Çfarë të bëjmë pas maturës

May 29, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

MATEO SPAHO  Dekani i Fakultetit Ekonomik te "Luarasi", Mateo Spaho

Pas një periudhe të gjatë karantine dhe izolimi për të gjithë maturantët, dëshira e parë do të ishte që të gjithë të dilnin, të merrnin ajër lirshëm e të argëtoheshin, por jo… Kjo nuk është e mundur. Nuk është e mundur, sepse koha nuk pret dhe bota e të rriturve ka nevojë për ata, për energjitë, freskinë dhe punën e tyre.

Kështu që menjëherë, dhe me vrap, duhet kaluar pengesa e madhe e provimeve të Maturës me të gjitha angazhimet, frikërat, shpresat dhe makthet që këto provime përmbajnë. Por një tjetër leksion që vjen nga bota e të rriturve është se provimet nuk mbarojnë kurrë. Pas Maturës shtrohet pyetja e famshme, çfarë dege të zgjedh në universitet? Te cili universitet? Brenda apo jashtë shtetit, në një kohë me Covid-19?

Shumë pyetje, por nuk duhet të kalojmë në konfuzion dhe këtë zgjidhje nuk duhet t’ia lëmë rastit. Çdo gjë mund të organizohet me një arsyetim logjik të mirë dhe të ftohtë pa pasione dhe sidomos pa paragjykime.

Nga lajmet që ndjekim vazhdimisht dhe nga paralajmërimet e mjekëve të ndryshëm pritet që pas lehtësimit veror të virozës, me fillimin e vjeshtës, ka gjasa që Covid-19 të rishfaqet, duke shkaktuar edhe një herë problemet e famshme në transport, shëndetësi etj… Kështu që, pavarësisht nga mundësitë ekonomike të prindërve, një zgjidhje inteligjente do të ishte që fëmijët e tyre t’i regjistronin në një universitet shqiptar, së paku për vitin e parë, por me kushtin që fëmijët e tyre të ishin të mirëshërbyer në mësimdhënie dhe që provimet e dhëna të njihen edhe jashtë shtetit, si në vendet e BE-së dhe në Amerikën e Veriut. Njohja e provimeve do të nënkuptonte edhe cilësinë e universitetit në Shqipëri, i cili mund të vlerësohet, duke marre parasysh Certifikatën e Akreditimit.

Jo, nuk kanë të njëjtën vlerë diplomat e universiteteve shqiptare.

Gjatë vitit 2017, Agjencia Shqiptare e Akreditimit, ASCAL, në bashkëpunim me atë angleze “Q&A”, kanë vlerësuar 35 universitetet dhe Akademitë e Shqipërisë dhe për secilën prej tyre kanë dhënë një notë. Universitetet më të dobëta janë vlerësuar vetëm me 1 vit akreditim, më të mirat me 6 vite. Vetëm 4 universitete u vlerësuan plot 6 vjet në akreditimin institucional për shkak të cilësisë së programeve të tyre, përgatitjes së stafit akademik dhe përshtatshmërisë së strukturave të mësimdhënies. Një nga këto universitete është Universiteti “LUARASI”. Diplomat dhe provimet e marra në universitetin “LUARASI” njihen në të gjitha vendet e BE dhe të Amerikës së Veriut.

Një tjetër arsye mjaft e rëndësishme qëndron te fakti se një shkollë, sado e mirë të jetë, nuk i shërben studentit nëse nuk e lidh atë me praktiken e punës dhe me çfarë kërkon tregu. Universiteti “Luarasi” është pjesë e një grupi ekonomik prej 18 kompanish të ndryshme, që veprojnë në botën e medias, prodhimit, edukimit dhe ndërtimit dhe të gjitha këto kompani kanë nevojë për burime njerëzore cilësore. Lidhjet që universiteti ka me bankat, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet shtetërore bëjnë që studentët e universitetit “Luarasi” të jenë në punë në profesionin e tyre, në 86% të rasteve, brenda 6 muajve pas diplomës Master. (Kjo shifër mund të provohet emër për emër…).

Por, cilën degë duhet të përzgjedhë maturanti?

Në fakt, kjo është përgjigjja më e vështirë, sepse nga ajo degë do të varet jo vetëm 5-vjeçari i studimeve universitare, por edhe 40 vitet e tjera që do të pasojnë këto studime, sepse karriera e ardhshme është e lidhur me degën e përzgjedhur. Pa dyshim, përzgjedhja varet nga prirja që studenti ka dhe vizioni i tij për të nesërmen.

Meqenëse jam i anshëm, pasi jam dekan i Fakultetit Ekonomik në universitetin “Luarasi”, promovimin për fakultetin tim nuk po e bëj me fjalë, por po jap dy shifra. I referohem INSTAT-it, i cili ka publikuar mesataren e pagave për sektorët e ndryshëm të punësimit për vitin 2019. Mesatarja e pagës së deklaruar në Shqipëri është 52.380 lekë, ndërsa menaxherët dhe të punësuarit si ekonomistë, në kontabilitet, banka, sigurime, firma private etj., kanë një pagë mesatare prej 97.461 lekësh. Kjo do të thotë që të diplomuarit për Ekonomik në Administrim Biznes dhe Financë kanë një pagë 86% më të lartë se pjesa tjetër e shqiptarëve.

Më kujtohet filmi “Karnavalet e Korçës” me batutën e famshme “Olimbi, jeta është aritmetikë”. E, në fakt, ashtu është, sepse në çdo sistem, pushtet, shtet, vend, qytet e fshat, aritmetika e parasë lëviz ekonominë dhe të jesh menaxhuesi i saj, i certifikuar me anë të një diplome në universitetin “Luarasi”, të jep një mundësi shtesë për një të ardhme më të suksesshme dhe më komode.

Dekan i Fakultetit Ekonomik Universiteti LUARASI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura