Cila është raca më e pastër në Europë, sipas gjenetikës?

Jan 19, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

Prof. dr. Myftar BarbullushiPROF. DR. MYFTAR BARBULLUSHI

Shqiptarët – insiston pa hezituar aspak legjenda. Ata janë pasardhës të racës ariane, ku dhe vetë emri i saj derivon nga rrënjët e dy fjalëve shqipe: Ar dhe Anë, pra, njerëz të artë – shkon më tej legjenda, nëpërmjet gojës së Edvin Pears. Fjala “kelt” rrjedh nga fjala shqipe i “çeltë”, i “çelur”, i vë ajo kapakun lavdisë shqiptare, e cila pasi derdhet e përhapet vrullshëm nëpër kafene, stadiume, dasma, blogje e “Facebook”, ngrin e merr formën e një togfjalëshi: O sa mirë, me ken shqiptar!

Në nota më të buta, por me të njëjtën eufori, në kor me shqiptarët janë edhe irlandezët, skocezët dhe uellsianët, të bindur në origjinën e tyre kelte, dhe me pretendimin se jo vetëm nuk kanë të bëjnë fare me popujt e tjerë europianë, por që dhe nuk kanë qenë asnjëherë të kontaminuar nga asnjë lloj emigracioni.

Gjenetisti Walter Bodmer, i shpallur “non grata” nga arkeologët irlandezë, në vitet e fundit ka studiuar më shumë se dy mijë persona nga familje që kishin jetuar gjithmonë në Irlandën e Veriut, Skoci dhe Uells. ADNja e tyre konfirmoi se paraardhësit e atyre të cilët e konsideronin veten “keltë” kishin afërsi gjenetike me gjermanët, frënget dhe belgët, duke konfirmuar kështu se nuk ekziston një përkatësi etnike e Keltëve. Pra, është vetëm një ide e lindur nga kulturat dhe traditat popullore, e cila nuk ka të bëjë fare me të vërtetën dhe për më tepër me “të vërtetën shqiptare” me origjinë kelte.

“Shqiptaret janë pasardhës të drejtpërdrejtë të atyre Arianëve aventurierë, që lanë shtëpitë stërgjyshore në brigjet e Kaspikut, kapërcyen Kaukazet dhe hynë në Europë në agimin më të hershëm të historisë”, do të shprehej A. Powell, në librin e tij “Kufijtë e rinj të lirisë – nga Alpet në Egje”, duke ushqyer me ushqim special legjendën e prejardhjes sonë nga raca e pastër Ariane.

“Aryan” është një term që nga sanskritishtja do të thotë “fisnik”, i përdorur si një vetëpërcaktim nga njerëzit indo-iranianë. Fjala u përdor për t’iu referuar klasës fisnike si dhe rajonit gjeografik në Indi të njohur si Âryâvarta, ku u bazua kultura indoariane. Në shekullin e 19-të, termi “Arian” do të miratohej nga Arthur de Gobineau si një kategori racore, që bazohej në idenë e racës së pastër bionde të Europës Veriore, pra, racës “Ariane”, të ardhur nga India, të kulluar e të papërzier me asnjë racë tjetër.

Idetë e tij ndikuan në ideologjinë naziste raciste, e cila i pa “popujt arianë” nga natyra superiore ndaj grupeve të tjera racore, sidomos ndaj hebrenjve. Por, studimet gjenetike në Indi, duke përdorur analizën e ADN-së, kanë konfirmuar se vetë qytetërimi indian është shumë burimor dhe duke tërhequr impulset kulturore, traditat dhe praktikat e tij nga një larmi familjesh dhe historie të migracionit. Pra, të gjithë jemi emigrantë; konkludojnë studiuesit indianë të gjenetikës, duke i dhënë një mesazh të qartë legjendave shqiptare për pastërtinë e racës, kur vetë raca ariane është e përzier me emigracione të ndryshme.

NË VEND TË HISTORISË

Kohët e fundit, në site-t e shkencës, evidentohet një shpërthim i shpejtë, dramatik dhe i fuqishëm i studimeve gjenetike të historisë njerëzore, të bazuara në ADN-në moderne dhe atë të lashtë, të cilat ndihmojnë për të kuptuar e shpjeguar shumë fenomene historike, sidomos në ato raste kur kërkimet arkeologjike, lajmet historike dhe provat gjuhësore nuk na vinë dot në ndihmë, na mungojnë, apo janë të pafuqishme. Këto studime konvergojnë në një pikë të përbashkët; nuk ekzistojnë “raca apo popuj të pastër”, dhe kjo, sipas studiuesve, shpjegohet nga lëvizje të popullsive të ndodhura midis 19.000 dhe 5.000 viteve më parë.

Ne jemi bij të tre emigracioneve të mëdha – insistojnë ata. Dhe sa më shumë të ketë emigracione, aq më shumë e kuptojmë se fjalë të tilla si “etni” apo “identitet kombëtar” nuk kanë kuptim, sepse secili prej nesh vjen nga gjenerata paraardhësish që kanë lënë vendin e tyre dhe kanë shkuar diku tjetër. Emigracioni i parë, ka ndodhur në 19 – 14 mijë vjet më parë, në kohën e shkrirjes dhe tërheqjes së akullit.

Gjahtarët nga rajonet e Lindjes së Mesme, që ne tani i quajmë Siri, Iran, Irak, iu drejtuan Europës Veriore duke u përzier me pasardhësit e një emigracioni akoma më të hershëm që ata gjetën atje. Emigracioni i dytë, thuhet që daton 9 mijë vjet më parë; Ishin fermerët nga Anadolli (Azia e Vogël) që pas Gjermanisë dhe Suedisë shkuan drejt jugut deri në Sardenjë. Këta emigrantë i kishin sytë dhe flokë të errët, si të Sardëve sot, të cilët, në fakt, kanë më shumë ADN të ardhur nga fermerët nga Azia e Vogël se kushdo tjetër në Europë. Emigracioni i tretë.

Barinjtë e popullsive Yamnaya të stepave të Veriut të Detit të Zi, 5 mijë vjet më parë lanë vendbanimet e tyre për t’u zhvendosur në Europë. Ata kishin qe dhe dele, dinin të zbusnin kuaj. Sipas një paleogjenetiste nga Kopenhageni, Eske Willersleva, këta emigrantë ishin thuajse të gjithë meshkuj. Këta burra, të martuar me vajzat e fermerëve lokalë, sipas traditës vendase, u varrosën së bashku. Disa muaj më parë, gjenetistja nga Upsala, Mattias Jakobsson, nëpërmjet gjetjeve të këtyre varreve, konfirmoi se në ADN-në e popujve europianë shihet qartë influenca e barinjve të popullsive Yamnaya të stepave të Veriut të Detit të Zi.

Sipas saj, pikërisht nga gjenet e Yamnaya, trashëgohet gjatësia e popujve europianë, pasi pa kryqëzimin me ta, të gjithë do të ishim shtatshkurtër. Për më tepër, gjetjet e varrit kanë dhënë informacione të vlefshme edhe për të zgjidhur dilemën e baskëve të cilët, edhe pse më pak se europianët, kanë ADN nga Yamnaya, duke hedhur kështu poshtë pretendimin e tyre për pastërti racore.

NË VEND TË MBYLLJES

E pritshme apo zhgënjyese, studimet e gjenetikës, të bazuar në ADN-në e popujve, konfirmojnë me bindje shkencore se raca apo popuj të “pastër”, të paprekur nga emigracionet e njëpasnjëshme nuk ka asnjë, përveç, ndoshta Aborigjeneve të Australisë, që mendohet se rrjedhin nga paraardhësit e mbërritur në Australi, më shumë se 40.000 vjet më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura