Cikalleshi në gjurmët e Igli Tares, e kërkojnë Xhenoa dhe Torino

May 26, 2015 | 15:22
SHPËRNDAJE

Cikalleshi

Xhenoa dhe Torino kërkojnë Sokol Cikalleshin. Nuk është Sampdoria e shumëpërfolur në merkaton e janarit, por klubi tjetër xhenovez, ai që mund të bëjë të vetin sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Mediat italiane dhe më konkretisht portali i specializuar për merkaton “calciomercato.com”, shkruante dje se 25-vjeçari është në gjurmët e Igli Tares, ishsulmuesi shqiptar, tani drejtor sportiv i Lacios.

“Xhenoa dhe Torino synojnë shqiptarin Cikalleshi në verë. Sulmuesi aktivizohet për RNK Split dhe shikohet si një alternativë serioze për të përforcuar sulmet e skuadrave të Serisë A”, citohej ndër të tjera në shkrimin dedikuar Cikalleshit. S

hkëlqimi i kavajasit gjatë këtij sezoni në Kroaci, por edhe performanca mbresëlënëse që bëri në miqësoren Itali-Shqipëri, luajtur në nëntor të vitit të kaluar, ka bindur edhe më shumë drejtuesit e Xhenoas e Torinos, që pritet të nisin negociatat për blerjen e kartonit. RNK Split mësohet se nuk e lëshon Cikalleshin për më pak se 3 milionë euro. Megjithatë, nuk janë vetëm dy klubet italiane që synojnë bomberin shqiptar, i cili, gjatë këtij kampionati, ka arritur të shënojë 10 gola.

Të tjerët Prej muajsh, Cikalleshi ndiqet nga disa klube europiane. Sulmuesit kuqezi i është rritur vlera që në momentin kur u bë pjesë e padiskutueshme e Kombëtares dhe u transferua në Kroaci. Fillimisht për kavajasin ka pasur një interesim nga Dinamo e Zagrebit, por RNK Split kërkon që të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij dhe ka refuzuar çdo ofertë që i ka ardhur. Më pas klube të tjera të Serisë A si Sampdoria, Atalanta dhe Fiorentina, u përfolën se interesoheshin për shqiptarin. Pak javë më parë, mediat gjermane raportuan se edhe Kaizerslautern ka në listën e blerjeve për merkaton e verës sulmuesin shqiptar. Gjasat janë që ky të jetë muaji i fundit i Cikalleshit me RNK Split.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura