Çfarë po ndodh me pronat?

Apr 10, 2017 | 12:12
SHPËRNDAJE

florian kalajaFLORJAN KALAJA*

Procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave akoma ka mbetur në proces. Ligji që nisi procesin, tashmë 24-vjeçar, daton në vitin 1993 dhe deri më sot numërohen 18 ligje të miratuara, të zbatuara dhe të pazbatuara. Ligji i 18-të është ligji nr. 133/2015 (në vijim ligji i ri), të cilin i njëjti Kuvend e quajti për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, si për të dhënë mesazhin se me këtë nismë të 18-të do të marrë fund procesi-premtim i nisur, por i pambajtur që nga viti 1993.

Çështja që do të marrë vëmendjen e këtij shkrimi nuk është cilësia e ligjit, por është praktika gjyqësore e vendosur si standard nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në vijim KCGJL) për zbatimin e tij, e cila, në vend që të qartësonte dhe të zgjidhte problemet ligjore të keqrregulimit dhe paqartësisë së normave, ka shtuar probleme dhe ka zgjatur në kohë procesin, që vetë ligji ka dashur ta mbyllë përfundimisht në më pak kohë.

Gjatë 24 viteve të zbatimit të 18 ligjeve të miratuara nga Kuvendi, shteti ka dhënë vendime herë me komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronës (qendrore apo ato pranë bashkive), herë me zyrat rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronës, herë me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës (më poshtë AKKP) dhe tashmë, ndoshta për herë të fundit, me Agjencinë e Trajtimit të Pronave (më poshtë ATP).

Sigurisht që çdo njëri nga këto ligje ka parashikuar edhe norma konkrete se si do të goditen gjyqësisht vendimet e kë- tyre organeve, në mënyrë që ish-pronarët të sfidojnë ligjshmërinë e tyre. Si pasojë e të drejtës së çdo ish-pronari për akses në gjykatë, gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë ka aktualisht lëndë shqyrtimi çdo vendim që qytetarët kanë paditur. Ligji i 18-të mbi procesin e pambaruar të kthimit dhe kompensimit të pronës tek ishpronarët ka parashikuar se ligji i mëparshëm shfuqizohet me hyrjen në fuqi të tij.

Ndërkohë, në nenin 29, ka parashikuar se kundër vendimit të ATP-së për njohjen e së drejtës së pronës, palët e interesuara dhe Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi, pranë Gjykatës së Apelit. Leximi i natyrshëm i kësaj dispozite ligjore, e cila ka karakter vetëshpjegues të mjaftueshëm sa për të lënë pa punë edhe juristin, nxjerr si konkluzion se, ndryshe nga më parë, për çdo vendim të ATP-së subjektet e legjitimuara mundet të paraqesin ankim para gjykatës së apelit dhe jo në gjykatat e shkallës së parë, në territorin e së cilës ndodhet pasuria e paluajtshme.

Në të njëjtën kohë, norma përcakton se ankimet e subjekteve të legjitimuara do të mundet të paraqiten në gjykatat e apeleve brenda 30 ditëve. Kjo do të thotë se Kuvendi ka rregulluar nëpërmjet kësaj norme vetëm atë kategori çështjesh gjyqësore që do të gjenerohen nga pakënaqësitë e qytetarëve apo Avokaturës së Shtetit ndaj vendimeve të ATP-së dhe jo ndaj vendimeve të organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave paraardhëse, që janë marrë në bazë dhe për zbatim apo jo të 17 ligjeve të miratuara nga Kuvendi, nga viti 1993 e deri në vitin 2014.

Në të njëjtën kohë, pavarësisht se ligji ka një mal me çështje që kërkojnë interpretim kushtetues, ka qenë koherent qëllimin për t’i hequr mundësinë prapavepruese vetes, duke rregulluar në nenin 3 fushën e zbatimit të tij. Kjo dispozitë, në pikën 1 parashikon se për çështjet e njohjes së pronës ky ligj vepron për të gjitha kërkesat, të cilat janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha, ato kërkesa, të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes së të drejtës së pronës, që do të thotë rishtazi në ATP. Kështu, vetë ligji i heq mundësinë kujtdo organi administrativ apo gjyqësor për të zgjidhur me fuqi prapavepruese çështjet gjyqësore që po gjykohen pranë gjykatave dhe për të cilat ka mbaruar shqyrtimi administrativ në AKKP.

Por, pavarësisht se ligji në dy norma vetëshpjeguese vendos në këtë mënyrë, gjykatat e shkallës së parë dhe KCGJL vendosin ndryshe. Në një vendim të datës 19.12.2016, KCGJL ka argumentuar se, megjithëse dispozita tranzitore e ligjit të ri nuk ka parashikuar kompetencën lëndore të çështjeve në gjykim me objekt vendimet e kthimit të pronave të marra përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri, neni 38 i tij ka shfuqizuar të gjithë ligjin e mëparshëm të pronave dhe, për rrjedhojë, i vetmi ligj në fuqi që atribuon kompetencë lëndore për shqyrtimin e këtyre çështjeve është ligji nr. 133/2015, konkretisht neni 29 i tij, i lartësqaruar. Për rrjedhojë, vijon KCGJL, duke qenë se ligji në fuqi ka parashikuar kompetencën e gjykatës së apelit për shqyrtimin e padive me objekt kundërshtimin e vendimeve të ATP dhe ka shfuqizuar ligjet mbi bazën e të cilave do të zgjidheshin këto konflikte, konkludohet se nuk është më në kompetencën lëndore të gjykatës së rrethit gjyqësor gjykimi i mosmarrëveshjeve mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, por është në kompetencën lëndore të gjykatës së apelit. Të nesërmen e këtij vendimi, të gjitha gjykatat e shkallës së parë, që po gjykonin dhe rigjykonin prej vitesh paditë e qytetarëve ndaj vendimeve të kthimit dhe kompensimit të pronave të marra jo nga ATP, nga viti 1993 deri në vitin 2015, në turravrap vendosën që të hiqen nga kompetenca këto çështje dhe të dërgohen për gjykim në gjykatat e apeleve.

Tashmë të gjitha këto çështje ndodhen në listë pritjeje në gjykatat e apeleve. Sakaq, gjyqë- sisht dhe joligjërisht u shumëzuan me zero të gjitha vitet e gjykimit dhe rigjykimit për këto çështje dhe u vendos që gjykimi i tyre të nisë nga e para në gjykatat e apeleve. Më vonë ndodhi që KCGJL ndryshoi praktikën e vendosur në dhjetor të vitit 2016, duke ndarë kompetencën e gjykatave mbi paditë e paraqitura para hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe paditë e paraqitura pas hyrjes së ligjit të ri në fuqi, pavarësisht faktit se cili organ administrativ i ka marrë vendimet objekt padie. KCGJL në këtë praktikë të re vendosi që kompetente për gjykimin e padive, të paraqitura më parë se të hynte ligji i ri në fuqi, do të jenë gjykatat e shkallës së parë, ndërkohë që për paditë e paraqitura në gjykim pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, kompetente për gjykim do të jenë gjykatat e apelit.

Edhe kjo praktikë e re shfaq probleme. Fillimisht nuk i përgjigjet nenit 29 dhe 3 të ligjit të ri, që kompetencën e gjykatave të apelit e lidh për ankimet e qytetarëve dhe Avokaturës së Shtetit, që kanë pakënaqësi ndaj vendimeve të ATP-së. Më tej, kjo praktikë ka mbetur pa veprim, sepse aq kohë sa u desh të reflektohej nga KCGJL mbi qëndrimin e parë, mjaftoi për gjykatat e shkallës së parë që të hiqeshin nga gjykimi të gjitha çështjet.

Më tej, kjo praktikë e KCGJL ndryshoi praktikën gjyqësore të unifikuar më parë nga Kolegjet e Bashkuara të GJL (Vendimi Unfikues Nr. 4/2014), ku u vendos se çështjet gjyqësore të kthimit dhe të kompensimit të pronës janë çështje civile dhe se ndaj nenit 18 të ligjit të posaçëm mbi kthimin dhe kompensimin e pronës do të prevalojë zbatimi i nenit 41 dhe 45 i Kodit të Procedurës Civile, dispozita që përcaktojnë se këto padi do të gjykohen nga gjykatat në territorin e së cilës ndodhen pasuritë e paluajtshme. Më tej, mbetet e paqartë si do të mundet të zbatohet afati 30-ditor i padisë/ankimit nga gjykatat e apelit mbi çështjet ku qytetarët kanë kundërshtuar vendimet e dhëna nga organet e ndryshme nga ATP, që parashikohet nga neni 29 i ligjit të ri.

Në përmbyllje të problematikës së krijuar nga këto praktika, që shtojnë problemet e zbatimit të ligjit dhe përmbylljes së procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, vlerësoj se KCiGJL neglizhoi të ketë parasysh se ligji që atribuon kompetencën lëndore të gjykatave të rrethit mbi këtë kategori mosmarrëveshjesh nuk janë ligjet e shfuqizuara të kthimit dhe kompensimit të pronave, por është neni 41 dhe 45 i Kodit të Procedurës Civile, i cili është në fuqi dhe nuk është shfuqizuar. Vlerësoj se kjo mënyrë e zbatimit të ligjit ka cenuar në mënyrë të pakthyeshme parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, gjyqtarit natyral dhe të perpetuatio iuridictionis, e për rrjedhojë parimin e gjykatës së caktuar me ligj dhe të së drejtës për proces të rregullt ligjor, gjë që me siguri do të shkaktojë vendime kundër shtetit shqiptar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në të ardhmen. Vlerësoj se kjo mënyrë e zbatimit të ligjit nga KCGJL ka cenuar parimin e sigurisë juridike, duke i dhënë fuqi prapavepruese ligjit të ri të pronave, në kundërshtim me vetë vullnetin e shprehur në mënyrë të vetëshpjeguar nga Kuvendi. Për të zhvilluar skenarin e ardhshëm të pyetjes së vënë si titull të këtij shkrimi, vlerësoj se gjykatat e shkallës së parë me vendimet e tyre pingpong do të shqyrtojnë në të ardhmen të gjitha këto çështje sërish.

Pas gati një viti apo deri në dy vjet, gjykatat e apelit do të fillojnë të marrin në shqyrtim çështjet e ardhura nga gjykatat e shkallës së parë dhe do t’i kërkojnë GJL shfuqizimin e vendimeve të gjykatave të shkallëve të para dhe dërgimin e çështjeve sërish për gjykim aty. Vlerësoj se në të ardhmen, pas mea cupla apo jo, GJL do të pranojë kërkesat e gjykatave të apeleve dhe do të shfuqizojë vendimet e gjykatave të shkallëve të para, duke urdhëruar vazhdimin e gjykimit aty ku ka mbetur. Ndërkohë, një apo dy vite vonesë dhe kalvar pingpongu në gjykimin e këtyre çështjeve nga një gjykatë në tjetrën, për shkak të praktikave gjyqësore të painformuara, do të hanë jetën e ish-pronarëve, që mbetën palë të përjetshme në gjykatë në këtë proces, pa krye dhe gati tridhjetëvjeçar.

Të njëjtat trupa gjykues në shkallë të parë në fund të ditës do të ndjejnë pezëm që s’i hoqën qafe këto çështje më parë dhe që duhet sërish, në vitin e tridhjetë të procesit të kthimit të pronave, të merren me to. Kuvendi sakaq, duke parë se ç’po bëhet në sallat e gjykimit me ligjin e deklaruar të fundëm, ndoshta do të bëjë gati ligjin e 19-të, ndoshta të fundit.

*Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura