Sylvia-s nisi punë si sekretare e njeriut që më vonë do të bëhej dhëndër i saj. Sylvia u martua me Ali Bongo Ondimba-n në vitin 1989 dhe është bërë Zonja e Parë e vendit në vitin 2009, kur bashkëshorti u zgjodh President i Gabonit.

PRINCESHA LALLA SALMA (MAROK)

Princesha Lalla Salma

Princesha Lalla Salma është bashkëshortja e Mbretit Mohammed VI, që është sundimtari aktual i Marokut. Ajo mbeti jetime në moshën trevjeçare, kur të dy prindërit e saj vdiqën në aksident dhe më pas u rrit nga gjyshja. Studioi inxhinieri, profesion në të cilin punoi për disa vjet, para se të martohej me sundimtarin e tanishëm të Marokut, të cilin e ka përfaqësuar shpeshherë në vende të ndryshme.

MBRETËRESHA JETSUN PEMA (BUTAN)

Her Majesty the Queen of Bhutan

Mbretëresha Jetsun Pema është njëra nga Zonjat e Para më simpatike në mbarë botën. Është Zonja e Parë më e re në këtë listë dhe si rrjedhojë, njëra nga më të bukurat. Ajo është bashkëshorte e Jigme Khesar Namgyel Wangchuck-ut, Mbretit të Butanit. Ajo merret me kauza të artit, pikturë dhe basketboll.

DOMINIQUE OUATTARA (BREGU I FILDISHTË)

photographe

Dominique Ouattara është Zonja e Parë e Bregut të Fildishtë. Ajo ka lindur në Algjerinë franceze, për t’u transferuar më pas me gjithë familjen e saj në Bregun e Fildishtë, në vitin 1975. Ajo me Presidentin e tanishëm të Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, janë martuar në vitin 1991, shtatë vjet pasi i kishte vdekur bashkëshorti i saj i parë, Jean Folloroux.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura