Christine Moro: Do festoj në Vlorë, për të nderuar figurën e Ismail Qemalit

Nov 19, 2012 | 13:25
SHPËRNDAJE
Ambasadorja franceze, Christine Moro, në ambientet e rezidencës

Prej një viti, ajo është ambasadorja e Francës në vendin tonë. Dhe brenda këtij harku të shkurtër kohor, ka mësuar jo pak për shqiptarët. Nga historia, vendet turistike, letërsia dhe shkrimtarët e preferuar shqiptarë, të cilët e kanë ndihmuar të njohë më mirë realitetin tonë përmes penës dhe krijimtarisë së tyre letrare. Por, në këtë intervistë, Christine Moro vjen si protagoniste jo vetëm përmes një profili femëror, por edhe si zyrtare e niveleve të larta diplomatike. Ajo zgjedh t’u bashkohet festimeve që kanë ndezur vendin prej ditësh, duke ngritur një dolli për përvjetorin jubile të 100-të të shtetit shqiptar.

Nuk ka dashur të përziejë me tone diplomatike atë që politika shqiptare prej disa vitesh është përpjekur ta bëjë. Kjo sa i përket çështjes së debatit të ndezur prej kohësh, nëse shqiptarët duhet të festojnë në Vlorë apo në Tiranë festën e Pavarësisë. Christine Moro, ambasadorja e Francës në vendin tonë, thotë se do të festojë në Vlorë, për të nderuar figurën e Ismail Qemalit dhe momentin e aktit solemn të ngritjes së flamurit shqiptar. Më tutje, ajo do u bashkohet festimeve anekënd vendit, duke iu bashkuar gëzimit të shqiptarëve. Me këtë rast, në festën tradicionale franceze të verës së re ajo ngre një dolli për ditëlindjen e shtetit shqiptar. Por, përtej imazhit diplomatik të zyrtares së lartë franceze, ajo është edhe një njohëse e denjë e historisë dhe artit shqiptar. Njeh të gjitha vendet turistike, të cilat zgjedh t’i vizitojë nga afër në kohën e lirë, ndërsa ana tjetër e përvetësimit kulturor janë librat me autorë shqiptarë. Të preferuarit: Ismail Kadare, Fatos Kongoli e Besnik Mustafaj. Përmes syve të tyre ajo ka parë Shqipërinë.

Znj. ambasadore, ju qëlloi rasti që të jeni përfaqësuesja e shtetit francez në këtë vit jubile për shqiptarët. 100 vjet shtet shqiptar, 100 vjet pavarësi e vendit tonë. Si e përcillni ju në këndvështrimin diplomatik këtë ngjarje simbolike për gjithë shqiptarët?
Shqiptarët janë një popull shumë i vjetër dhe kanë një shtet të ri. Ky përvjetor është rasti për të kujtuar ngjarjet e këtyre 100 viteve, si dhe për të reflektuar mbi gjithë historinë e Shqipërisë. Gjatë këtyre 100 viteve të ekzistencës si shtet, Shqipërisë i është dashur të përballojë sfida të shumta. Njëzet vitet e fundit Shqipëria ka hyrë në një rrugë të re, e cila u ka krijuar qytetarëve të saj mundësinë për një jetë të lirë, të lumtur dhe të begatë: kjo është rruga e demokracisë dhe e integrimit në strukturat europiane dhe në NATO. Ky njëqind vjetor është gjithashtu një rast për të parë nga e ardhmja. Shqipëria ka një projekt shumë të rëndësishëm: të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Shqipëria duhet të realizojë akoma edhe më shumë transformime politike dhe shoqërore të thella. Ky është një projekt afatgjatë, i cili kërkon mobilizimin e të gjithë klasës politike, por edhe të administratës dhe të gjithë shoqërisë. Franca, së bashku me vendet e tjera europiane dhe mike, e mbështet Shqipërinë në këtë rrugë.
Festa e “Bozholesë së re” organizohet sot, pikërisht për këtë jubile festiv të Shqipërisë. Franca njihet botërisht për gamën e gjerë të prodhimeve të verërave, të cilësisë më të lartë, kësisoj i referohem edhe faktit që ky event do të shoqërohet me të tillë pije. A jeni njohëse e verërave apo kulinarisë në përgjithësi?
Të njohësh verërat franceze, karakteristikat e tyre dhe specialitetet e kulinarisë me të cilat këto verëra kombinohen më mirë, bën pjesë në kulturën e francezëve: ne jemi të njohur për këtë! Unë i shijoj verërat, por duhen konsumuar me masë… E vlerësoj gjithashtu kuzhinën e mirë dhe gatuaj me shumë qejf kur e gjej kohën. Festa e “Beaujolais nouveau” (Bozholesë së re) është bërë shumë e njohur në të gjithë botën. Degustohen verërat e vitit, të cilat sapo kanë përfunduar procesin e transformimit nga lëngu i rrushit në verë. Këto verëra shoqërohen me bukë të mirë, proshuta, sallame dhe djathë dhe ne festojmë mes miqsh. Është një iniciativë e shkëlqyer ajo e “Club France” për organizimin e një feste të bukur të Beaujolais nouveau, për të festuar së bashku me miqtë shqiptarë 100-vjetorin e shtetit të tyre.
Përveç misionit tuaj diplomatik, a do të jeni pjesë e festimeve zyrtare që organizohen këtë muaj në Tiranë? Do të festoni në Tiranë apo Vlorë më 28 Nëntor?
Në të dyja qytetet! Do të jem në Vlorë për ngritjen e flamurit dhe nderimin e Ismail Qemalit, si dhe në Tiranë për pjesën tjetër të ceremonive. Aktivitetet e lidhura me 100-vjetorin gjatë javëve që i paraprijnë 28 Nëntorit janë të shumta dhe Franca ka organizuar shumë prej tyre për të shprehur miqësinë a saj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Jeni në Shqipëri prej më shumë se një viti. A ka diçka që e keni më për zemër në lidhje me popullin tonë?
Ju keni një vend të bukur, me peizazhe të shumëllojshme. Ka shumë gjëra për të vizituar dhe unë përpiqem të gjej kohën për t’i parë. Kur bëj vizita në qytete ose zona të ndryshme të Shqipërisë, më rezervojnë kudo një pritje shumë të mirë, sepse shqiptarët kanë një ndjenjë të lartë mikpritjeje. Gjithashtu mendoj se ata e duan shumë Francën, çka më hap shumë dyer.
Për ju si femër, cilat janë vështirësitë e kësaj detyre?
Është e vërtetë që gratë ambasadore janë të pakta në numër, ashtu si edhe gratë në poste të tjera drejtuese. Unë erdha në këtë post pas një karriere të gjatë në diplomaci, një profesion që ka qenë pasioni im i përhershëm, dhe tani jam e sigurt për zgjedhjen e bërë dhe për aftësitë e mia. Kolegët e mi burra e ndiejnë këtë dhe më respektojnë. Në shekullin XXI, kur është kuptuar nga të gjithë se burrat dhe gratë janë të barabartë në kapacitete intelektuale dhe në aftësi, nuk është e pranueshme që të jetë kaq e vështirë për gjysmën e njerëzimit të arrijë të marrë poste drejtuese: situata do të ndryshojë patjetër. Por, vështirësitë me të cilat ndeshen gratë gjatë përparimit të tyre në karrierë duhet të shihen me relativitet, nëse krahasohen me probleme të tjera mjaft të dhimbshme: e kam fjalën për dhunën e ushtruar ndaj grave, nganjëherë edhe në gjirin e vetë familjes së tyre, për inferioritetin me të cilin ato jetojnë në disa shoqëri, ose për pabarazinë e pagave mes burrave dhe grave për punë të njëjtë.
Ju është dashur të bëni sakrifica.
Sigurisht që kam bërë sakrifica për profesionin tim, sepse ai është shumë kërkues, si për sa i përket kohës, ashtu edhe lodhjes fizike. Nuk më duket se kam bërë ndonjë sakrificë të veçantë si grua, sepse edhe kolegët e mi burra bëjnë të njëjtën gjë. Kur ke një profesion që të merr gjithë kohën, burrë apo grua qofsh, duhet të dish ta gjesh kohën dhe kujdesin për ata që duam dhe na duan. Duhet të mos harrojmë për asnjë çast se ato janë më të rëndësishmit.
Si një zonjë e realizuar në profesion e karrierë, çfarë ju përmbush në përditshmërinë tuaj, znj. Ambasadore?
Gjatë ditës, koha kryesore është e zënë me punë, e cila mund të zgjasë deri vonë në darkë, si dhe nganjëherë që herët në mëngjes. Profesioni im kërkon që të marr pjesë në aktivitete të shumta dhe të takoj shumë shqiptarë, në rrethana nga më të ndryshmet dhe në fusha nga më të ndryshmet. Kjo gjë më pëlqen vërtet shumë. Por di të vlerësoj gjithashtu çastet që i rezervoj burrit tim, aktivitetet që bëjmë së bashku, biseda apo thjesht të ndajmë momente qetësie, secili me një libër të mirë.
Jashtë zyrës… çfarë ju pëlqen?
Përpiqem të kuptoj sa më mirë botën në të cilën jetojmë. Më pëlqen të udhëtoj për të zbuluar vende të reja dhe mënyra të reja jetese. Interesohem për historinë, sepse ajo të ndihmon të kuptosh sjelljen aktuale të popujve, edhe pse ato mund të mos e kuptojnë arsyen. Jam e interesuar për artin, përmes të cilit shihet shpirti i artistit, por edhe kultura së cilës ai i përket. Më pëlqen letërsia, sidomos kur librat të ndihmojnë të kuptosh mentalitetin e popujve dhe mënyrën se si ata reagojnë ndaj ngjarjeve.
Keni shkrimtarë shqiptarë të preferuar?
Në këtë kontekst, librat e Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit dhe Besnik Mustafajt më kanë mësuar shumë gjëra mbi Shqipërinë.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura