Çfarë kërkojnë CEO-t në Shqipëri?

Jun 1, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Puna, në kohë dhe në hapësirë, është elementi  më i rëndësishëm i zhvillimit që sistemi kapitalist ka arritur të implementojë në shoqëritë moderne të shekujve të fundit. Koncepti i punës përfshin jo vetëm energjinë dhe lëvizjen e konsumuar, por dhe armatën e punonjësve, nivelin e përgatitjes së tyre profesionale, aftësinë për të përmbushur objektivat afatshkurtra, përballjen me “vetëtimat” e teknologjisë, marrëdhënien e besimit mes kompanive dhe konsumatorëve, tërheqjen e talenteve dhe sigurisht ekzistencën e drejtorëve ekzekutivë apo të quajtur ndryshe CEO.

Gabimisht, shoqëria profesioniste me të punësuar dhe të papunë përfshirë, hartuesit dhe komentuesit e politikave publike si dhe anëtarët e thjeshtë të zinxhirit ekonomik të globit, nuk arrijnë të konsiderojnë se më shumë se 90% e realitetit të të bërit biznes dhe të parasë së qarkulluar vjen nga vendimet e CEO-ve. Duke u nisur nga kjo predispozitë dhe mbi të gjitha nga mungesa e saj në Shqipëri, ekzistenca e një “barometri” mbi shqetësimet dhe dëshirat e drejtorëve ekzekutivë, quajtur ndryshe sipas ligjit shqiptar dhe “administratorë”, është një mungesë e qenësishme për një shtet, i cili regjistron minimalisht 1200 biznese të reja në muaj.

Për këtë, në ekonomitë e zhvilluara ekzistojnë mbi 30 sondazhe dhe studime të realizuara nga Bloomberg, Microsoft, WEF dhe ente të tjera. Në Shqipëri jemi ende në hapat e para të vlerësimit psikologjik dhe teknik të mendimeve të drejtuesve dhe kjo për dy arsye: Vetëm tani kompanitë e konsoliduara apo të reja mund të kenë drejtues, të cilët për profesion kanë pikërisht administrimin; si dhe tregu është ravijëzuar aq dukshëm sa secila lëvizje kushton parà dhe punonjës. Drejtuesit e bizneseve janë shpesh objekt i vlerësimit të raporteve të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, por përherë në kontekstin e sektorit në të cilin operojnë dhe asnjëherë në optikën e pikërisht kompanisë që udhëheqin.

Së fundmi, është zhvilluar një sondazh i tillë në Shqipëri nga kompania PWC. Sondazhi është realizuar njëkohësisht me kundërpalët nëpër botë, duke e bërë më interesante shkallën e krahasimit. Ndër çështjet e trajtuara në formën e pyetjes dhe identifikimit si rreziqe, si në botë ashtu dhe në Shqipëri, janë identifikuar pesha e taksave, paqartësia gjeopolitike, proteksionizmi, infrastruktura, stabiliteti social, mundësimi i aftësive profesionale, lëvizshmëria e kursit të këmbimit, populizmi, ndryshimi i sjelljes konsumatore etj. Ndryshimi i vërejtur menjëherë mes CEO-ve në shtete të tjera dhe atyre në Shqipëri është optimizmi më i lartë lidhur me të ardhmen e afërt të këtyre të fundit.

Të pyetur, CEO-të në Shqipëri në 85% të tyre mendojnë se kompania që drejtojnë do të rritet në terma afatshkurtër apo në një total kohe rreth 12 muaj. I ndryshëm është gjykimi kur flitet për të ardhmen e largët, ku teksa nëpër botë drejtuesit kanë besim se brenda 3-5 vjet situata do të përmirësohet, shqiptarët në 42% të tyre nuk arrijnë dot të parashikojnë se çfarë do të ndodhë në 3 vitet e ardhshme.

Në renditjen e rreziqeve kryesore, CEO-të në Shqipëri, ndërmjet 79% deri në 85% të totalit, kanë renditur përkatësisht nga i pari te i gjashti: Rritjen e peshës së taksave, të ardhmen e eurozonës, infrastrukturën joadapte, paqartësinë gjeopolitike, rritjen e paqëndrueshme ekonomike dhe mungesën aftë- sive profesionale të punonjësve. Ndërkohë, në pjesën tjetër të botës, CEO-të janë më të shqetësuar për rregulla të tepërta burokratike, sulme kibernetike apo populizëm.

Më tej, shqetësimet sipas së cilave jemi në të njëjtën linjë me globin, lidhen me efektin e munguar të globalizimit. Me sa duket koncepti i cili shpjegon procesin me të cilin bota po integrohet, duket se nuk ka arritur qëllimin e tij. Njësoj si kundërpalët jashtë shtetit, më shumë se gjysma e CEO-ve shqiptarë mendojnë se globalizimi nuk ka arritur të zvogëlojë hapësirën mes të pasurve dhe të varfërve, pasi nuk ka konsoliduar integritetin dhe eficiencën e sistemeve të taksimit.

CEO-të në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, bien gjithashtu dakord se koncepti i tregut të përbashkët global po bie, ndërkohë që po rritet ndjeshëm funksioni dhe rëndësia e tregjeve rajonale. Në këtë këndvështrim, zhvillimi i tregut ballkanik nën udhëheqjen e të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit” apo dhe “dashtëzoti” i qëllimeve progresiste të udhëheqësve politikë të rajonit, nuk është më një zgjedhje, por një pikturë e shtruar sipas analizave të drejtorëve ekzekutivë të kompanive.

Zbulimi dhe tërheqja e forcës së specializuar punëtore, në mbi 70% të kompanive që operojnë në Shqipëri, duket se është një problem serioz, teksa në botë vetëm 45% përballen me një deficencë të tillë. Për të dëshmuar edhe njëherë mjedisin ende bazik dhe pak të rregulluar të biznesit në Shqipëri, mund të konsiderojmë faktin se ndërkohë që mbi 50% e CEO-ve në botë besojnë se suksesi i tyre nuk matet më vetëm me bilance financiare, por me qëndrueshmëri të stafit dhe klientit, përgjegjësi kundrejt komuniteteve si dhe aftësisë për të parashikuar kriza, në Shqipëri pothuajse 70% e drejtuesve u duhet të përballen kryesisht dhe vetëm me nevojën për të arritur rezultate financiare më shpejt se planifikimi, përherë e më shpejt.

Rezultatet e këtyre studimeve dhe vlerësimeve të drejtpërdrejta me ata që prekin tregun deri në vena, vërtetojnë gjendjen ende fillestare të funksionimit të sistemit kapitalist në Shqipëri. Mungesa e adaptimit konkret të koncepteve të “Qeverisjes së Korporatave”, matjeve konstante të trendeve të shpenzimit dhe investimit apo kodeve të etikës, e bën ambientin e të bërit biznes ende një “xhungël” financiare dhe një shkretëtirë konsumatore. Milton Friedman thoshte se “..Zhvillimi i një shoqërie është i barabartë me rritjen e liderëve të kompanive që funksionojnë në të”.

Për ne sot, kjo shprehje është mëse aktuale. Forcimi dhe qëndrueshmëria e pasurisë së gjithsecilit varet pikërisht nga integriteti dhe vizioni i drejtuesve të kompanive që operojnë në Shqipëri. Kjo është e vërteta dhe më pak ajo kur gjithçka varet nga politikanët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura