Çfarë kambanash duhet të tundim që t’i dëgjojë znj. ministre e Arsimit?

Feb 13, 2018 | 12:04
SHPËRNDAJE

ArtanFugaARTAN FUGA

Bllokimin e pagave, që sol li vonesën e tyre për mijëra punonjës të universiteteve publike, e kam quajtur fakt total. Vonesa mund të ndodhin në kushte të jashtëzakonshme për pak orë, por këtë radhë ishte një pengesë institucionale. Po të mos kishim ngritur zërin, askush nuk do të kujtohej të jepte informacion ose të ndërhynte për zgjidhjen e problemit. Mospagimi në kohë i punonjësve të universiteteve publike nuk ka ndodhur as në vitin 1957, kur u krijua universiteti publik, as në 1990, madje, as në 1997, por ja ndodhi për turp në 2018.

Nuk është as një gjë e rastit, as mund të thuhet se nuk ka gjasa të përsëritet përsëri. Ne me këtë që ndodhi, kaluam në një pikë që ka të bëjë me imazhin e shtetit dhe kulturën shtetërore ku shteti pengohet të paguajë të punësuarit e vet ose të agjencive publike. Dhe më e keqja është se ndodhi tamam në sektorin e dijes universitare. Një grup profesorësh, që përreth jush i kanë quajtur agallarë, feudalë, padronë, mbledhur përreth Forumit për Liritë Universitare, ka kohë që po tund kambana, zilka, këmborë, po u bie daulleve, për të bërë të dëgjohet zëri i tij, por Ministria e Arsimit nuk dëshiron të dëgjojë. Paaftësia e administratës shtetërore për të paguar në kohën e duhur punën e bërë nuk është çështje harrese, as një rastësi, apo që rrjedh nga ndonjë vullnet i paqenë. Ne e kemi paralajmëruar që në planin e modelit financiar dhe ekonomik, Ligji për Arsimin e Lartë, i konceptuar nga Ministria e Arsimit dhe i dërguar prej saj në Kuvend, si edhe praktikat që influencohen nga lobi me konflikt interesi dhe individë karrieristë dhe krejt të paaftë e amatorë në administrimin e industrisë së dijes universitare, do ta çonte sistemin nga njëra katastrofë te tjetra. Ne sot jemi përpara dy pasojave madhore. Ka universitete private, që janë në prag të katastrofave financiare, aq sa nuk paguajnë punonjësit e tyre, si edhe universitetet publike, që nuk funksionojnë në rrafshin menaxherial dhe janë në bllokazh financiar dhe të zhvillimit të fondeve.

E keni gabim zonja ministre, përsëri ju themi, nuk është thjesht çështje e disa akteve nënligjore. Puna është se këtë gjëmë që po afrohet me ciklin tjetër të krizës e ka në gen ligji juaj për arsimin e lartë, më kaotiku, më inkoherenti, më irracionali, që kanë njohur universitetet shqiptare në të gjithë kohërat. Nuk e gjen në asnjë vend të Europës.

Çfarë kambanash duhet të tundim edhe më tepër për t’ju bërë të dëgjoni zërin tonë dhe jo vetëm të disa individëve autistë, që ju çojnë ju dhe bashkë me ju edhe të gjithë sistemin në humnerë?

U zhbllokuan pagat? Ju dhe ne e dimë mirë se me çfarë praktikash të panatyrshme dhe me çfarë operacionesh administrative amatore dhe në kufijtë e logjikës të ligjit u bë e mundur që me urgjencë, të paguheshin sot pagat. Asnjë garanci nuk ka që kjo nuk do të përsëritet prapë e prapë. Çdo menaxher e di këtë, por tuajët jo.

Çfarë të tundim që të na dëgjoni?

Të tregojmë dhe të nisim të llogarisim qindra milionë lekët që kanë humbur universitetet publike sepse ju mbyllët shkollat doktorale dhe nuk e vini ujin në zjarr që ato të hapen, si pjesë e ciklit të studimeve në shkollat e larta?

Kujt t’ia faturojmë këtë humbje?

Na keni sjellë në bordet administrative të universiteteve individë që janë në punë të tyre, nuk kam gjë personalisht, por që kanë si kriter besueshmërinë politike, konkurrencat e lobive të ndryshme, pa asnjë dëshmi njohurish ose aftësish në menaxhimin e financave universitare dhe mbi të gjitha, pa asnjë lidhje me universitetet. E dini zonja ministre, se nga bllokimi i pagave që ndodhi, të vetmit të cilëve nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë, ishin pikërisht anëtarët e bordeve me honorarët e tyre të majme?

Çfarë veglave t’u biem që të na dëgjoni? Keni mbushur sistemin me lloj-lloj agjencish, bordesh, e stërbordesh, mbushur sa me militantë dhe sa me individë, që marrin paga e honorare dhe të gjitha këto parà merren nga buxhetet për arsimin e lartë ose nga kontributet universitare? Çfarë kusuri kanë familjet shqiptare që të majmin të gjithë këtë burokraci, që me bekimin tuaj u ka hipur në kokë universiteteve private dhe publike dhe po u merr frymën? Aq sa edhe për të shtuar një kapitull të ri në një lëndë, duhet të marrësh leje në të gjithë piramidën, që përfundon me ju në majë.

Zonja ministre, ne u themi me përgjegjësi që universitetet private janë në vështirësi të mëdha financiare kurse ato publike janë pothuajse në bllokim financiar. Shihni si sillen me pagat dhe shpërblimet dhe kuptoni se sistemi ynë universitar mund të shpërthejë dhe të falimentojë, duke shkaktuar një kolaps social si ai i dështimit dhe falimentimit të piramidave financiare, që zanafilluan me atë të Sudes.

Kujt burive t’u biem që të na dëgjoni?

Thoni se na keni dhënë pavarësi financiare. Të gjithë në universitetet publike e dinë se kjo është një shaka e madhe me pasoja katastrofike për sistemin dhe menaxhimin e tij. Ku ka fleksibilitet në paga, kush ka mundësi të marrë hua bankare, kush ka mundësi të investojë në fusha të përafërta në shërbim të cilësisë, kush ka mundësi të vlerë- sojë në bursë kapitalet e universiteteve publike dhe të atyre private. E dini ju zonja ministre se çfarë domethënë autonomi dhe pavarësi financiare? Gjithçka është e bllokuar financiarisht në universitetet publike.

Keni parë ndonjëherë me anë të ndonjë studimi se si është pauperizuar rinia studentore në universitetet publike? Ushqehen keq, nuk kanë akses në korpuse librash, nuk blejnë dot libra, kushtet e banimit minimale, as bëhet fjalë për të ndjekur veprimtaritë kulturore. Keni bërë ndonjë studim për të matur se çfarë mundësish ka familja shqiptare për të arsimuar fëmijët e tyre?

Ne jemi të stresuar zonja ministre, sepse ju nuk doni të dëgjoni që ne japim mësim përpara auditorësh me të papunë të ardhshëm.

Kujt daulleve duhet t’u biem që pa zgjidhur modelin e drejtimit të universiteteve publike, si edhe profilin e të gjitha universiteteve shqiptare, papunësia intelektuale do të vijë edhe më shumë në rritje. Sistemi arsimor ka vrarë shpresat dhe energjitë studentore.

Mos kujtoni se dëshpërimi ynë për pagat ishte çështje lekësh. Ato i bisedojmë se edhe ato janë të drejta kontraktuale, pra, juridike, pra, politike. Por, ne gjetëm rastin për t’ju treguar se sistemi juaj është autist. Ju duhet që ne të bërtasim që të urdhëroni të jepen pagat nga të ardhurat që kemi krijuar vetë ne, por që nuk duhet të shkojnë për paga, por për rritjen e cilësisë së infrastrukturave universitare.

Mos mendoni se ato kriteret që thoni për cilësi ne nuk e dimë se çfarë fshehin pas kuintave. Nuk ka asnjë vend për të thërritur askund për ekselencë. Ka nevojë për përqasje teknike dhe realiste, dhe jo për retorikë që krijon koherenca fallco.

Kush do të kërkojë ndjesë për të gjitha këto?

Çfarë koresh duhet të këndojnë të na dëgjoni zonja ministre? Duhet ta dini se na dhemb universiteti publik, por edhe ai privat, kur funksionon sipas parimeve të drejta.

I gjithë sistemi është në kolaps financiar dhe ekonomik.

Nuk besoni? Po titujt akademikë që jepni, keni ndonjë vlerësim se sa kanë kontribuar për të shtuar pasurinë e shqiptarëve, fuqinë e tyre, progresin shoqëror? Keni ndonjë studim? Por për kërkimin shkencor, keni prioritete që t’i shërbejnë zbutjes të varfërisë, zhvillimit rural, menaxhimit urban, përmirësimit të mjedisit, etj. etj. Nuk kemi parë.

Sa është vlera e një diplome universitare publike ose private në treg, mund të na e thoni?

Ky është menaxhimi që qenka prishur thjesht se një VKM nuk qenka firmosur dhe vulosur a thua se kjo ju lehtëson ndopak barrën përpara detyrës suaj.

Dëgjoni zonja ministre, jo thjesht dhe vetëm ata që ju lexojnë dëshirat në sy dhe adoptohen ndaj tyre, jo ata që prapa fjalëve fshehin interesa egoiste, që e çojnë sistemin në kolaps sikur ai ka arritur.

Kemi vite që u biem burive, daulleve, veglave të ndryshme. Ju nuk pranoni të dëgjoni. Po është detyra juaj, zonja ministre. Është fati i jetës të rinisë, është kapaciteti i mençurisë kombëtare që është në teh.

*Anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura