Çfarë po ndodh me monumentet e natyrës sonë?

Feb 24, 2021 | 9:27
SHPËRNDAJE

perikli-qiriaziPROF. DR. PERIKLI QIRIAZI

Monumentet e natyrës janë zona apo objekte me vlera unike; një habitat i një lloji bimor apo shtazor endemik, relikt, të rrallë, të kërcënuar, me rëndësi të veçantë. Ato përbëjnë kategorinë e tretë të zonave të mbrojtura, por, sipas ligjit, për rëndësinë e jashtëzakonshme, gëzojnë mbrojtjen e kategorisë së parë, sipas së cilës ndalohen: tjetërsimi i vlerave për çfarëdolloj qëllimi ekonomik; punime e veprimtari që i çnatyrojnë dhe cenojnë evolucionin e tyre natyror. Menaxhimi shkencor dhe shfrytëzimi i tyre, me leje mjedisi, bëhet vetëm për qëllime shkencore, ekologjike, kulturore, historike, turistike, kuruese, didaktike, fetare.

Si është gjendja e monumenteve të natyrës në Shqipëri?

Para vitit 1990, me monumentet e natyrës u morën pylltarët. Sipas konceptit të kohës, u shpallën vetëm objekte të natyrës së gjallë dhe prej tyre u përjashtuan vlerat fetare. Ligji nr. 4927 i vitit 1971 hapi rrugën e shpalljes së monumenteve të natyrës. Deri në vitin 1996, u shpallën 286 monumente natyre (drurë dhe grumbuj pyjorë me sipërfaqe 460 ha).

Të panjohur, të harruar e pa status ruajtjeje dhe administrimi, shumë monumente natyre u dëmtuan deri në zhdukje. Ndaj, studiues të natyrës (gjeografë, biologë, pylltarë, gjeologë, hidrologë etj.), në vitet 1996-2000 ndërmorën projektin “Monumentet e natyrës së Shqipërisë”, të drejtuar nga ambientalisti i dëgjuar Lekë Gjiknuri dhe autori i këtij artikulli. Rezultatet kryesore të studimit ishin: koncepti iri i monumentit të natyrës, që përfshin objekte të natyrës së gjallë (drurë e grupe drurësh, biotope të llojeve endemike, të rralla, të rrezikuara apo relikte) dhe jo të gjallë (forma dhe peizazhe, kanione, gurë me forma të veçanta, shpella, ujëvara, burime, liqene akullnajore e karstike etj.); u studiuan dhe u vlerësuan 516 objekte të reja natyrore me vlera unike, të cilat, të argumentuara shkencërisht, u propozuan për statusin e monumentit të natyrës. VKM nr. 676, i vitit 2002 miratoi këtë propozim dhe vendi ka tani listën e monumenteve të natyrës, të përbërë nga biomonumente dhe gjeomonumente.

Pas vitit 1990, në bashkëpunim me grupe speleologjike të huaja, filluan eksplorimet e shpellave karstike, të cilat zbuluan mbi 2000 shpella, një pasuri kjo e madhe për vendin. Por kushtet e përshtatshme të formimit të tyre flasin për ekzistencën e mijëra shpellave të tjera. Dallohen: Shpella e Zezë (6.3 km e gjatë) dhe e Shtarës (rreth 5 km) në Curraj të Epërme; shpella e Pucit afër Bogës (5 km e gjatë dhe me pesë kate) etj. Për disa shpella u krye dokumentimi shkencor dhe planimetria, të vlefshme për studiuesit dhe kthimin e tyre në turistike, ndërsa disa u shpallën monumente natyre.

Ndërkohë, u sigurua mbështetja ligjore dhe institucionore e mbrojtjes së trashëgimisë sonë natyrore: tri ligje të zonave të mbrojtura (2002, 2008 dhe 2017) shumë VKM; Ministria e Mjedisit dhe AKZM me agjencitë e saj rajonale etj. Mbi këtë bazë u shpallën shumë zona të mbrojtura, që zënë 17,6 % të vendit dhe u organizua mbrojtja e menaxhimi i tyre.

Vazhdoi studimi i monumenteve të natyrës, që u konkretizua me botimin e monografive, artikujve, broshurave, hartave, albumeve dhe CD-ve etj. Këto botime u mirëpritën nga studiues të natyrës, ambientalistë, menaxhues të pasurive natyrore, operatorë turistikë dhe turistë, mësues, nxënës, studentë, media etj., por jo nga ata që e kanë detyrë mbrojtjen e menaxhimin e tyre: organet e mbrojtjes së mjedisit e të pushtetit qendror e vendor.

Për fat të keq, vazhdoi dëmtimi dhe shkatërrimi i monumenteve të natyrës. Nga verifikimi i tyre, rezultoi se në vitin 2006 realisht kishin mbetur vetëm 697, pa plan menaxhimi, jashtë vëmendjes së pushtetit vendor, i cili nuk i di vlerat e natyrës të territorit që administron. Nuk njihet koncepti i monumentit të natyrës. Ndaj, në Rrapin e Bezistanit (Elbasan) dhe në Bredhin e Vishnjës (afër Dardhës), kanë vënë tabelën “Monument Kulture”.

Pas kaq vitesh, AKZM kreu inventarizimin e ri (2019). Tani, lista numëron 719 monumente natyre. Por, duke zbatuar kritere, kryesisht joshkencore, u hoqën shumë monumente natyre. U hoqën monumentet, të cilat nga dëmtimi i rëndë, në shumicën e rasteve nga veprimtaria e gabuar njerëzore, humbën vlerat e tyre. Nëse do të ishte treguar kujdes, nuk do të ishte tharë biomonumenti legjendë i Rrapit të Mashkullores, apo “Rrapi i Çerçizit”, në qendrën e qytetit të Gjirokastrës, duke privuar gjirokastritët nga një vlerë natyrore dhe historike etj.

Nga mosnjohja u hoqën monumente me vlera të mëdha shkencore, ekologjike, kulturore, didaktike etj., si: disa tarraca detare (Kusbabait, Dajtit etj.), që dëshmojnë për evolucionin gjeologjik e gjeomorfologjik të territorit; liqeni akullnajor i Gramozit; Fortesa e Kelmendit, Pllakat e Sarandës, disa forma dhe shpella karstike etj.

Por u hoqën edhe monumente, të cilat shteti nuk mundi t’i mbronte. Veçojmë: 1) plazhin e Gjeneralit (Kavajë), i quajtur “materniteti i breshkave të detit”, ku turizmi kaotik shkeli ligjin e zonave të mbrojtura dhe konventat botërore të mbrojtjes së kësaj specie, globalisht të rrezikuar, dhe hoqi mundësinë e zhvillimit pranë tij të turizmit të spektakleve biologjike, të dhuruar nga kjo breshkë; 2) Syrin e Kaltër (Delvinë) perlë e rrallë, e tjetërsuar nga turizmi kaotik; 3) karstin e qafës së Dëvries (Skrapar), të shkatërruar nga gurorja, dhe shumë të tjera.

Kjo flet jo vetëm për moszbatim të ligjit, por edhe për mungesë të strategjisë së menaxhimit të monumenteve të natyrës; për mosnjohjen e vlerave dhe rëndësisë së tyre. Nëse do të vijohet kështu, do të zhduken përgjithmonë vlera natyrore të çmuara dhe të pakthyeshme.

MONUMENTET E NATYRËS – OBJEKTE ME VLERA TË RRALLA

Vlerat unike të monumenteve të natyrës lidhen me specifikën e veprimit të ligjësive natyrore. Prej tyre rrjedh rëndësia e madhe e monumenteve të natyrës: burim i pasur informacioni shkencor për shumë shkenca, (gjeologji, gjeografi, hidrologji, biologji, arkeologji etj.); laboratorë natyrorë, ku nxënësit e studentët e gjithë të tjerët marrin njohuri shkencore e kulturë; burim i edukimit ekologjik (bokërimat ose “shkretëtirat e lagura”, të krijuara nga erozioni, që ka degraduar e zhdukur mbulesën bimore të tokave, duke nxjerrë në sipërfaqe shkëmbin steril rrënjësor, janë shembuj të “hakmarrjes” së natyrës për shfrytëzimin e egër të bimësisë dhe të tokës nga njeriu, duke i bindur vizitorët për rrezikun e gabimeve të mëdha njerëzore); burim i të ardhurave, kur ato përfshihen në programet e zhvillimit të qëndrueshëm; mirëmbahen e mbrohen me rreptësi dhe promovohen vlerat e tyre. Përvoja e botërore tregon se ato janë objektet natyrore më të vizituara nga turistët. Dallohen shpellat karstike.

Njëherazi, shumë monumente natyre janë bërë pjesë e botës shpirtërore të banorëve, por dhe objekte të shenjta, ku kryhen rite fetare. Kjo vlerë e tyre njihet pak. Ndaj po flasim më gjerë.

Monumentet e natyrës u japin kënaqësi shpirtërore të gjithë vizitorëve që shijojnë vlerat e tyre, sidomos estetike. Janë të paharrueshme ndjesitë që përjeton kur shikon misteret dhe mrekullitë e kristaleve të botës së nëndheshme në një shpellë karstike; kur viziton kanionin e Valbonës apo të Osumit; ujëvarat e famshme të Thethit apo të Sotirës; peizazhet karstike që ngjasojnë me hojet e bletëve në Malin me Gropa, Bjeshkët e Oroshit etj; burimet apo liqenet akullnajore, këta “sy blu” të natyrës dhe shumë mrekulli të tjera natyrore.

Me formën e tyre të çuditshme, shumë monumente natyre kanë tërhequr vëmendjen e njeriut, i cili u ka veshur atyre fuqi të mbinatyrshme, duke i kthyer në objekte për rite fetare, si: shpella e Shën Marenës në Mokër për ortodoksët; shpella e Shën Andout (Laç) e Guri i Shenjtë (Pukë) për katolikët; shpella e Sarisalltëkut në Krujë dhe Gjurma e Abaz Aliut në buzë të kanionit të Osumit dhe në Kulmak, për besimtarët bektashinj etj. Pranë disa monumenteve të natyrës, nuk mungojnë as ritet pagane. Dallohen burimet e kripura të Golemasit (Bashkia Kavajë), ku shkojnë vajzat e nuset e reja për të parashikuar realizimin e dëshirave të tyre, sipas forcës së shpërthimit të “papazëve”, siç i quajnë vendasit këto burime.

Rrepet në qendrën e qytetit ose të fshatit, apo Guri i Qytetit në Përmet dhe shumë të tjerë janë kthyer në simbol identifikues për banorët e tyre. Kjo, sepse kanë shërbyer si pikënisje e rritjes së qendrës së banuar; nën hijen e tyre janë zhvilluar biseda, takime e kuvende të mëdha, ku janë marrë vendime të rëndësishme. Duke u përcjellë nga brezi në brez, ata janë bërë pjesë e pandarë e botës shpirtërore të bashkësisë, e lidhjeve shpirtërore të saj me vendbanimin. Këto shprehen në forma të ndryshme: përpara se ta çojë nusen në shtëpi, djali në Leskovik i bën një shëtitje përreth rrapit shekullor në qendër të qytetit; për toka kujdes të posaçëm. Përreth rrapit është ngritur infrastrukturë: vende për t’u ulur, çezma, lule, tabela sqaruese dhe për njoftime.

Shembull i shkëlqyer i lidhjeve të forta shpirtërore midis popullsisë dhe monumenteve të natyrës të tyre është rasti i rrapit shekullor në qendër të fshatit Zhulat (Bashkia Gjirokastër), i cili, më shumë për shkak të moshës, u rrëzua. Por banorët nuk mund të ndaheshin nga kjo vlerë shpirtërore e tyre. Ndaj, me kontribut të përbashkët, siguruan mjete financiare për skulptorin, i cili, në drurin e tij, gdhendi përmendoren e Papa Zhulit, që ngrihet në vendin e rrapit shekullor.

Druri, kryesisht rrap, në qendër të fshatit apo qytetit, është traditë në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare: rrapi 1100-vjeçar në Ohër, rrapi në Prizren, Libohovë, rrapi i Qytetit (Shën Mërisë në Korçë), rrepet e Paramithisë (Çamëri) etj.

Nuk është e rastit që pranë pothuajse të gjitha objekteve të kultit ka drurë apo grumbuj drurësh, që janë mbetje të pyjeve të dikurshme, të ruajtura nga banorët, sepse i konsiderojnë ato të shenjta. Shembujt janë të shumtë: Rrapi i Palasës, mbi 300-vjeçar, Lisat e Pilurit (pylli i Shënkollit), rrapi i Xhamisë (Vlorë), Dushqet e Manastirit (Ardenicë), Selvia e Teqesë (Fushë-Krujë), Lisi i Vakëfit (Mallakastër), Lisi i Baba Fetahut (Skrapar), Qarri i Xhamisë (Kryezi të Pukës), Mrizi i Shënaprenës (Mirditë) etj. Grumbujt e vegjël të veçuar të valanidheve, në afërsi të Himarës, Qeparoit etj., janë mbetje të pyjeve të mëdha të dikurshme që vishnin Rivierën. Por mbishfrytëzimi i tyre, sidomos për ndërtimin e anijeve që nga ilirët e deri në periudhat e vona historike, i degradoi vazhdimisht pyjet masive deri në gjendjen aktuale, kur kjo bimë është e rrallë dhe në rrezik zhdukjeje. Si të rrallë dhe të dobishëm, valanidhet shpesh janë bërë pjesë e pajës së nuseve.

Pylli i Butrintit, rreth 17 ha, midis monumenteve të rralla kulturore, siç thekson ing. Kristo Kauri, të mahnit me madhështinë e vitalitetin, misteret e larminë e habitateve të dafinës, prrallit, ilqes, vidhit, rrënjës, frashërit, lofatës, bungës, qarrit, mretes, koçimares, urthit, morenxës dhe të shumë lianeve, që kacavirren nëpër drurë. Ky pyll shumë i dendur, plot jetë, përbën një xhungël të vërtetë subtropikale, një mbetje të pyjeve të dikurshëm me shtrirje shumë më të madhe në Rivierën tonë, të zhdukur në shekuj nga prerjet abuzive, zjarret dhe mbikullotja.

Pylli i Maliqit (rezervati) është një relikt i ekosistemit ligatinor të kënetës së Maliqit, të bonifikuar në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Për këtë dhuratë të çmuar, që na njeh me gjendjen e dikurshme të këtij ekosistemi, ne duhet t’i jemi mirënjohës specialistit të mençur, që propozoi që të ruhet një copëz e ekosistemit ligatinor të Maliqit.

Me mrekullitë estetike, shumë monumente natyrore janë bërë burim frymëzimi për poetët e artistët. Për këtë flet habitati i bimës natyrore barishtore Belisma (Chrysopogon distachyos L), afër fshatit Pilur (bashkia Himarë), në Vumblo ose “Belisma”, si e quajnë banorët. Kjo bimë elegante rritet deri rreth 70-80 cm lartësi dhe lulëzon në dimër. Kur fryn erë, ajo krijon një dallgëzim të bukur që ngjason me lojën e valëve. Eleganca e saj, thekson poeti e studiuesi Timo Mërkuri, frymëzoi poetë dhe këngëtarë virtuozë të Pilurit, që e kanë materializuar atë në vargje dhe melodi të rralla, si një metaforë të goditur për vajzën e dashuruar. Me të lidhet kënga e famshme “Belisma”, me tekst të poetit Kristo Çipa dhe të kënduar nga grupi polifonik i Pilurit, i quajtur “Bejkë e Bardhë”, sipas këngës së legjendës së polifonisë labe, Lefter Çipa. Marrësja e talentuar Zaharulla Koka e udhëheq grupin në një “valëzim” melodioz, të njëjtë me valëzimin e belismës. Për ëmbëlsinë e zërit melodioz dhe elegancën e saj, sipas zakonit në Pilur, Zaharullën e thërrasin “Belisma”.

Krahas vlerave shpirtërore, të analizuara nga studiuesi Timo Mërkuri, habitati i Belismës ka edhe vlera natyrore, sepse përbën stadin e fundit të evolucionit të mbulesës bimore të Rivierës sonë, që, si u tha, dikur ishin të veshura me pyje të dendura. Por mbishfrytëzimi degradoi pyjet, duke i shndërruar në fillim në shkurre mesdhetare, në vazhdim në friganë dhe më pas në livadhe me bimësi barishtore, si belisma etj. Nuk mungojnë as shkretëtirat gurore të lagura, ku është zhdukur edhe bimësia barishtore. Habitatet e gjallesave, që shprehin stade të evolucionit të botës së gjallë, përbëjnë një nga kriteret kryesore për statusin e zonës së mbrojtur.

Sipas Konventës Botërore të Trashëgimisë, zonat e mbrojtura vlerësohen për vlerat natyrore dhe kulturore. Habitati i Belismës, me vlera të dyfishta natyrore dhe kulturore e shpirtërore, i plotëson kriteret për statusin monument natyre. Propozimi ynë për këtë status u mbështet nga intelektualë të dëgjuar piluriotë, të cilët filluan procedurat për ta shpallur monument natyre habitatin e Belismës. Së bashku me monumentin tjetër të natyrës, Lisat e Pilurit, do të jenë dy vlera të tjera të Pilurit, që do t’i rritin atraksionin turistik dhe krenarinë e ligjshme të pilurioteve.

Krahas të tjerave, në vlerësimin e monumenteve të natyrës, duhet të hulumtohet rëndësia shpirtërore, lidhja e tyre me legjenda, rite fetare e pagane, apo ngjarje historike. Sepse kështu njihet dhe ruhet më mirë bota jonë shpirtërore dhe historia; evidentohet dhe rrënjoset më tej identiteti ynë kombëtar, traditat tona të pasura, ndërsa monumenti bëhet shumë më interesante për t’u vizituar. Ky aspekt është prekur shumë pak në studimet tona. Ndaj, duhet të studiohen të integruara trashëgimia natyrore dhe kulturore që plotësojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Jo vetëm kaq. Natyra jonë e larmishme dhe me evolucion të ndërlikuar ka edhe shumë objekte të tjera me vlera, ende të panjohura, që meritojnë statusin e zonave të mbrojtura. Institucionet shtetërore mjedisore, krahas mbrojtjes së tyre, duhet të mbështesin studiuesit, që të evidentojnë e t’i propozojnë këto objekte për statusin që meritojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura