Çfarë po ndodh me diabetin?

Nov 14, 2018 | 12:23
SHPËRNDAJE

SHEFQET DELIALLISI

download

“Diabeti – thekson presidenti i Federatës Botërore të Diabetit (IDF) – nuk është vetëm një krizë shëndetësore, por një katastrofë sociale globale”. Studimet e fundit tregojnë se numri i njerëzve me diabet në botë është 425 milionë. Projeksioni për vitin 2030 është 552 milionë! Në vitin 2017, kostoja e Kujdesit Shëndetësor për diabetin dhe komplikacionet e tij në mbarë botën do të jetë 723 bilionë dollarë. Shifrat janë alarmante.

DY ANË TË MEDALJES…

Nga njëra anë vërehet progres i madh në thellimin e dijeve mbi diabetin, trajtimin mjekësor të tij. Pafund studime për mekanizmat, epidemiologjinë, strategjitë farmaceutike…

Nga ana tjetër, dështim i plotë në frenimin e epidemisë botërore të diabetit…Një “tsunam” i vërtetë, me pasoja sociale dhe ekonomike shkatërrimtare, në mënyrë të veçantë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Vende ku ndodhen 80% e njerëzve me diabet, për më tepër vende ku diabeti nuk trajtohet si duhet, nga pamundësia e mjekimeve të avancuara prej disavantazheve sociale.

Ky “tsunam” po përhapet me shpejtësi në mbarë botën, pa dyshim do përfshijë (madje tashme ka filluar) edhe Shqipërinë…

Por a jemi në rrugën e duhur për ta frenuar ?

Bota është duke fituar betejën për uljen e nivelit të sheqerit në gjak, por duke humbur betejën me diabetin. Le të mendojmë për një çast sikur me një kovë në dorë na duhet të zbrazim një pishinë, e cila vazhdon pa u ndalur të mbushet me ujë. Sigurisht që më parë duhet të mbyllim furnizimin me ujë.

Përqendrimi te Kujdesi Mjekësor në luftën kundër diabetit, s’është zgjidhja. Ai mund të zgjasë jetën për shumë njerëz me diabet, por nuk frenon epideminë. Pishina vazhdon pa pushim të mbushet !

A MUNDEMI NE TA NDRYSHOJMË DIABETIN ?

Në një Kongres europian të Diabetit, disa vite më parë në Barcelonë, më tërhoqi vëmendjen slogani : “Diabeti po ndryshon botën. A mundemi ne ta ndryshojmë diabetin?!”

Një keqkuptim ekziston. Shëndeti reduktohet dhe keqparaqitet si Kujdes Mjekësor. Kjo bën që politikat për shëndetin të keqndërtohen si politika të Kujdesit Mjekësor. Kjo ka bërë që politikanët t’u shmangen problemeve të shëndetit, duke ia faturuar domenit mjekësor, duke e shmangur fokusin nga forcat sociale dhe politike që krijojnë shëndetin dhe sëmundjen.

Politikat shëndetësore duhet të shkojnë përtej sigurimit dhe financimit të Kujdesit Mjekësor.

Shumë nga faktorët që shkaktojnë diabetin janë socialë dhe ekonomikë, jashtë sektorit shëndetësor. Dhe ndryshimi i tyre kërkon aktivizimin jo vetëm të institucioneve të kujdesit mjekësor. Përtej tyre kërkohet aktivizim i fuqishëm i Shëndetit Publik, aktivizim të fuqishëm të qeverive.

Qeveritë duhet të luajnë një rol aktiv në nxitjen e një ambienti që mbështet rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, monitorim të tregut ushqimor, lehtësim të iniciativave komunitare që nxisin ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik. Por vetëm mesazhi “Hani ushqime të shëndetshme, mos hani me tepricë, bëni jetë fizikisht aktive, nuk mjafton”. Ushqyerja e shëndetshme në mjedisin e sotëm është si të notosh kundër rrymës. Shumica e njerëzve kanë nevojë ta njohin shkencën e ushqyerjes. Të aftësohen për të përzgjedhur ushqimet e duhura, të spostojnë konsumin drejt ushqimeve më të shëndetshme. Qeveritë duhet të financojnë fushatat që promovojnë shprehi të shëndetshme, të subvencionojë koston e ushqimeve me pak kalori për t’i bërë ato të aksesueshme edhe për familjet me të ardhura të ulëta, të vendosë taksa për pijet dhe ushqime të pashëndetshme.

Një sfidë të rëndësishme, tepër urgjente, përbën krijimi i mundësive për aktivitet fizik. Ambientet e banuara duhet të ndërtohen në mënyrë që të kenë rrugë për këmbësorë, rrugë për biçikleta, parqe, kampe sportive, hapësira pa makina. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme edhe për shkak të migrimit të njerëzve nga zonat rurale drejt qendrave urbane. Argëtimi urban duhet të jetë jo vetëm i mundshëm, lehtësisht i aksesuar, por dhe në zona të sigurta për fëmijët, kërkesat e të cilëve për ushtrime fizike janë më të mëdha. Ndërtuesit nga njëra anë duhet të stimulohen për krijimin e ambienteve të shëndetshme, nga ana tjetër duhet të penalizohen kur shkelin kondicionet urbanistike.

Pra, përqendrimi i luftës kundër diabetit vetëm në trajtimin medikamentoz, qoftë ky dhe i përkryer, jo vetëm që nuk zvogëlon përmasat e problemit, por zvogëlon rolin e individëve, përjashton komunitetet, shkollat, planifikuesit urbanë, potenciali i të cilëve për frenimin e epidemisë së diabetit është i rëndësishëm.

Gjeneratat e ardhshme s’mund të jenë përjetësisht të dënuara prej stilit diabetogjenik të jetesës. Së pari, duhet të fokusohemi te fëmijët. Në pamje të parë mund të duket paradoksale, që për një çrregullim si diabeti, karakteristik për moshat e rritura, të fokusohemi te fëmijët. Por e vërteta është se janë pikërisht këto mosha kur formohen shprehitë, moshat kur mbillet fara e diabetit.

POR LE TË KTHEHEMI NË “SHTËPINË” TONË…

Tashmë drejt epidemisë së diabetit po vrapon me shpejtësi edhe Shqipëria, ku veç përmasave epidemike, diabeti nuk trajtohet edhe si duhet. Ndryshe nga shumë vende, ne ende nuk kemi një strategji kombëtare për luftën kundër diabetit. Ne ende nuk kemi një regjistër kombëtar për diabetin. Ne ende nuk kemi mjekë të familjes të përgatitur për të trajtuar si duhet diabetin. Sigurisht që, të bëhen të gjitha kërkojnë “para”, por shumë, shumë, më pak se trajtimi i komplikacioneve të diabetit. Mjafton të përmendim rritjen progresive shumë të madhe të nevojave për dializë nga dëmtimi i veshkave prej diabetit, që po gllabëron pjesë të konsiderueshme të fondeve të shëndetësisë, që me ritmet që priten në të ardhmen e afërt do të bëhet ekonomikisht e papërballueshme. Dhe mendoni që veshkat janë vetëm një prej komplikimeve të diabetit.

Të gjitha këto probleme, sigurisht që nuk mund të zgjidhen nga pak mjekë specialistë që merren me diabetin.

DUKE E MBYLLUR

“Nëse jemi për të bërë ndonjë përparim në ndalimin e rritjes së diabetit, – thotë Dr. Margaret Chan, drejtore e Përgjithshme e OBSH (2013-2017), – ne duhet të rishohim jetën tonë të përditshme: për të ngrënë shëndetshëm, për të qenë fizikisht aktivë dhe për të shmangur peshën e tepërt. Edhe në vendet më të varfra, qeveritë duhet të sigurojnë që njerëzit të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhje të shëndetshme dhe sistemet shëndetësore te jenë në gjendje për të diagnostikuar dhe trajtuar njerëzit me diabet”.

E vërtetë është që diabeti po ndryshon botën. Por edhe ne mundemi ta ndryshojmë diabetin.

Por… duhet të lëvizim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura