Çifti shqiptar anulon martesën, e pabesueshme çfarë bënë me paratë e mbledhura

Dec 16, 2016 | 10:38
SHPËRNDAJE

Shpesh ankohemi që nuk bëjmë jetën që duam, por nuk veprojmë për ta ndryshuar atë. Sonila Qesaraku, vendosi një ditë që të mos bëjë më çdo mëngjes të njëjtën rrugë për në punë. Së bashku me bashkëshortin e saj, ajo bëri gati valixhet dhe u nis për një udhëtim të gjatë rreth botës. Pas shtatë muajsh në lëvizje, sot ndodhet në Malajzi.

Kishim dëgjuar shembuj të tillë, por personazhet ishin të huaj. Këtë herë ramë në kontakt më Sonilën, vajzën që ka lindur në Tiranë në vitin 1982. Pas përfundimit të shkollës së mesme ajo shkoi në Itali për të vazhduar atje studimet e larta, për Shkenca Komunikimi. Pas përfundimit të studimeve u njoh me Fabion, një djalë italian nga Torino. Të dy, prej vitesh, punonin, por kërkonin diçka më tepër nga jeta. Nuk po kuptonin se çfarë donin të bënin realisht.

ed1cf13bf88d6dd474b282591ddcc464

Edhe pse të stabilizuar, si ekonomikisht ashtu edhe me punën, ata vendosën t’i braktisin të gjitha. Në kohën kur duhet të organizonin një ceremoni martese për të celebruar lidhjen e tyre dhe për të bërë të lumtur familjarët, ata thanë; jo. Paratë e këtij gëzimi vendosën t’i shpenzojnë për udhëtimin e tyre të jetës. Dhe kështu bënë. Sot nuk janë penduar aspak edhe pse familjarët i lanë me kokën mënjanë ditët e para të këtij vendimi.

Ata, sigurisht që do të donin të merrnin ndonjë valle për dasmën e çiftit. Ndërsa Sonila dhe Fabio po kërkonin lumturinë duke zbuluar botën. Ato që kanë mësuar këto 7 muaj nuk ua  ka mësuar asnjë shkollë, universitet, apo kurs që kanë ndjekur. Kanë parë dhe njohur kultura të ndryshme. Kanë sprovuar veten në situata të vështira dhe sot janë duke jetuar ëndrrën e çdokujt.

Në biseduam me Sonilën, e cila nga Malajzia na u përgjigj duke na rrëfyer eksperiencën e saj për të zbuluar botën. Një gjë është e sigurt, rrëfimi i Sonilës është frymëzues dhe të bënë të mendosh…! Mësoni nëpërmjet kësaj interviste disa sekrete nga Sonila Qesaraku.

Sonila, cila është familja juaj?

Jam lindur në Tiranë, nga babai im përmetar Agim Qesaraku dhe mamaja skrapallie Afërdita. Jam më e vogla e 3 fëmijëve, përpara meje janë vëllai im Blendi dhe motra Mariola. Jam rritur me shumë dashuri në një familje ku ka mbretëruar gjithmonë harmonia. Një pjesë të madhe të fëmijërisë time e kam kaluar në Berat, jam rritur atje me gjyshen time Qamile (nga ana e mamit), teze Raimondën dhe dajë Përparimin. Kam marrë nga ata shumë dashuri, e quaj veten me shumë fat, e kujtoj fëmijërinë time atje me shumë nostalgji e mall.

Kur ke shkuar në Itali?

Kam ikur në Itali në vitin 2000 mbasi mbarova maturën në shkollën e mesme “Ismail Qemali”. Shkova ne Siena për të studiuar “Shkencat e Komunikimit”.

Cilat kanë qenë eksperiencat e tua të punës?

Kam bërë disa lloj punësh, kjo më ka ndihmuar të mësoj gjëra të ndryshme e të njoh shumë njerëz. Kur studioja për të financuar studimet kam bërë punë të ndryshme si babysitter, mësuese anglishteje, kameriere, call center (asistencë klienti dhe sondazhe), promoter në supermarkete apo nëpër sheshe etj. Më pas kam punuar në shtëpi botuese, në marketing, në agjenci udhëtimesh, në organizim evenimentesh e marrëdhënie publike, në panaire duke përdorur gjuhët e ndryshme të huaja, në fushën e kulturës dhe turizmit (në disa muze të Torinos dhe arkivin historik të qytetit).

Ndërkohë, prej disa kohësh, ju keni vendosur të udhëtoni, sëbashku me mikun tuaj, si dhe pse e morët këtë iniciative?

Unë dhe shoku im i jetës ose bashkëshorti im Fabio e bëmë këtë zgjedhje sepse donim të ishim të lirë të vendosim çdo ditë pa planifikuar me kohë të gjatë, të kishim kohë për veten dhe njëri-tjetrin, të dilnim pak jashtë sistemit dhe shoqërisë, të kuptonim më mirë nëse jeta që bënim ishte vërtet jeta që dëshironim, të kuptonim nëse puna që bënim ishte ajo që dëshironim dhe të kuptonim më mirë se çfarë vërtet duam të bëjmë në jetë, të njihnim më mirë veten tonë, të njihnim historitë, kulturat, traditat, vendet, panoramat, disiplinat shpirtërore dhe energjike që në këto vende janë shumë të zhvilluara, fetë, historitë e jetës të njerëzve lokalë dhe udhëtarësh, modele alternative të mësuarit nëpër shkolla, ushqime tipike e shumë gjëra të tjera pa kufizime kohe.

Donim të kishim mundësinë të bënim një udhëtim rreth botës ashtu si edhe një udhëtim brenda vetes. Të bënim eksperienca të ndryshme në këto vende si ajo e vullnetarizmit për të ndihmuar persona në nevojë. Në Malajzi në një tempull induist kemi ndihmuar për të gatuar dhe t’u servirur ushqimin besimtarëve, por edhe të varfërve. Në Kamboxhia u kemi mësuar anglisht fëmijëve të një shkollë rurale që kanë vështirësi ekonomike duke jetuar me familjen vendase dhe kuptuar me shumë kështu për kulturën kamboxhiane.

Që të dy kemi pasion gatimin kështu që na interesojnë shumë pjatat tipike të vendeve që vizitojmë. Kemi bërë kurse gatimi në Tajlandë, Indonezi e Vietnam. Ushqimi për ne është i rëndësishëm (besojmë të shprehja që ne jemi ajo që hamë), në Itali mundohemi gjithnjë të hamë shëndetshëm prandaj edhe në udhëtim nëse ka një gjë ku nuk kursejmë ai është ushqimi, mundohemi të zgjedhim cilësinë dhe në fakt nuk kemi pasur asnjëherë probleme shëndetësore gjatë gjithë këtyre 7 muajve udhëtimi. Ne jemi kemi një stil jetese vegjetarian (nuk hamë mish, peshk, vezë dhe derivatet e tyre), nuk është gjithnjë e lehtë në Azi ku konsumohet shumë mishi dhe peshku, por s’është edhe e pamundur, deri tani ia kemi dalë mirë.

Nuk po ju ecte puna, apo keni aq shumë para sa doni t’i shpenzoni në udhëtimet tuaja?

Asnjë nga të dyja. Fabio kishte një punë në një multinacionale (me një kontratë të përhershme, me shumë të drejta e të mirëpaguar që sot vështirë ta gjesh më në Itali), kurse unë bëja disa punë të përkohshme në të njëjtën kohë. Kur e la punën shumë persona i thanë që duhej një kurajo e madhe për të bërë një gjë të tillë në ditët e sotme në Itali. Me krizën e madhe dhe vështirësinë për të gjetur punë. Shumë do të dëshironin të bënin si ai, por nuk kanë kurajo. Stresi i pagesave, banka, dritat, uji, shpenzimet administrative të pallatit, taksa e plehrave etj., taksa pa fund, çmime gjithmonë në rritje të gjitha këto të çojnë të ndihesh e varur nga puna dhe paratë që të jep dikush të çojnë shpesh në një rreth vicioz nga i cili mendon se s’del dot edhe pse kudo ka një pakënaqësi dhe ankime ndaj jetesës. Mendon se je i lirë po në të vërtet je një formë “skllavi”. Nuk e ke plotësisht të drejtën e kohës dhe jetës tënde. Ne kemi shtëpinë tonë, familjen e Fabios dhe shumë miq e shokë. Ne bënim një jetë të mirë në Torino. Natyrisht me të gjithë problemet dhe streset që jeta moderne të vë përpara, koha e gjatë kaluar në punë dhe e paktë kaluar së bashku, me familjen apo koha e paktë e lirë për të udhëtuar apo zhvilluar pasione të ndryshme. Prej kohësh kishim filluar t’i bënim pyetje vetes nëse ishte vërtet kjo jeta që dëshironim, dhe nëse po bënim vërtet punët që dëshironim. Jo punët sepse kemi studiuar diçka dhe realizimi është të gjesh një punë në atë fushë e të kesh një rrogë, por donim të kuptonim cila është puna më e përshtatshme për ne, ajo për cilën mund të krijojmë vërtet vlerë për ne dhe për të tjerët. Kishim dëgjuar disa histori personash që e kishin revolucionuar jetën e tyre dhe që tani ishin më të lumtur së më parë, ka avokatë që ishin të palumtur dhe lanë gjithçka për t’u bërë fermerë e për të ndenjur në kontakt me natyrën dhe tokën. Ka persona që udhëtojnë prej kohësh duke punuar online, nuk kanë orare fikse, nuk duhet të ikin në zyrë, kanë mundësi të disponojnë si të duan kohën e tyre dhe ndërkohë të udhëtojnë të shohin botën dhe paguhen.

E kush nuk do ta dëshironte një gjë të tillë!…

Ne kishim kohë që e mendonim një udhëtim të tillë, por na dukej diçka e vështirë, kishim frikë të hiqnim dorë nga të gjithë siguritë dhe komfortet që kishim për të shkuar drejt diçkaje të panjohur, kishim frikë a do ishim në gjendje të përshtateshim me gjithçka, por ishte edhe presioni i shoqërisë, kur i shfaqnim këtë ide të udhëtimit shumë na thoshin qe jemi idealist, një udhëtim të tillë nuk do ta bënin kurrë (duan komoditetin e Evropës), se e bën kur je 20 jo 40 vjeç, se s’do ta linin kurrë punë e sigurt që i jep një rrogë mujore edhe pse nuk është puna e duhur për ta dhe mund të jenë të palumtur. Shumë janë të palumtur me jetën që bëjnë, por nuk kanë kurajën të ndryshojnë jetën e tyre, ose më mirë mendojnë se s’ia dalin dot, sepse të gjithë mund t’ia dalin, natyrisht. Ne donim ta ndryshonim jetën tonë, ta vinim veten në provë dhe përballë vështirësive, të kuptonim se kush jemi vërtet dhe çfarë duam, sepse nuk ka limit moshe për të ndryshuar jetën tënde e për të qenë i lumtur, por për të bërë të gjithë këto ka një çmim për të paguar, është rreziku për të lënë atë që njeh drejt diçkaje të re e të panjohur.

Besoj edhe këto lloj udhëtimesh, kushtojnë. Duhet të kesh para në xhep për të shkuar diku, për të konsumuar ushqim, fjetur, apo jo, si veproni?

Ne vendosëm të mos bëjmë ceremoni martese dhe ato lekë që do përdoreshin për martesën t’i përdornim për udhëtimin, sa kushton një martesë në Shqipëri? Të paktën minimumi 5000 euro? Po në Itali të paktën 10.000-12.000 euro? Po muaji i mjaltit pastaj, në Shqipëri se di, po në Itali të paktën 4000-6000 euro çifti. E pra këto lekë ne vendosëm t’i përdorim për një gjë që për ne është më e shtrenjtë se ceremonia, udhëtimi. Pra kur një person në Itali na thotë nëse s’ka lekë për të udhëtuar kur ndërkohë ka shpenzuar 12.000 euro për martesën dhe 6000 euro për muajin e mjaltit, me 18.000 euro mund të udhëtosh në Azi për 2 vjet duke jetuar mirë. Ne gjithashtu lamë punët përkatëse dhe me likuidimin e punëve (lekët që ka mbledhur ndërmarrja nga puna jote dhe që kur mbaron kontrata apo jep dorëheqjen t’i jep), vendosem t’i shpenzojmë për këtë udhëtim të gjatë në Azinë Juglindore duke blerë vetëm biletën e vajtjes.

Natyrisht që nëse s’ke asnjë kokërr leku është e vështirë të bësh një udhëtim se ca lekë për t’u nisur duhen, kjo është e qartë. Ne vendosëm të ikim në Azinë Juglindore sepse ishte një nga destinacionet më të sigurta dhe më të lira ekonomikisht. Udhëtimi jonë është i thjeshtë, me çantë në shpinë, udhëtojmë me mjete publike, flemë nëpër hotele të lira, organizojnë shumicën e gjërave vetë pa agjenci, ecim shumë në këmbë. Natyrisht për një udhëtim të tillë duhet edhe shumë fleksibilitet dhe shpirt përshtatjeje, nuk është gjithmonë fushë me lule. Në Azinë Juglindore nuk shpenzon shumë para.

Natyrisht jemi shumë fleksibël dhe përshtatemi, s’bëhet fjalë për hotel me 5 yje dhe luksin e tij, kjo është e qartë. Ne shpenzojmë mesatarisht rreth 600 euro në muaj secili, për të ngrënë, fjetur, lëvizur brenda qytetit, për të hyrë në ndonjë muze etj. Njerëzit për pushime harxhojnë edhe 2000 euro për një javë ose 2 javë diku në ndonjë resort luksoz, ndërsa unë me 2000 euro udhëtoj gati 3 muaj në Azi.

Në këtë moment po kërkojmë një punë të përkohshme në Malajzi apo Vietnam, për të fituar ca lekë e për të vazhduar më tej udhëtimin.

