Çfarë po ndodh tek Ekonomiku dy ditë pas sherrit e dhunës, të rinjtë me frikë për t’u rikthyer, ja shkresa që mori Policia

Nov 6, 2019 | 11:58
SHPËRNDAJE

ekonomiku

Shkuan për të bërë mësim, përfundojnë në spital. Kështu ka ndodhur me tre studentë të Fakultetit Ekonomik, të përfshirë në një përplasje me dhunë me disa të panjohur, fillimisht në auditorët e godinës “Iliria” e më pas në ambientet e jashtme që ndodhen vetëm disa metra larg fakultetit të tyre.

Më e çuditshme se vetë ngjarja, për të cilën nuk ka ende emra autorësh, është mungesa e reagimeve nga organet kompetente. Sakaq, kjo situatë ka ngjallur panik e pasiguri te të rinjt, të cilët mësojnë në këtë godinë me dyer të hapura, ndërkohë që disa salla tek Ekonomiku ndodhen në rikonstruksion.

Sakaq, sot, administratori i Fakultetit të Ekonomisë, Ermal Haxhiaj i është drejtuar me një shkresë Policisë së Tiranës, ku i kërkon të gjejë përgjegjësit e ngjarjes dhe që autorët që dhunuan studentët të dalin përpara ligjit.

NGJARJA 

Ajo që duhet të ishte një orë e zakonshme leksioni për vitin e tretë në lëndën “Drejtim financiar”, ka degraduar në përplasje fizike. Edhe pse mësimi kishte disa minua që kishte nisur, pedagogia Ermelinda Mulaj ka lejuar që dy të panjohur të hyjnë, me pretekstin se “i kishte dërguar dekani”.

Por, ata kishin shkuar aty me një qëllim. Menjëherë kanë nisur ngacmimet kundrejt vajzave të klasës, veprim ky që ka ngjallur reagimet e shokëve të pranishëm. Fakti që ishin në auditor me pedagoge prezente, nuk i ka penguar dy palët e të rinjve të ngrenë zërin dhe ofendojnë, duke bërë që të ndërpritej mësimi, por jo sherri.

Jashtë sallave të godinës, pranë sheshit “Demokracia”, një tufë të rinjsh, gjithashtu të panjohur, kanë asistuar në dhunë dy të tjerët duke goditur studentët. Tre studentë kanë përfunduar në Spitalin e Traumës me fraktura në trup. “Kur kemi dalë jashtë, jemi terrorizuar. Janë turrur në drejtimin tonë dhe të gjithë mbetëm të lënduar”, thotë njëra prej studentëve, teksa pohon se personat e vetëquajtur studentë, në fakt, nuk janë parë në asnjë leksion a seminar. Policia e Shtetit, e thirrur në vendngjarje, është distancuar, me pretendimin se godinat universitare ruhen nga roje private.

NË MËSIM, ME KARTË

Të frikësuar nga ngjarja e së hënës vonë, disa studentë kanë bojkotuar mësimin ditën e djeshme. Nisur nga kjo, por dhe në rritje të masave të sigurisë, dekani i fakultetit, Dhori Kule, ka urdhëruar që çdo student që shkon për mësim në tri ambientet ku po zhvillohet mësimi, ndërkohë që godina rikonstruktohet, të paraqitet me kartë studenti. Në të kundërt, nuk do të lejohet. Ndërkohë që për çdo emergjencë, një punonjës administrate, nga ora 08:00- 20:00, do të jetë në dispozicion të tyre. Në një reagim, dekani dënon dhunën ndaj studentëve dhe i kërkon Policisë të vërë para përgjegjësisë personat përgjegjës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura