Çfarë nuk u dëgjua në TV/ Topalli- Bushatit: Mbylle gojën mor ti amator

Feb 13, 2016 | 10:29
SHPËRNDAJE

Parlamenti është përfshirë dje në debate të ashpra mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të demokratëve, Sali Berisha, për qëndrimin kundër draftit të qeverisë për Byronë Kombëtare të Hetimit. Kryeministri Rama ka kërkuar nga Berisha që të shprehet përse opozita ndryshoi qëndrim për projektligjin e Byrosë, i cili u hartua në bashkëpunim me ekspertët amerikanë.

Rama ka sulmuar ashpër Lulzim Bashën, duke e quajtur si “administratorin e kopshtit pa drekë” dhe që “s’mban përgjegjësi për ato që bën”. Por gjatë debatit, Berisha dhe Rama e kanë quajtur njëri-tjetrin si “gënjeshtar”, të cilët nuk kanë respektuar dakordësinë për projektligjin e Byrosë.

jozefina-topalli-dhe-ditmir-bushatui

Sali Berisha: Dua të dënoj me ashpërsi aktin tuaj të papërgjegjshëm që urdhëroni antenat tuaja në media për të nxjerrë në prag të kësaj vizite korbën e zezë të shqiptarëve, Nexhmije Hoxhën, në një emision televiziv prej 3 orësh.

Edi Rama: Për ty Enveri jeton akoma…

Sali Berisha: Nexhmije Hoxha është dora e zezë, një kriminele pothuajse e të njëjtit kalibër me të shoqin, pasi, pas debilosjes së të shoqit, ishte Nexhmija, të gjitha ato purga, pushkatime, spastrime… Unë mendoj se kjo nuk mund të ndodhte në asnjë rrethanë, nuk mund të ndodhte kurrë në prag të vizitës së Sekretarit të Shtetit.

Edi Rama: Lëre Nexhmijen se t’i ka shpjeguar Andi Bushati aq mirë çështjet e Nexhmijes dhe të tjerëve në Bllok, është edhe dëshmitar okular i përpjekjeve të tua me valixhe druri, thotë ai, po unë nuk di a me dru arre apo lajthie…

Sali Berisha: Përsa u përket fjalëve të tij, me valixhe druri apo valixhe hekuri, ose pa valixhe fare, parajsën e etërve tuaj jua thërrmuam, jua bëmë copë e çikë.

Edi Rama: S’po merrem me gratë e jetës tënde, llogarite, ke bërë xhiro me varkën e Sulo Gradecit, i ke rënë liqenit rreth e rrotull, vetëm që të shihje nga larg Nexhmijen kur dilte atje të ndente rrobat.

***

Edi Rama:  Gënje për këto punët e brendshme, por mos gënje për marrëdhëniet ndërkombëtare… Gënje sa të duash për të mbuluar mungesën e kapaciteteve të birit tënd politik, që e ke lënë aty të administrosh kopshtin. Merre në takim me prindër, në çdo takim që bën me partnerët, por, të lutem shumë, mos e lër vetëm se të turpëroi edhe ty. Të mjafton turpi që ti i krijon vetes vetë, jo më të mbash edhe turpin e tij…

Sali Berisha: Unë të përgëzoj ty që fole sot më me zemër dhe e kuptoj që këtë sot e ke nga prania në sallë e zotit Manjani…

Edi Rama: Ju shmangët detyrimin që të flisni këtu për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe për mashtrimin e madh publik që bashkë me administratorin e kopshtit pa drekë keni bërë, duke i rënë komplet ndesh të vërtetës.

Flamur Noka: Ne jemi dakord me Byronë po të jetë në varësi të kryeprokurorit, jo Saimir Tahirit… S’ka Byro për Samir Tahirin.

Edi Rama: Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament, është drafti me të cilin jeni dakordësuar ju, 100%… Ju tjerët që në kopshtin pa drekë, s’ju japin as drekë, ka mundësi të mos merrni përsipër të flisni se nuk dini asgjë.

Jozefina Topalli: Tërhiqi vëmendje, të flas brenda etikës…

Edi Rama: Jozefinë, mos fol për etikën se ti e di më mirë se të tjerët se në dorë të kujt ka ngelur Partia Demokratike. Të paktën mos bëj hipokrizi këtu, sepse dihet botërisht se çfarë mendimi ke për administratorin e kopshtit.

Shpëtim Idrizi: Ju lutem mos ndërhyni se zoti Berisha mori vetëm mbështetje dhe përshëndetje.

Edi Rama-Jozefina Topallit: Ti e di ça po heq dhe ti e di si po mbahesh… Dhe mos ma bëj me shenjë që të ndaloj, mos më ngacmo… Jozefinë, këtu çështja e Byrosë asht bërë një çështje shpifjesh dhe gënjeshtrash. Pasi ne kemi miratuar draftin e dakordësuar jo 99%, por 100% të dakordësuar me ju, jo me ty, po nuk e di se me kë, se nuk dihet kujt i ka ngelur në dorë ajo parti, tani ju dilni dhe thoni një gënjeshtër edhe më të madhe, që ky është drafti që më nxori mua cullak, unë për të dal cullak nuk kam nevojë të bëj drafte me ju…

(Deputetët qeshin me të madhe)

Edi Rama: Sali, çohu këtu dhe thuaj të vërtetën për Byronë Kombëtare të Hetimit. Dil këtu dhe thuaju shqiptarëve të vërtetën. Mos bëj gabimin të gënjesh prapë, sepse do të ballafaqoj me fakte të shkruara, që pastaj jo të tërhiqesh siç thua ti, se për t’u tërhequr, ti nuk tërhiqesh kurrë, je si ai që s’e lë muri…

Sali Berisha: Unë nuk fola sepse m’u tha se është një marrëveshje e dakordësuar për të mos folur sot për këtë çështje. Cilido që të dojë, unë jam i gatshëm t’i jap dokumentin. Dhe unë, kur jam në procese negociatash…

Edi Rama: S’ka asnjë negociatë me ne!…

Sali Berisha: S’ka, dakord që s’ka, e shoh që s’ka negociata… Një nga juristët më të mëdhenj të kohës së sotme, ish-drejtor i institutit “MaxPlan”, ndofta instituti më prestigjioz që ka toka gjermane, ish-këshilltar i qeverive gjermane apo SHBA-ve. Ky zotëri, kur u njoh me konceptin e tij (Ramës) të Byrosë, mënyrën e ndërtimit të saj, në mënyrë të revoltuar doli në mediat shqiptare dhe tha se kjo nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik.

Ditmir Bushati: Si e ka emrin ky?

Sali Berisha: Po thua të them emrin, ju jeni aq të dobët, nuk njihni asgjë, ju njihni vetëm letra bixhozi, nuk njihni shkencëtarë. Profesor Frouar…

Ditmir Bushati: Nuk është profesor ai…

Sali Berisha: Rri ti, se ti nuk njeh ti. Ku e ke atë shokun tënd, Genti Xhixhën në Kubë?!

Sali Berisha: Ky profesor është një nga tre personalitetet që u zgjodh nga Bashkimi Europian si një nga tre të urtët e Europës për të shqyrtuar rastin e Austrisë.

Ditmir Bushati: Po e ke paguar këtë ti…

Jozefina Topalli i bërtet Bushatit: Po mbylle mor gojën ti…

Sali Berisha: Po ti je një turp i madh more, je dhe ministër. Gjë e turpshme që flet në këtë mënyrë, po s’paguhet kurrë ai. Ka pasur kontratë për të mbrojtur Kosovën në Hagë si një vigan i vërtetë, dhe ka fituar gjyqin së bashku me avoketër të tjerë. E ka paguar kombi shqiptar, po ti s’je njeri absolutisht!…

Jozefina Topalli: Ti je një amator…

Sali Berisha: Të ka ardhur keq ty që ka mbrojtur Kosovën, ti je i turpshëm… Për Byronë u bë drafti i dytë, i cili pasqyronte një fakt, kryesimin nga prokurorë të ekipit antikorrupsion, por e vendoste në varësi të Saje qorrit. Por unë, absolutisht, 100 herë përpara ia jap Shullazit… Shullazit ia jap!…

Edi Rama: Ore, ke rënë dakord për Byronë apo jo, mos trego përralla këtu… Jep përgjigje këtu…

Sali Berisha: Erdhën rekomandimet e “Venecias”, nuk pranonin kurrsesi që kjo të drejtohet nga jashtë, të drejtohet nga policia. Rekomandimet e “Venecias” nuk pranonin që kjo të mos kishte lidhje me Prokurorinë e Përgjithshme, sepse krijoheshin dy prokurori të pavarura në një shtet, çka parimi kushtetues monokratik nuk e pranon një gjë të tillë… Ti mburresh dhe ju shitesh këtyre për Tony Blair, në një kohë kur ke 64 vota. Këto shitua këtyre, se mua nuk më shitesh dot për asgjë, sepse ti je një aksident si kryeministër dhe nuk je kryeministër.

Edi Rama: Ligji që kanë përpunuar ekspertët amerikanë përputhet tërësisht, duke marrë parasysh edhe vërejtjet e “Venecias”, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Përputhet tërësisht.

Jozefina Topalli: O gënjeshtar, pse gënjen?…

Edi Rama: Kush e pengon thoni ju? Ja ku është! Domethënë unë. Kryetari i PD-së i ka thënë faktorit ndërkombëtar, silleni menjëherë që ta votojmë. Domethënë, të enjten ju keni konfirmuar draftin që ne e kemi sjellë menjëherë…

Edi Paloka: Je mashtrues komplet, që i mohon…

Edi Rama: Gënjeshtër ambulante! Sikur gënjeshtra të kishte një shëmbëlltyrë, në gjithë planetin do të zgjidhte Saliun! Varianti i dakordësuar është që Byroja është një njësi hetimore ku Prokurori i Përgjithshëm ka veton për drejtorin e Byrosë së Hetimit dhe njëkohësisht, ku hetimi kryhet në bashkëpunim me Prokurorinë… Atëherë, thjesht tërhiqni atë që thoni për draftin, nuk duam asnjë lloj ndjese, por duam vetëm që kjo çështje të mbyllet me të vërtetën. E nuk po flas për tjetrin (Bashën) që përfundimisht, me moshën në gjendje civile është i përgjegjshëm, por me çfarë bën, me sa duket, nuk e ka kapur moshën për të mbajtur përgjegjësi për veprimet e veta.

Sali Berisha: E dëgjoni, u çmend fare…

Edi Rama: Babagjysh gënjeshtar! Mjerë nipërit dhe mbesat e tu, të kesh babagjyshin gënjeshtarin më të madh të kombit.

Sali Berisha: E shikoni, rrodhi fare… Po të them se nëse ti je i gatshëm të bëjmë amendimet e ligjit në përputhje me sugjerimet e Komisionit të Venecias, hajde të votojmë.

Edi Rama: Çfarë gënjeshtari që je…

Sali Berisha: Po ti more je gënjeshtar i pafytyrë… Je marrë gjatë me kryetarin e PD-së. E ke të shkurtër shumë jetën në politikë, se me dy fantazma në shpirt, një të Sali Berishës dhe një të Lulzim Bashës, ti do të thyesh qafën shumë shpejt…

Edi Rama: Njerëzit e kanë parë përditë fantazmën e SHQUP-it, duke dalë atje dhe duke përsëritur në mënyrë insistuese se “nuk ka punë ‘Venecia’, por sillni draftin”. “Lufta kundër korrupsionit nuk pret një minutë, jo më një natë”, thoshte ai. Nuk e di ça i keni bërë se fantazma po fantazmë mbetet.

Sali Berisha: Sëmundjet janë sëmundje dhe Sali Berisha është mjek, ndër të tjera. Zotëria është një gënjeshtar kongenital dhe qenia gënjeshtar kongenital e bën atë që çdo të vërtetë ta konsiderojë gënjeshtër, por është i pashpresë, i padurueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura