Check-up apo ketchup?

Aug 26, 2018 | 13:00
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA/

edmond-tupja

Uromëni, të shtrenjta lexuese e të dashur lexues të kësaj rubrike të përjavshme! “OK, por me ç’rast, i nderuar profesor Tupja?”, do të pyesni ju me plot të drejtë. Përgjigjja ime është e thjeshtë fare: “Për arsyen po aq të thjeshtë, se sapo jam bërë i pavdekshëm! Po, po, nuk ju kanë gabuar as sytë, as veshët e as ndonjë shqisë tjetër: Jam bërë i PA-VDEK-SHËM, në daçi besoni, në daçi mos besoni! Kryeministri, zoti Edi Rama, dhe ministrja e tij e Shëndetësisë dhe e Punës Sociale, zonja Ogerta Manastirliu, më kanë bërë të ditur, me tuitër apo ndonjë mjet tjetër elektronik, ma ha mendja, se unë, tash e tutje, nuk kam për t’u sëmurë kurrë e kurrsesi! A dini përse? Jo, nuk e dini, për këtë jam krejt i sigurt! Sepse në Shqipëri, falë përkushtimit të tyre të pakufishëm ndaj personave të moshës së tretë, së katërt etj., etj., kudo në shtëpi, spitale, qendra shëndetësore, klinika, ambulanca, dispanseri e farmaci, pa harruar azilet, ata që kapin moshën 71 vjeç e lart si puna ime para disa muajsh, nuk kanë më nevojë për të famshmin check-up. Madje, edhe në momentin kur lëngojnë të gozhdar në shtratin e vdekjes dhe familja e tyre gatitet t’i përcjellë me dhimbje të pafund në banesën e fundit, me të mbushur 71 vjeç, ata brofin nga shtrati kobzi si të ishin djem e vajza të reja, plot shëndet e faqekuq si molla, qershia dhe veçanërisht si domatja për salcë! Përse vallë kështu? Sepse mikrobet, bacilet, bakteret, viruset etj., etj., tremben prej nesh, 71-vjeçarëve, si djalli nga temjani. Nga ana tjetër, ne nuk guxojnë jo më të na prekin, por as të na afrohen edhe sëmundjet më të tmerrshme jo vetëm si lebra, ebola e gjithë llojet e kancerit, por edhe ato të rralla, madje edhe sëmundjet gjenetike largohen të llahtarisura nga trupat tanë, që qëndrojnë si kështjella të pamposhtura qoftë edhe përballë sëmundjeve që mund të vijnë nga kozmosi e përtej kozmosit!

Po, po, tri herë, 71 herë absolutisht po, të adhurueshme lexuese e të admirueshëm lexues të kësaj rubrike të përjavshme, nuk po ju gënjej! Nxitoni, pra, sa pa kapur moshën e lavdishme 71-vjeçare, për të bërë check-up-in e fundit dhe le të krijojmë së bashku e sa më shpejt Sindikatën e të Pavdekshmëve Entuziastë të Republikës Madhështore të Arnautistanit (SPERMA). Përse na nevojitet një sindikatë e tillë? Për një arsye fare të thjeshtë: Që të bashkohemi e të luftojmë si grusht çeliku e shkëmb graniti rreth Partisë së P… (oh, më falni!)… Socialiste me në krye udhëheqësin e saj të lavdishëm shshsh… (oh, më falni!)… zzzotin Edi Rama, në mënyrë që ta ulim moshën e paprekshmërisë së shqiptarëve (të tipit homo albanicus) prej çdo lloj sëmundjeje nga 71 në 66 vjeç, ashtu siç qe para dy vjetësh në mos gabofsha, madje, përse jo, xhanëm, ta ulim, sigurisht në çdo pragzgjedhjesh – parlamentare apo vendore – nga pesë vjet çdo herë dhe, në këtë mënyrë, të arrijmë idealen, d.m.th. t’i bëjmë shqiptarët të pavdekshëm në sajë të eliminimit të plotë të check-up-it të konceptuar e të realizuar si kontroll mjekësor thjesht rutinor, duke e zëvendësuar atë me… me… Ah, a e gjeni dot me çfarë, të vyera lexuese e të çmuar lexues të kësaj rubrike të përjavshme? Me… Me… Kuku…Ta! Me… ketchup-in! Mos u habitni! Jo, jo, tri herë, 71 herë jo, nuk po bëj hiç, fare dhe aspak shaka, besomëni, please! Ah, më falni! Ç’është ketchup-i? You don’t know? I’m sorry! Salcë, pra! A e shikoni që e ditkeni! Po, po, falë salcës sonë kombëtare me emër amerikan, asaj me domate e kam fjalën, ja sekreti i ardhshëm i pavdekësisë sonë kombëtare: s’kemi nevojë për checkup, sepse kemi ketchup! Ama, një gjë duhet pasur rreptësisht parasysh: gjithë ato dhe ata që, në tërë vendet e botës do të duan të bëhen jo më përkohësisht, por përjetësisht të pavdekshëm, duhet të vijnë në Shqipëri që t’i nënshtrohen lumturisht, kundrejt pagese sigurisht, kurës njëvjeçare të ketchupit shqiptar dhe, pasi të kenë ndjekur për një vit stazhin që SPERMA organizon, kundrejt pagese sigurisht, të bëhen anëtarë nderi të saj, kundrejt pagese, sigurisht!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura