Çfarë po ndodh me kreditë afatgjata? Të dhënat e Bankës së Shqipërisë: Tani përbëjnë 60% të portofolit të bankave

Jan 28, 2022 | 13:50
SHPËRNDAJE

Pesha e kredisë afatgjatë në portofolin e sektorit bankar u rrit më tej vitin e kaluar.

kredia banka

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2021 pesha e kredisë afatgjatë (me maturim mbi pesë vjet), kundrejt totalit arriti në 60%, nga 58.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë vitit 2021, kredia afatgjatë kishte arritur një peshë edhe më të lartë, duke shënuar një rekord prej 60.7% në fund të muajit qershor. Sidoqoftë, gjatë viteve të fundit ka një tendencë të qartë të rritjes së peshës së kësaj kredie në strukturën e kredisë bankare. Kjo rritje është e lidhur shumë me orientimin më të madh të sektorit bankar drejt produkteve që mbështesin kryerjen e investimeve. Në vlerë, portofoli i kredive afatgjata preku shumën e 390.2 miliardë lekëve në fund të nëntorit 2021, me një rritje prej 12.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Kreditë më tipike afatgjata janë ato që shkojnë për financimin e blerjes apo ndërtimit të pasurive të paluajtshme, qoftë nga ndërmarrjet apo nga individët. Kredia për këto qëllime në vitet e fundit është rritur me ritme të larta, e nxitur nga cikli i ri i lulëzimit të tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe nga një ofertë e lartë e bankave në këtë segment. Kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, sidomos ato në segmentin rezidencial, kanë ndër raportet më të ulët të kredive me probleme për bankat tregtare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për blerje banesash nga individët ka arritur vlerën totale të 144 miliardë lekëve ose rreth 1.2 miliardë eurove. Ky produkt tashmë ka peshën kryesore në portofolin total të kredisë bankare dhe ka arritur një ritëm në rritjes vjetore prej 13.8%, në fund të nëntorit 2021. Me ritme të shpejta po rritet edhe kredia për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve, që ka arritur në 110 miliardë lekë, në rritje me 11.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Zgjerimi në tregun e kredive hipotekare është targetuar si një mekanizëm që mundëson një shpërndarje të mirë të riskut kreditor, por që mundëson edhe një rritje afatgjatë të biznesit. Kreditë hipotekare dhe ato afatgjata në përgjithësi kanë një amortizim më të ngadaltë në kohë dhe ofrojnë një qëndrueshmëri më të madhe të rritjes së kredisë.

Kjo përfaqëson një lloj përmbysje nga tendenca që mbizotëronte deri në vitin 2016, kur kreditimi dominohej kryesisht nga financimet për nevoja afatshkurtra të biznesit, në formën e overdraftit apo kredisë për kapital qarkullues. Këto kredi kanë afate të shkurtra maturimi, deri në një vit, fakt që i vendoste bankat para nevojës për të ripërtërirë me një frekuencë mjaft të shpeshtë një pjesë të madhe të portofolit të tyre të kredisë.

Deri në vitin 2017, portofoli i kredisë së sektorit bankar dominohej nga kredia aftashkurtër dhe afatmesëm. Kjo reflektonte sidomos një peshë të lartë të kredive për qëllime likuiditeti dhënë bizneseve, në formën e overdrafteve apo huave për kapital qarkullues. Këto kredi kanë një cikël më të shkurtër dhe i vendosin bankave para nevojës për një rifinancim më të shpeshtë të portofolit. Gjithashtu, linjat e kredisë për likuiditet për bizneset përgjithësisht kanë mesatare më të mëdha, duke sjellë edhe përqendrime më të larta të rrezikut kreditor në huamarrës të veçantë./Monitor


Burimi: BSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura