“Çfarë kërkonte Alfred Lela aty? Nuk i shkonte një mashkulli të ndërhynte me dorë ndaj policeve”- Lleshaj: Kisha vendosur t’i kërkoj falje por….

May 22, 2020 | 21:50
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj duke reaguar mbi ndalimin e gazetarit Alfred Lela nga ana e policisë, thotë se kishte vendosur t’i kërkonte falje, por u tërhoq nga ky akt.

llesahaaa

Ai tha se Lela nuk mund të ndërhynte me dorë ndaj policeve femra që kishin ndaluar ish-deputeten e LSI-së, Silva Caka.

Sipas tij, çdo kush që bënte një shkelje të tillë do ndalohej.

Pjesë nga deklarata në RTSH:

Lleshaj: Kjo historia e zotit Lela ka marrë një përmasë relativisht të madhe. Një mik shumë i çmuar i kishte shkruar një sms z. Lela, ku i kërkonte ndjesë në emrin tim. Në fakt, për hir të atij mikut, kisha vendosur ti kërkoj ndjesë z. Lela, por smë la shans ta bëja një gjest apriori.

Jo, jo, nuk e kam ndërmend dhe kam hequr dorë, pasi shpërtheu një valë fyerjesh të cilat janë në disproporcion me punën profesionale të atij zotërisë. Valë fyerjesh publike, të hapura, kërcënime të dobëta, por do të thosha që rasti në fjalë nuk e ekspozon policinë në asnjë tejkalim. Gazetari ka qenë aty nuk e di në çfarë statusi, por ka ndërhyrë në një moment kur tre punonjëse policie femra po përpiqeshin të ndalonin një protestuese femër.

Një standard që e aplikojmë me sforco të madhe, Policia shqiptare po përpiqej ta realizojë këtë për etikë të shtuar. Nuk i shkonte për etikë, një mashkulli, gazetari…etj, të ndërhynte me dorë ndaj punonjësve ferma që ishin aty, gjë që e ka bërë provokimin edhe më të madh në sytë e punonjësve mashkull të policisë. Ne na bën bashkë ligji, Kushtetuta, kundërshtimi i punonjësit të policisë është vepër penale. Tani, nëse ti merr përsipër të kryesh një vepër që kodi penal e sheh të tillë, duhet të jesh i gatshëm dhe për konseguencat e tij.

Policia vepron me iniciativë ose kërkesë. Objekti publik në fjalë ka një zot, administrator. Më datë 17 maj u kërkua ndërhyrja e policisë. Po të ishte kërkuar më parë do ndërhynte më parë. Duhet dikush ta konstatoj paligjshmërinë. Nëse nuk ka denoncim apo fakt public të madh…

Nuk ka qenë publikisht për ne i njohur fakti se ai objekt nuk ishte në dispozicion të administratorit të atij objekti. Të gjithë ato skenat ishin të filmuara të gjitha, ndërsa kjo skenë shihej vetëm një sekuencë që po futej në furgon dhe nuk shihet arsyeja se për çfarë e dërgonin në komisiariat. Po nuk pati zhurmë. Përse shkoj, përse e kanë çuar? Është çështje që ska marrë vëmendje, as nga ajo vetë që u shoqërua nuk u tha gjë.

Kush eshte ndermjetesi

Një ditë pas pamjeve të dhunës së drejtuesit të Politiko, që bënë xhiron në mediat e shkruara e televizive dhe ato online, vetë Lela bëri një postim në lidhje me një mik të përbashkët me Lleshajn që i kishte kërkuar falje në emrin e ministrit.

Lela, bëri një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook ku shkruante se një mik, prift katolik dhe profesor ne Gonzaga University ne Firence, i kishte kërkuar falje për dhunën e Sandrit.

Bëhet fjalë për Marjan Palokën, mik i përbashkët i Lelës dhe Lleshajt, i cili në mesazhin e tij drejtuar gazetarit, shkruan se i duket sikur këtë dhunë e ka ushtruar ai.

Statusi i plotë:

Me erdhën këto fjale me email. Nga një mik. Mund te them për te se është prift katolik dhe profesor ne Gonzaga University ne Firence. Po i ndaj me ju, se fjala e burrave te tille, me bese, duhet përhapur. Pas Agush Karametes, një besimtar mysliman qe agjëron, një ‘goditje mirësie’ nga një i krishtere qe me kërkon falje për një dhune qe nuk e ka ushtruar ai.
Pra, fale Zotit, po, ka shqiptare te mire.

I dashur Alfred,

Po të shkruaj, sepse lajmi per dhunën e ushtruar ndaj teje më shkaktoi një krizë.
Prej vitesh kam një njohje me Sandër Lleshin (me Sandrin, jo me ministrin!). Kjo njohje i i afrohet dhe i ngjet miqësisë.
Duke qenë se nuk jam gati ta shkëpus njohjen me Sandrin, të pakten jo tani, sepse nuk mund të bisedoj sy më sy me të, më duket sikur këtë dhunë ndaj teje e këtë shpërdorim pushteti e kam ushtruar unë.
Për këtë arsye, me ndjenjën më të thellë të turpit për këtë poshtërim të shtetit, që shfaqet në formën e vet më të mjerë nëpërmjet poshtërimit të qytetarit, të kërkoj falje.
Derisa vetë Sandër Lleshi të mos të të kërkojë falje, zëre se unë trokas ditë për ditë në derën tënde për të të kërkuar falje në vend të tij, për sa kohë të mbetet në mua vendimi për ta mbajtur këtë njohje me Sandrin.

Me përshëndetjet më të përzemërta,
M.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura