Çfarë synon Rama me Reformën në Drejtësi?

| 10:40
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI* fitim zekthi

Reforma në Drejtësi duket se është një gjetje jashtëzakonisht e hollë, pa dyshim diabolike, për të futur politikën shqiptare në një drejtim të llogaritur dhe kontrolluar për shumë vite më pas. Duke qenë se sistemi i drejtësisë ka qenë për shumë e shumë vite i zhytur në një korrupsion të lemerisshëm, ishte e lehtë të përdorej neveria popullore, por edhe nevoja dramatike për ta rregulluar këtë gjendje dhe për ta kthyer atë në favor të një projekti politik.Përshkrimet e Marksit mbi jetën e vështirë të punëtorëve në Angli në shekullin e 19-të janë shumë pranë së vërtetës. Pranë së vërtetës kanë qenë edhe përshkrimet e themeluesit të inkuizicionit, Tomás de Torquemada, mbi gjendjen e Krishterimit, i cili ngriti një mekanizëm ulërimash e dhimbjesh që jehojnë edhe sot. Kështu ka ndodhur edhe me ata që ideuan dhe realizuan revolucionin jakobin në Francë apo me Leninin para se të përmbysej cari. Disa të vërteta janë thënë edhe nga Mao Ce Duni, Fidel Kastro, Çe Guevara, Enver Hoxha, Koçi Xoxe etj. Fakti që thuhet e vërteta, nuk tregon domosdo se nuk kemi të bëjmë me mashtrim. Një gënjeshtar që përmend të vërteta me qëllimin për të mashtruar, është provuar gjatë gjithë historisë se është një fuqi shkatërruese.

Ky lloj mekanizmi duket se është përdorur nga qeveria shqiptare për të realizuar Reformën në Drejtësi.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në asnjë rast nuk foli për Reformë në Drejtësi. Tërë fushata e tij, paraqitja para publikut e skuadrës së Rilindjes, udhëtimet me autobusin e Rilindjes, takimet ku shpaloseshin idetë e Rilindjes, kishin në fokus “shëndetësi falas”, “300 mijë vende pune”, “legalizime falas”, “Shqipëri e gjeneratës tjetër”, “administratë e ndershme dhe eficiente”, “vendosje e rendit për 300 ditë”, “përmbyllje e tranzicionit”, etj., etj., (duken shumë të largëta dhe të harruara të gjitha).

Sapo mori pushtetin, që në vjeshtën e vitit 2013, qeveria nisi sulmet ndaj pushtetit gjyqësor dhe sidomos ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ishte për PS-në “burimi i të këqijave, korrupsionit dhe mbrojtjes së gjyqtarëve të korruptuar”. Me thënë të drejtën, KLD, jo thjesht në atë kohë, ishte vërtet një organizëm korrupsioni, që thjesht dhe vetëm garantonte paprekshmërinë e gjyqtarëve, “varroste hallet e njerëzve të zakonshëm” dhe as i shkonte ndër mend të gjykonte ndonjë politikan për korrupsion. Sistemi i drejtësisë, dhe KLD-ja që e drejtonte atë, kishte nisur degradimin me kohë, sidomos pas vitit 1997. Duhet thënë se aq brutale ishte ndërhyrja pas vitit 1997, sa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata, u nxor nga zyra me policë dhe në vend të tij u emërua Fehmi Abdiu, i cili, vetëm 8 vite më parë, në 1989- ën, kishte dhënë dënim me vdekje ndaj një poeti, Havzi Nela, duke i shërbyer në mënyrë kriminale regjimit komunist.

Nga viti 1997 deri në vitin 2013 kur erdhi në pushtet Rama, sistemi i drejtësisë ishte kthyer në një mizerje të vërtetë. Pak a shumë, çdo pushtet politik e kishte pasur atë me vete. Sistemi ishte aq i korruptuar sa i shërbente vetë çdo pushteti politik duke mos e rrezikuar atë.

Rama duket se nuk donte një pushtet të korruptuar gjyqësor që nuk e rrezikonte atë (siç kishte qenë deri dje), por duket se donte të kishte kontroll të plotë mbi këtë pushtet. Ai, pas një lufte disamujore me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, shkarkoi dy anëtarë të këtij Këshilli, Lulzim Lelcajn dhe Elvis Çefën. Në vend të tyre u emëruan nga Parlamenti dy socialistë, Vangjel Kosta dhe Sokol çomo. KLD kishte gjithsej 15 anëtarë, nga të cilët 9 gjyqtarë, 3 të zgjedhur nga parlamenti, Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës së Lartë. Me emërimin e dy socialistëve, qeveria synonte të merrte kontrollin e KLD-së. Kaq mjaftonte. Me anë të KLD-së emërohej dhe shkarkohej çdo gjyqtar. Nga viti 1997 deri në vitin 2013, askush nga kryeministrat, as Nano, as Meta, as Majko dhe as Berisha, nuk e kishin pasur në kontroll të plotë emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, pavarësisht se gjyqësori, për shkak të korrupsionit, nuk kishte qenë kurrë një rrezik për qeveritë. (Mjafton të kujtojmë që Berisha zhvilloi luftë me një gjyqtar anëtar të KLD-së si Artan Gjermeni dhe nuk e shkarkoi dot ose që Nano, Meta dhe Majko u gjendën për tetë vite në luftë të egër të brendshme dhe askush nuk mundi të dominojë këto emërime).

Ndryshimi i dy anëtarëve të KLD-së nuk i solli Ramës marrjen në kontroll të KLD-së. Duhet thënë se Gjykata Kushtetuese i quajti ndryshimet në ligjin për KLD-në antikushtetuese, por megjithatë ndryshimi i anëtarëve nuk mund të kthehej pas. Pas këtij dështimi, qeveria Rama kërkoi rrugë të reja. Ajo inicioi miratimin e një ligji, me anë të të cilit do të ngrihej një Byro Kombëtare e Hetimit, një FBI shqiptare, tha atëbotë Rama, e cila do të hetonte korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo FBI shqiptare do të kishte kompetenca hetimore dhe do të drejtohej nga Ministria e Brendshme, nga Saimir Tahiri, i cili në atë kohë ishte kalorësi i madh dhe i paepur i betejës së qeverisë me krimin.

Ligji u miratua. Në qoftë se do të ngrihej kjo FBI shqiptare siç thoshte ligji, atëherë gjithkush në Shqipëri, qoftë ai politikan apo gjyqtar, do të ishte subjekt hetimi nga Saimir Tahiri dhe për pasojë do të ishte i shantazhueshëm dhe nën kontroll. Pra, marrja nën kontroll e gjyqësorit u bë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin. E ashtuquajtura FBI-ja shqiptare ra.

Pas këtij dështimi të dytë në verën e vitit 2015, Rama dhe qeveria e tij gjetën një rrugë tjetër: Reforma në Drejtësi. U ngrit një grup i quajtur “ekspertët e nivelit të lartë”, që ishin në fakt ishhetues, ish-gjyqtarë apo pedagogë, që vinin nga regjimi komunist ose që mund të kishin qenë edhe njerëz të Sigurimit të Shtetit, të cilët do të hartonin një projekt për të reformuar tërë sistemin shqiptar të drejtësisë. Nuk dihet pse u quajtën ekspertë të nivelit të lartë dhe pse u zgjodhën këta, por dihet që këta u zgjodhën nga Partia Socialiste. Kjo përpjekje për një reformë në sistemin e kalbur të drejtësisë mori mbështetjen e SHBA-së. Me të drejtë, pa dyshim! Madje, SHBA miratoi fonde mbështetëse për të. SHBA kishte kohë që kërkonte reforma në luftën ndaj krimit, pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit.

Çështja është se në këtë reformë, në gjetjen e mënyrave për ta mbështetur, në artikulimin e arsyeve për ta kryer, në shtytjen përpara të saj, ka ndërhyrë edhe një organizatë e fuqishme si Fondacioni Soros, i cili ka qenë një element i rëndësishëm që ka përdorur nevojën tonë për reformë, nevojën e Ramës për të marrë nën kontroll sistemin gjyqësor dhe mbështetjen e SHBAsë për një drejtësi të pavarur.

Shkurt, Fondacioni ka punuar ngushtë për të çuar përpara këtë reformë, me anë të së cilës qeveria amerikane synonte dhe synon diçka krejt tjetër nga ajo që synon Rama. Edhe Soros synon diçka të ndryshme nga ajo që synon Kongresi Amerikan dhe qeveria amerikane, të cilët, veç mbështetjes politike, kanë dhënë edhe fonde. Këto nuk janë sekrete. Fondacioni Soros kërkon të ndërtojë një botë liberale, madje ultraliberale, të mbështetur mbi idetë e antinacionalizmit, të promovimit të lirive seksuale dhe homoseksuale apo të çlirimit seksual, të zhbërjes së rolit të fesë, të taksave të rritura, të promovimit të martesave gay, të drejtimit të botës gjithnjë e më shumë nga një qeveri e madhe botërore etj. Një parti më ideale sesa PS nën shenjën Rilindje dhe një njeri më ideal sesa Rama për t’i çuar përpara këto ide nuk mund të ketë për Fondacionin Soros. Kjo është diçka legjitime nga këndi i Fondacionit.

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë (që ishin gjithashtu njerëz idealë për t’i shërbyer këtij qëllimi për shkak të formimit dhe të kaluarës së tyre) hartoi një projekt të turpshëm që ia jepte drejtpërdrejt Ramës kontrollin mbi sistemin e drejtësisë. Lufta e opozitës bëri që ky projekt të ndryshohej. Komisioni i Venecias rrëzoi projektin. Qeveria amerikane vazhdoi me forcë mbështetjen për miratimin e reformës. Duhet thënë se në fund ndryshimet kushtetuese, ndonëse kanë sajuar diçka të padëgjuar në historinë e mendimit politik dhe të filozofisë së të drejtës, krijonin mundësi që reforma të mos merrej në kontroll të plotë nga qeveria.

Më pas, me anë të ligjeve për vetingun, për institucionet e reja që krijohen, për funksionimin e këtyre institucioneve u hap dera që sistemi gjyqësor të mund të bjerë në kontrollin e Kryeministrit Rama.

Sot, reforma është në fazën e vet të përmbylljes (kjo përmbyllje mund të zgjasë edhe 10 vjet, sepse varet nga mundësitë për t’u marrë nën kontroll nga Rama), institucionet e reja janë duke u krijuar. Për gati tre vjet, ato janë tërhequr zvarrë nga qeveria. Për gati dy vite, qeveria emëroi një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme në shërbim të saj, e cila ka ndihmuar jo vetëm në mbrojtjen e njerëzve të qeverisë nga akuzat, por edhe në krijimin e mundësive që Reforma në Drejtësi të bjerë nën kontrollin e Ramës.

Sot është e pamundur të besohet se kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi ose kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, mund të emërojnë prokurorë apo gjyqtarë që do të hetonin, ngrinin dhe gjykonin Kryeministrin Rama ose njerëz që mund t’i rrezikojnë pushtetin Kryeministrit. Sot është e pamundur të besohet se kryetari i KED-së, Ardian Dvorani, do të emëronte për në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarë që mund të rrëzonin vendimin e Ramës dhe të Bibës për të mos njohur dekretin e Presidentit. Këto tri institucione janë zemra e tërë sistemit të drejtësisë. Nga ata emërohet çdo gjyqtar dhe çdo prokuror i ri. SPAK ka rreth dy muaj që ka nisur punën. Jo vetëm që KLP emëroi në krye të tij dikë që nuk doli i pari nga pikëzimi (eliminoi Altin Dumanin), por emëroi dikë që ka qenë hetues në kohën e regjimit komunist dhe që ka hetuar njerëz pse donin të arratiseshin. SPAK do të kthehet gradualisht në zhgënjimin më të rëndë sa i takon besimit te një institucion. Ai është krijuar me kujdes kirurgjikal për të bërë atë që ka nisur, për të legjitimuar pushtetin e Kryeministrit Rama dhe të grupit të tij politik.

Sot ka tri kategori njerëzish që thonë se Reforma në Drejtësi do të bëjë çudira, do të vendosë për herë të parë sundimin e ligjit, do të ndëshkojë politikanët e korruptuar etj. Kategoria e parë janë socialistët, është Kryeministri, është Taulant Balla, është Elisa Spiropali etj. Ky qëndrim është absurd ose tregon se reforma është nën kontroll nga Rama dhe qeveria. Kategoria e dytë janë njerëz të thjeshtë, njerëz të drejtë të shoqërisë, të cilët, të lodhur nga kjo kulturë e rëndë mosndëshkimi dhe korrupsioni, dëshirojnë të besojnë se Reforma në Drejtësi po bëhet nga amerikanët dhe se ajo do të çojë në burg politikanët e lartë. Këta e thonë këtë gjë nga dëshpërimi, këta e kanë këtë një lloj ilaçi qetësues. Kategoria e tretë janë ata që e thonë se duan të bëjnë si proamerikanë, si mbështetës të Amerikës, që janë njerëz që urrejnë opozitën dhe drejtuesit e saj dhe që janë, në fakt, në shërbim të qeverisë de të Kryeministrit. Këta janë ndoshta kategoria më fatkeqe, por edhe më e keqe, sepse janë thjesht servilë dhe hipokritë. Këta kështu kanë bërë edhe bërë për Jugosllavinë, për BSnë, për Kinën dikur.

Ata që janë vërtet njerëz që besojnë dhe i duan vlerat amerikane, i kanë dashur ato që nga Lufta e Parë Botërore, i kanë dashur gjatë Luftës së Dytë Botërore, i kanë parë si burim lirie dhe shprese në 1945 kundër komunistëve, kanë pritur me zemër të ngrirë të dëgjojnë “Zërin e Amerikës” çdo mbrëmje gjatë komunizmit. Edhe tani. këta njerëz, shumica jonë e shqiptarëve, presin që gjërat të ndryshojnë vetëm nga dashamirësia, vlerat, por edhe presioni i SHBA-ve.

Ata thonë që Rama ka frikë nga reforma, që PS-ja nuk e kontrollon dot, që reforma nuk mund të kontrollohet etj., nuk ka asnjë kuptim të merren seriozisht sot.

Reforma në Drejtësi sigurisht që nuk është në kontroll të plotë të Ramës. Sigurisht që monitoruesit ndërkombëtarë kanë bërë një punë të mirë, duke mos lejuar komisionet e vetingut të bëjnë budallallëqe me okë, sigurisht që SHBA po bën punë që reforma të ndërtojë organizma që do të bëjnë diçka. Sigurisht që janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Por reforma, duke qenë se u nis për qëllime politike, duke qenë se ishte një instrument politik dhe duke qenë se për herë të parë në historinë e botës kërkohet të ndërtohet të reformohet politika nga drejtësia (gjë e pamundur), do të shërbejë për qëllime politike.

Prandaj, kemi në krye të institucioneve Ibrahimin, Llagamin, Dvoranin, Krajën, prandaj ka në institucionet e reja njerëz që vijnë nga prokuroritë dhe hetuesitë e Enver Hoxhës, prandaj ka pasur raste kur janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë nga komisionet e vetingut dhe janë mbajtur të tjerë nëpërmjet standardeve të dyfishta.

Reforma në Drejtësi nuk do të dalë kurrë nga qëllimi i saj bazë: t’i hapë rrugën legjitimit të plotë të Ramës dhe t’i hapë rrugë qëndrimit të tij në pushtet. Arrestimet që mund të bëjë SPAK-u do të jenë të gjitha në këtë funksion. SPAK-u mund të arrestojë edhe ish-ministra, edhe ish-zyrtarë të lartë të qeverisë Rama dhe kjo do t’i shërbejë vetëm Ramës. Rama do të dalë dhe do të thotë: “Ja lufta e PS-së dhe imja për të ndryshuar Shqipërinë, ne nuk bëjmë dallime, ne nuk mbrojmë korrupsionin…”. Rama ka hedhur gjithnjë njerëz nga të tijtë. Nuk dihet numri i ish-deputetëve që nuk janë më deputetë, nuk dihet numri i zyrtarëve që nuk janë më zyrtarë. Rama është një mjeshtër në përdorimin e situatave të tilla.

Duke qenë se reforma nuk do të shkojë te Rama vetë, ai mund ta lejojë atë të shkojë deri edhe te njerëzit më të ngushtë në qeveri dhe kjo do të jetë vetëm konfirmim i atij vetë dhe kësaj mënyre të tmerrshme qeverisje që ai po bën. Drejtësia e deridjeshme e korruptuar nuk do t’i bënte asgjë Ramës, sikurse nuk i ka bërë tani, por ajo ishte një drejtësi e njollosur. Tani atij nuk do t’i bëjë gjë një drejtësi, sigurisht e korrruptuar, madje edhe më rëndë, sepse kjo është ndërtuar për qëllime politike pushteti, por, ama, kjo drejtësi njihet nga populli si e re, e ndershme dhe e pakorruptuar.

Kjo është në të vërtetë vdekja e kësaj reforme. Atë e shpëton vetëm mbërritja e saj te Rama, gjë që nuk mund të ndodhë kurrë në këtë faqe të dheut. Duke mos mbërritur te Rama, ajo, në thelb, do të legjitimojë edhe ata që mund të akuzohen apo arrestohen, qoftë ministra apo zyrtarë të rëndësishëm të PS-së, apo qoftë ministra apo zyrtarë të ishqeverisë. Të gjithë do të thonë se kjo është një reformë politike e korruptuar. Në këtë kuptim, qeveria ka shkatërruar apo shtrembëruar edhe mbështetjen e SHBA-së për reformën.

Megjithatë, në të gjitha përpjekjet e mëdha, të kujdesshme, por të pamoralshme për të fituar apo përfituar, gjendet gjithnjë diçka që i shkatërron këto përpjekje ose i ndal ato, gjendet gjithmonë një “antitrup” një “aksident” që i përket ose jo subjektit (Rama në këtë rast) dhe që do apo nuk do Rama e prek atë dhe thelbin e tij.

SHBA, ambasadorja Kim, vlerat e përbotshme të ndarjes së pushteteve, të mbrojtjes së lirive dhe dinjitetit të njeriut përballë abuzimit dhe tiranisë së qeverisë, të pavarësisë së gjykatave etj., të mbrujtura në Deklaratën e Pavarësisë, në letrat e Federalistit, në fjalimin e Patrick Henry-t, në debatet e Douglasit me Lincolnin dhe në dhjetëra e dhjetëra akte të tjera nuk mund të shkelen dhe përbalten nga një grup banal politik.

*Pedagog i Shkencave Politike

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.