Çfarë ka arritur Kina në Europën Qendrore dhe Lindore?

Nov 26, 2017 | 9:45
SHPËRNDAJE

VALBONA ZENELI

Eshtë ajo e periudhë e vitit kur ekziston një optimizëm i madh për investime të reja në Europën Lindore Pritshmëria është e lartë, pasi takimi i gjashtë i formatit “16 + 1” do të zhvillohet në Budapest këtë të diel. I lançuar për herë të parë në vitin 2012, formati i bashkëpunimit “16 + 1” përfshin 16 vende të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Kjo qasje rajonale bashkon një grup shumë të larmishëm vendesh që shtrihen midis dy deteve, nga vendet baltike deri në Ballkan.Zeneli_Valbona

Si një nga komponentët e iniciativës “Belt and Road” (BRI) (Brez dhe Rrugë), një platformë e Presidentit Kinez Xi Jinping, grupimi “16 + 1” është një pjesë themelore e vizionit ekonomik dhe gjeopolitik të Kinës në botë. Është një version i përditësuar i strategjisë së “daljes” së Kinës, që synon integrimin e saj më të thellë në sistemin ekonomik botëror, si qëllim final pozicionimin e Kinës si një lider në këtë sistem. Në të vërtetë, iniciativa “16 + 1” është krijuar para shpalljes së platformës BRI. Pasi Europa u godit nga kriza ekonomike globale, vendet e Europës Lindore dhe Qendrore arritën të mbajnë ritme pozitive rritjeje ekonomike, dhe si pasojë ndërveprimi me Kinën filloi të rritet me shpejtësi pas vitit 2009.

Interesi kinez për Europën Qendrore dhe Lindore (EQL) nuk është ndonjë befasi. Kjo është pjesë e strategjisë së përgjithshme që Kina ka në Europë, duke u pozicionuar në të përmes ndërmarrjes te investimeve strategjike në vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe projekteve të mëdha të zhvillimit të infrastrukturës në periferi të saj. Në rajonin e EQL, i cili është i karakterizuar nga rritje të shpejta ekonomike, çmimet e blerjeve janë më të ulëta, kërkesa për kreditim preferencial është e lartë, kapitali njerëzor është me kosto efektive dhe koncesionet që qeveritë bëjnë për investitorët kinezë janë të mëdha. Plus, vendndodhja strategjike është e përsosur.

“16 + 1”, e cila është e mirëpritur në mënyrë të përgjithshme në EQL, është një kuadër iniciativash bilaterale dhe multilaterale të përqendruara kryesisht në tri fusha kryesore: tregti, investime dhe rrjete transporti. Por ku kanë arritur sot marrëdhëniet tregtare dhe investuese, pas gjashtë vitesh angazhimi të lartë politik dhe ekonomik?

MARRËDHËNIET TREGTARE

Fuqizimi i marrëdhënieve tregtare midis Kinës dhe EQL është një ndër objektivat kryesorë të platformës. Ndërsa tregtia është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, shkëmbimet tregtare arritën në 58 miliardë dollarë në vitin 2016, që është larg objektivit për 100 miliardë dollarë brenda 2015-s, të deklaruar nga Kryeministri kinez në vitin 2012. Në realitet, tregtia midis vendeve të EQL dhe Kinës është rritur me shpejtësi shumë më të madhe, pothuajse e dyfishuar nga vitet 2009 në 2012, duke shkuar nga 32 miliardë dollarë në 52 miliardë. Megjithëse eksportet e EQL ndaj Kinës janë rritur, bilanci tregtar është shumë i thellë në favor të Kinës. Tregtia është e përqendruar në pesë shtete – Poloni, Çeki, Hungari, Sllovaki dhe Rumani- të cilat përbëjnë 80% të totalit.

Sa për vendet joanëtare të BE-së, duke pasur parasysh tregjet shumë të vogla dhe të pazhvilluara të Ballkanit, shkëmbimet tregtare kanë arritur shifrën e 3 miliardë dollarëve në vitin 2015, por gjysma e tyre është realizuar me Serbinë, e cila është edhe partneri strategjik i Kinës në Ballkan.

Krahasuar me nivelet e përgjithshme të tregtisë kineze me BE në tërësi, EQL përbën vetëm një pjesë të vogël të totalit prej 514 miliardë dollarësh në vit (me një bilanc tregtar pozitiv prej 174 miliardë dollarë për Kinën). Kina është partneri i dytë më i madh tregtar për BE-në, dhe përbën 20% të importeve europiane dhe pothuajse 10% të eksporteve të saj.

KARAKTERISTIKAT E INVESTIMEVE

Është ende shumë herët të kuptohet ndikimi i përgjithshëm sasior dhe cilësor i investimeve kineze në rajon, dhe efektet e përçuara në vendet pritëse, siç janë rritja dhe zhvillimi i kompanive të vogla dhe të mesme, krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike. Të gjitha qeveritë e përfshira në platformën “16 +1” po u hapin dyert kompanive kineze që të investojnë në vendet e tyre. Megjithatë, premtimet dhe optimizmi i mbërritjes në sasi të mëdha të kapitalit kinez janë ende për t’u realizuar. Ngjashëm me marrëdhëniet tregtare, janë pesë vende në rajon të cilat kanë tërhequr 95% të Investimeve të Huaja (IHD) gjatë viteve të fundit (Hungaria, Polonia, Bullgaria, Çekia dhe Sllovaki). Shumat e sakta të investuara në EQJ deri në vitin 2016 janë ende të paqarta, dhe shkojnë nga 6 deri në 8 miliardë dollarë bazuar në burimet e Ministrisë Kineze të Tregtisë.

Investimet kryesore në EQL janë kryesisht të përqendruara në privatizim kompanish ekzistuese dhe ndërtimin e infrastrukturës. Por ka shumë më tepër nevojë për “investime greenfield” (investime të reja), të cilat aktualisht përfshijnë disa projekte, të tilla si fabrika e makinave elektrike në Hungari, fabrika e trenave në Bullgari dhe zhvillimi i pasurive të paluajtshme në Kroaci. Për këtë arsye, është ngritur edhe një fond investimi Kinë-EQL prej 500 milionë dollarë për të mbështetur vendosjen e investimeve kineze në 16 vendet e platformës. Të pesë vendet e lartpërmendura, të cilat kanë tërhequr edhe pjesën më të madhe të investimeve, janë në grupin e ekonomive me rritje të shpejtë ekonomike, por gjithsesi rajoni ende tërheq pak investime, duke thithur më pak se 1.5% të totalit të IHDve botërore në vitin 2016. Megjithatë, këto vende tërhoqën një fluks te ri prej 25 miliardë dollarësh në IHD në 2016, pothuajse dy herë më shumë se në vitin 2015. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve ka ardhur nga vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe jo nga Kina. Vetëm dy vende në EQJ kanë përjetuar disinvestime në vitin 2016, Hungaria (5 miliardë dollarë), dhe Sllovakia (296 milionë dollarë). Për sa i përket Ballkanit, IHD-të kineze mbeten të kufizuara vetëm në Serbi kryesisht. Disa muaj më parë është hapur në Beograd një degë e Bankës së Kinës, si një degë e bankës kryesore në Hungari.

Kina po kthehet në një investitor të madh në ekonominë globale, me një total prej 12% të investimeve globale. Sipas UNCTAD, në vitin 2016 investimet e huaja kineze në ekonominë ndërkombëtare (183 miliardë dollarë) ishin më të larta sesa investimet që Kina priti në ekonominë e saj (133 miliardë dollarë). Në këtë këndvështrim, investimet në EQL ishin vetëm 2.7% të investime kineze në 2016. Edhe po të merren parasysh investimet e huaja kineze në vendet më të zhvilluara të Europës, shuma e investimeve e përqendruar në EQL mbetet një përqindje shumë e vogël, krahasuar me 65 miliardë dollarë të investuara në BE në vitet e fundit (kryesisht Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë dhe Itali).

RRJETET E TRANSPORTIT

Siç është përmendur edhe më lart, “16 + 1” është pjesë e vizionit BRI, e përbërë nga dy rrugë kryesore që kalojnë nëpër rajonin e EQL. Ato përfshijnë Rripin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit (Silk Road Economic Belt) dhe Rrugën Detare të Mëndafshtë të Shekullit XXI (21st Century Maritime Silk Road). Polonia dhe Hungaria shihen si vende kyçe për këto rrjete transporti, në të cilat kalojnë të dyja rrugët kryesore, rrugët tokësore që kalojnë nga Azia Qendrore dhe ajo përmes Ballkanit.

Rruga e Mëndafshit që kalon nga Ballkani fillon me investimin kryesor dhe më të madh kinez në Portin e Pireut, duke parë Greqinë si një portë hyrëse në Europë përmes Ballkanit.

Projekti tjetër i madh është hekurudha e shpejtësisë së lartë Beograd-Budapest, e miratuar në nëntor të vitit 2016, e cila do të financohet në masën për 85% nga Banka e Eksport-Importit të Kinës.

Disa shqetësime në lidhje me këtë projekt lidhen me hetimin e filluar nga institucionet e BEsë në vitin 2017 kundër Hungarisë për shkeljen e ligjeve të BE-së për tenderët publikë. Projekte të tjera të rëndësishme lidhen me Korridorin 11, një autostradë që shkon nga Rumania në Mal të Zi e më pas në Itali, apo disa projekte në Maqedoni, si pjesë e Korridorit 8, që e lidh me Europën Perëndimore.

Forma më e rëndësishme e bashkëpunimit e Kinës me EQL është dhënia e huave për projekte infrastrukturore. Investimi në infrastrukturë është sigurisht një e mirë publike që mund të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, por zhvillimet pozitive varen nga detaje praktike të zbatimit të këtyre projekteve, si edhe kapacitetet absorbuese institucionale.

Rajoni, veçanërisht Europa Juglindore, ka deficite të mëdha infrastrukturore dhe shumë institucione perëndimore të zhvillimit nuk janë në gjendje t’i adresojnë këto nevoja financiare për arsye të ndryshme. Një lajm pozitiv vjen nga raundi i fundit i Samitit të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt në Trieste në korrikun e kaluar, në të cilin u miratua një projekt, “Connectivity Agenda” (Axhenda e Ndërlidhjes) për Ballkanin Perëndimor, për një total prej 1.4 miliardë eurosh për 20 investime të ndryshme.

PLANET PËR TË ARDHMEN

Ndër përfitimet e ndryshme të investimeve kineze, disa shqetësime janë ngritur edhe në lidhje me peshën e Kinës në rajon. Në vendet ende joanëtare, të cilat nuk janë të obliguara me legjislacionin e BE-së, kompanitë shtetërore kineze punësojnë pak punonjës vendas, projektet infrastrukturore dhe marrëveshjet e huadhënëse rëndojnë së tepërmi qeveritë e varfra në Ballkan me detyrime të larta borxhesh (disa prej tyre tashmë kanë borxhe sovrane edhe më të larta se 70 për qind e PBB së tyre), shumë projekte nuk kanë transparencë apo debat publik, si edhe mungesa e procedurave publike të hapura të prokurimit.

Ndër të tjera renditen edhe sfida të sigurisë, që lidhen me interesat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Në vitin 2016, BE-ja miratoi edhe një Strategji të Re për Kinën, me qëllim promovimin e një fushë loje të barabartë dhe një konkurrence të drejtë në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i BE-së, por disa çështje shqetësuese në marrëdhëniet midis vendeve lidhen me politikat industriale dhe barrierat jotarifore që diskriminojnë kompanitë e huaja në tregun kinez, apo ndërhyrjen e fortë të qeverisë në ekonomi, si edhe zbatimin e dobët të të drejtave të pronësisë intelektuale. Disa muaj më parë, Presidenti i BE-së Juncker foli edhe për një “Kornizë të Re për Investimet në BE”, si një masë sigurie mbrojtëse, “kur një kompani shtetërore e huaj dëshiron të blejë një port apo pjesë të rëndë- sishme infrastrukturore europiane, apo asete energjetike, apo blerje të firmave të teknologjisë së lartë apo firmave të mbrojtjes, të sigurohen që respektohen parimet e transparencës”.

Njëmbëdhjetë nga vendet e platformës “16 + 1” janë anëtare të BE-së dhe ekzistojnë shqetësime se përpjekja e Kinës për të bilatezuar marrëdhëniet në kuadrin e “16 + 1” mund të ndikojë në kohezionin e brendshëm të BEsë dhe të rrisë ndarjet midis anëtarëve të saj, të cilët konkurrojnë për vëmendjen kineze. Duke marrë parasysh ndarjet ekzistuese brenda BEsë, për çështje të tjera të sigurisë, të tilla si migracioni i parregullt, Kina mund të rrisë fuqinë e negociatave në BE duke rritur peshën e saj në Europë dhe duke nxitur konkurrencën midis anëtarëve të saj.

*Artikulli është marrë nga “The Diplomat” Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës “Marshall” dhe të qeverive të SHBA-ve e Gjermanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura