Christin Linger: Një bujtinë holandeze në Gjirokastër

Apr 28, 2015 | 11:31
SHPËRNDAJE

Holandezja 27-vjeçare investon kursimet e saj në shtëpi karakteristike në zonën muzeore. Përveç se po shpëton nga rrënimi shtëpinë e familjes Dobi, po e kthen atë edhe në një qendër turistike

Vizita e parë në Gjirokastër do të ishte vendimtare. Një qytet me një natyrë të veçantë, hijerëndë, gri, por në të njëjtën kohë edhe i dashur. Kishte një atmosferë mistike, që asaj do t’i mbetej në mendje, deri në rikthimin e dytë nga Holanda, por kësaj here me një mision. Të ngrinte një hostel (bujtinë) në një nga shtëpitë karakteristike gjirokastrite.
Zhvillimi i turizmit në qytetin e Gjirokastrës po tërheq jo vetëm bizneset vendëse, por edhe të huaja. Në disa raste persona nga vende të ndryshme të botës udhëtojnë në drejtim të qytetit të gurtë jo vetëm për turizëm, por edhe për të parë nga afër tregun për të investuar në të ardhmen. Së fundi e reja nga Holanda, Christin Linger, ka blerë një banesë të gurtë në afërsi të pazarit karakteristik për ta kthyer në një bujtinë për akomodimin e vizitorëve.

Bëhet fjalë për banesën Dobi, e cila ndodhet në një gjendje problematike për sa i përket ruajtjes së vlerave të saj, ndërkohë që Linger, me të ardhurat e veta dhe të familjes, ka nisur restaurimin e godinës. “Erdha në Gjirokastër për herë të parë në vitin 2009 si turiste së bashku me një grup bashkëmoshatarësh të mi. Vizita në qytetin e gurtë më la mbresa, të cilat vazhdova t’i ruaja në kujtesën time edhe kur u ktheva në Holandë. Këtu pashë nga afër bukuritë e qytetit, mikpritjen dhe bujarinë e njerëzve dhe mund të them se më pëlqeu shumë”, është shprehur turistja holandeze për gazetën “Panorama”. Prej asaj vizite u lidha shumë me Gjirokastrën. Në vitin 2011 erdha sërish në Gjirokastër si turiste. Kësaj radhe dija më shumë për historinë dhe vlerat e tij. Duke parë grupet turistike si dhe interesin në rritje në Holandë për qytetin tuaj, vendosa të përfshihem në një biznes turistik.

Bisedova me pronarët e banesës Dobi pasi ajo më tërhoqi shumë dhe ndodhej në afërsi të pazarit karakteristik. Ramë dakord që unë ta blej këtë shtëpi megjithëse ishte e dëmtuar. Tani kam nisur restaurimin e saj për ta kthyer në një bujtinë turistike dhe mendoj se është diçka e mirë jo vetëm për mua, por edhe për kontributin që jap për vlerat e qytetit. Madje, shumë banorë më kanë përgëzuar për punën që bëj”, tha Linger. Në Holandë, 27-vjeçarja nisi të mblidhte informacion të gjerë për qytetin, historinë, vlerat muzeore të shtëpive të gurta. Pasi gjeti edhe miratimin e familjes, ajo vendosi të blinte një shtëpi karakteristike për ta kthyer në një bujtinë.

PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura