Cilat janë masat kufizuese që la në fuqi Komiteti Teknik i Ekspertëve. Rritja e rasteve me Delta dhe Omicron, ja situata me fëmijët e infektuar

Jan 13, 2022 | 12:09
SHPËRNDAJE

Komiteti Teknik i Ekspërtëve në një dalje për mediat ditën e sotme ka analizuar situatën epidemiologjike në vend, duke apeluar për zbatimin rigoroz të protokolleve dhe vaksinimin antiCovid.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik dr. Eugena Tomini, tha se në këto ditë është shënuar numri më i lartë i infektimeve në vend, për shkak të qarkullimit të variantit Delta dhe Omicron, por situata në spitale vijon të mbetet e qëndrueshme.

“Sa i përket situatës epidemiologjike në vend, tashmë ka reflektuar një incidencë javore e cila është e rritur, duke reflektuar një përqindje të pozitivitetit të mostrave në 24 orë. E ndjekur sigurisht edhe nga një incidencë e lartë e hasjes së rasteve pozitive në dy javët e fundit. Kjo rritje i atribuohet qarkullimit të dy varianteve, variantit Delta dhe variantit Omicron, por njëkohësisht i atribuohet edhe mosrespektimit të masave dhe grumbullimeve në festat e fundvitit. Aktualisht në vend qarkullon edhe virusi i gripit dhe qarkullimi i gripit bashkë me variantet e Omicron dhe Delta, po bëjnë një qarkullim dhe transmetueshmëri në nivele të larta, por ndërkohë e pareflektuar me një trend të rasteve të hospitalizuara, ku kemi një qëndrueshmëri”, tha Tomini.

Shefja e Shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve ka deklaruar se të shtruar në spital në forma të rënda janë kryesisht pacientë të pavaksinuar.

“Në spitalet COVID 1 dhe COVID 3 janë rreth 130 pacientë të shtruar sot që flasim, prej të cilëve 12% janë në formë kritike, 54% janë në formë të rëndë, pjesa tjetër janë në formë të mesme-të rëndë. Ajo që duhet vlerësuar është që janë mosha të reja të shtruara në spital dhe që janë të gjithë të pavaksinuar dhë që ka edhe nga ata që nuk kanë sëmundje kronike. Tek të shtruarit në tërësi mbizotërojnë personat që janë të pavaksinuar, por padyshim në spital ka një përqindje të ulët të personave që janë të vaksinuar me dozën e parë ose dozën e dytë”, tha Çomo.

Duke folur për situatën e shtrimeve të fëmijëve, prof. Gjeorgjina Kuli, shefe e Pediatrisë Infektive në QSUT tha se, pavarësisht rritjes së infektimeve tek fëmijët, numri i hospitalizimeve në këtë grupmoshë mbetet i ulët.

“Megjithëse momentalisht, që nga fillimi i historisë së pandemisë, ndoshta kemi numrin më të madh të fëmijëve që rezultojnë pozitivë për infeksionin Sars-Cov2, reflektimi i kësaj situate në kushtet e hospitalizimit është i pakët. Numri i fëmijëve të hospitalizuar është pak a shumë i njëjtë. Gjithnjë mbetet 10-12. Aktualisht kemi 10 fëmijë të hospitalizuar me komplikacione të pakta dhe fatmirësisht nuk kemi asnjë rast fataliteti”, tha Kuli.

Prof. Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se ecuria e vaksinimit është e mirë dhe ka rritje javën e fundit.

“Ka një rritje gati dyfish të vaksinimeve me dozë të parë. Ka një ndërgjegjësim më të lartë të popullatës. Në popullatën target ne kemi arritur 52.7 % me dozë të parë dhe 47.3 % me dy doza. Edhe 7.7 % e personave janë vaksinuar me tre doza. Përsa i përket vaksinimit në moshat mbi 60 vjeç ne jemi një nga vendet më të mira në Europë në lidhje me mbulesën vaksinale në këtë grupmoshë, por sfidë mbetet vaksinimi i të rinjve”, tha Bino.

Në fjalën e saj Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli ka apeluar qytetarët për zbatim rigoroz të masave të vendosura, duke shtuar se të gjitha masat do të merren në varësi të situatën epidemiologjike në vend.

Komiteti Teknik i Ekspertëve këshillon me forcë zbatimin rigoroz të masave, paraqitjen në qendrat e vaksinimit të atyre që nuk janë vaksinuar ende në menyrë që të mbrojnë veten, sidomos nga forma e rëndë dhe humbja e jetës, por edhe komunitetin duke u bërë barrierrë për përhapjen e infeksionit. Mbajtja e maskës aty ku është e rekomanduar dhe respektimin e distancimit fizik në të gjitha situatat ku ne ndodhemi. Komiteti i Ekspertëve do të vazhdojë t’i ndjekë në dinamikë me shumë përgjegjshmëri çdo ditë situatën epidemologjike në vend, shpejtësinë e ndryshimit të saj dhe masat do të jenë gjithmonë në përputhje me këtë situatë epidemiologjike, ashtu sikurse janë edhe rekomandimet”, tha Rakacolli.

Masat që mbeten në fuqi janë:

• Ora policore vijon 23:00 – 06:00.

• Qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

– Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

– Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

– Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

– Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

*Përjashtim nga këto rregulla bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

• Në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit.

• Në të gjithë institucionet shëndetësore, nuk lejohet hyrja e familjarëve për personat që janë të shtruar, sipas protokolleve përkatëse.

• Mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane, etj dhe në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

• Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive, etj, deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

• Grupet e riskut, arsimtarë, studentë, personel shëndetësor, administrata dhe punonjësit e shërbimeve të supermarketeve dhe qendrave tregtare, vijojnë dorëzimin vërtetimin/çertifikatën e vaksinimit ndaj Covid 19 ose çertifikatën e shërimit, të lëshuar nga e-Albania pranë qendrës së punës, në të kundërt do të kërkohet paraqitja në mënyrë periodike e testit PCR çdo javë për të verifikuar infektueshmërinë.

© Panorama.al

Te lidhura