Si e pritën prindërit e tu kur i tregove planin tënd?

Në radhë të parë për ta bërë këtë udhëtim ne hoqëm dorë nga ëndrra për t’u martuar, natyrisht prindërit, si çdo prind, do dëshironin që të bënim një ceremoni e festë martese, kështu që ngelën pak të habitur nga vendimi ynë, por e respektuan atë. Gjithashtu për të bërë këtë udhëtim ne dhamë dorëheqjen nga punët përkatëse për të qenë të lirë të udhëtonim pa limite kohe, natyrisht prindërit ishin pak të shqetësuar, sidomos në këtë moment të vështirë në Itali ku nuk është e lehtë të gjesh punë, e mbi të gjithë një punë me kohë të përhershme, me shumë të drejta e të mirë paguar si ajo e Fabios. Pastaj Azia është një kontinent që prindërit tanë nuk e njohin, kështu që edhe pak frikë kishin ku po shkonim e sidomos për tipin e udhëtimit që po ndërmerrnim. Një gjë është të shkosh në Azi në një resort ose një tour të organizuar ku ke çdo gjë të prenotuar, merren të tjerët me gjërat e ke gjithnjë dikë që kujdeset për ty, një gjë është udhëtimi jonë me çantë në krahë drejt së panjohurës.

Ku keni udhëtuar deri më tani dhe si kanë qenë këto vende?

Kemi udhëtuar prej më shumë se 7 muajsh dhe kemi vizituar 7 vende të Azisë Juglindore, Tajlandën, Indonezinë, Singaporin, Malajzinë, Laosin, Kamboxhian dhe Vietnamin. Tajlanda ishte vendi i parë që kemi vizituar dhe na kanë bërë përshtypje dhe mrekulluar buzëqeshjet e njerëzve (Tailanda quhet ndryshe edhe toka e buzëqeshjeve), bukuria e detit, e plazheve dhe disa nga perëndimet e diellit me te bukura të jetës tonë.

Çfarë ke mësuar nga këto udhëtime deri tani? Kultura më interesante? Vendi më i bukur apo i veçantë?

Kjo eksperiencë na ka mësuar shumë gjëra si në nivel individual, ashtu edhe në nivel çifti. Na ka lejuar të kuptojmë shumë gjera mbi njëri-tjetrin, shpesh jemi ndodhur nën trysninë e situatave të vështira gjatë udhëtimit dhe kemi pare se si reagojmë duke kuptuar kështu më shumë mbi njërin-tjetrin gjë që s’do ta kishim parë në jetën e përditshme. Kemi mësuar se mund të jetojmë në mënyre të thjeshtë, pa shumë gjëra e të jemi të lumtur së bashku. Na ka bërë të kuptojmë që ky udhëtimi ka qenë investimi më i madh që mund të bëhet në jetë, prandaj edhe ne nuk pendohemi kurrë që hoqëm dorë nga martesa dhe me ato lekë vendosëm të udhëtojmë.

 

A bëni plane për të ardhmen?

Ne vendosim çdo gjë dita ditës. Plani më i afërt është të shkojmë në Myanmar, është një nga vendet që na kanë këshilluar më shumë nga udhëtaret për bukuritë natyrore dhe mikpritjen e njerëzve. Atje duam të bëjmë edhe një eksperiencë të re të veçantë meditimi, të shkojmë në një tempull budist për një periudhë nga 3-10 ditore kur nuk flitet, hahet vetëm një herë në ditë, të hiqet çdo mjet elektronik në dispozicion dhe je vetëm ti dhe vetja, është shumë e vështirë, por duam të provojmë këtë sfidë me veten tonë për të parë deri sa mund të arrijmë të bëjmë. Pastaj në Filipine, për bukuritë natyrore të padiskutueshme, në Nepal për të bërë një eksperiencë vullnetarizmi, por edhe për të bërë disa nga trekking më të vështirë e të mundohemi të ngjitemi tek Himalajet. Pasta India, vend që për nga kultura na ka tërhequr gjithnjë, për të parë bukuritë e natyrës, për të mësuar nga traditën e lashtë 5 mijë vjeçare të ayurvedes, për të shkuar në një ashram për yoga, për te bërë kurse kuzhine indiane e shumë gjera të tjera.

Mendon që një ditë të ndërtosh një familje të lëvizshme, apo do të vijë momenti qe do të stabilizohesh diku?

Mendojmë që do të stabilizohemi diku, nuk e dimë akoma kur, ideale do ishte midis Tiranës dhe Torinos, por gjithmonë duke vazhduar e kultivuar pasionin tonë për udhëtimet dhe kuriozitetin për botën duke ia transmetuar edhe fëmijëve tanë të ardhshëm.

Burimi: Gazeta Dita

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura