Çfarë është në vetvete operacioni që po bën Rama

Sep 25, 2020 | 10:15
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim-zekthi-150x150

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po vijon me një këmbëngulje të pangjashme çdo përpjekje, më e pakta krejtësisht apolitike, për të shtyrë partinë, qeverinë dhe regjimin e tij të luftojë për një mandat të ri në qeverisje.

Ai po rraskapitet, dëshpërimisht, të mbajë gjallë narrativën se kjo që po bën është normale dhe e drejtë, se kjo që po bën është ajo që duhet, pavarësisht se sa dhimbje apo vuajtje ajo shkakton te njerëzit, por edhe tek ai vetë.

Duhet me të vërtetë një kapërcim shumë i madh, duhet një përpjekje e vazhdueshme në mënyrë që të bindësh veten dhe të tjerët për këtë, sidomos në kushte të tilla kur duket se gjithçka është kundër.

Kryeministri Rama, pasi pranoi në fillim të këtij viti të miratojë një Reformë Zgjedhore me konsensus me opozitën e vërtetë nëpërmjet Këshillit Politik, u përpoq ta shtynte opozitën në pozicione që ajo të largohej fare nga Këshilli.

Në fillim dërgoi në Këshillin Politik Gjiknurin si një provokim të qartë, me qëllim acarimin dhe largimin e opozitës nga Këshilli. Kjo do të ishte idealja për të. Më pas kërkoi ta nxirrte opozitën jashtë komisioneve të zonave zgjedhore dhe të qendrave të votimit, duke kërkuar komisionerë “pa parti”.

Kur afatet e 31 majit për të miratuar reformën u kaluan dhe kur Rama po bënte gjithçka që të miratonte një reformë në shërbim të tij, ambasada amerikane negocioi, ndërmjetësoi dhe u arrit në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo marrëveshje nuk i dha Ramës asnjë avantazh, përkundrazi, e shkurtoi dorën e zgjatur të tij me një KQZ të re shumë ndryshe nga kjo e tashmja dhe me verifikimin biometrik.

Më pas, Rama (që tha shpesh se ish i palumtur) nxori pretendimin se marrëveshjen duhet ta miratonte ajo që ai e quan opozita parlamentare, pasi ai dhe PS-ja nuk i kishte 84 votat e nevojshme. Opozita parlamentare është diçka e verbër, pa vetëdije politike dhe krejtësisht neutrale ndaj moralit apo përgjegjësisë.

Si e tillë, ajo ka treguar kapacitetin e plotë t’i shërbejë Ramës në çdo mënyrë që ai ka dashur. Pra, Ramës iu desh të thotë budallallëqe se duhet të bindë opozitën, që ai e quan parlamentare. Opozita kërkonte lista të hapura. Rama dhe Gjiknuri ishin shprehur hapur për lista të mbyllura.

Sërish Ramës iu desh të thotë budallallëqe dhe të shprehet se edhe ai vetë dhe PS-ja janë për listat e hapura pasi i do populli dhe PS bën atë që do populli. Kështu u shkua drejt ndryshimeve kushteteuse që në thelb janë vetëm një grusht shteti pasi ligji themeltar apo kontrata jonë e përbashkët ndryshohet nga një parlament që nuk është vullneti i njerëzve, aq më tepër nga një “opozitë parlamentare” që nuk ka as vetëdijen dhe as vullnetin politik të jetë e përgjegjshme.

Ramës përditë i duhej të bënte një manovër, një spërdredhje, një gënjeshtër, një shantazh, një sajesë duke u shfaqur gjithnjë e më i pabesueshëm, më i plakur dhe më i konsumuar, më drejt fundit, para njerëzve. Ai kërkoi që të hiqen koalicionet në mënyrën që ishin. Pra, nga negociata me “opozitën parlamentare” për ta bindur atë të votojë marrëveshjen e 5 qershorit dhe të gjente një zgjidhje për listat e hapura u shkua te heqja e koalicioneve. Myslim Murrizi zbuloi se këtë e kërkoi Rama dhe ata “ranë dakord”.

Në fillim Rama tha se koalicionet do hiqen për arsye teknike, ngaqë fleta e votimit do të jetë sa një “qylym”, pra shumë e madhe dhe njerëzit nuk votojnë dot. Kur dolën në shtyp modele që shmangnin “qylymin”, Rama bëri spërdredhjen apo gënjeshtrën e radhës dhe tha se do t’i heqin koalicionet sepse nuk duhet të hyjnë parti me një grusht vota në Kuvend. Në këtë turravrap, Rama u përball me ndërkombëtarët. Ai tha se Shqipëria është sovrane dhe Parlamenti ynë është sovran. Rama, i cili për vite me radhë ka bërë si mik i bindur i ambasadave, u shfaq sovranist. Rama nëpërkëmbi ambasadoren amerikane, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen e 5 qershorit.

Ai shkatërroi çdo parim të kufizimit të pushtetit, të mbajtjes së zgjedhjeve të lira kur urdhëroi Parlamentin të ndryshojë Kushtetutën dhe rregullat e zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme para zgjedhjeve.

Rama kishte hyrë aq keq në këtë përpjekje, sa ai nuk llogarit më asgjë, asnjë kosto. Atij iu desh të sajojë arsye qesharake mbi gjoja kuotat gjinore, kur kryetari i PD-së kërkoi lista 100% të hapura, por pa ndryshuar koalicionet.

Kur dolën mekanizma apo formula që e lejojnë listën e hapur plotësisht, ruajtjen e kuotave dhe koalicionet, Rama përsëri vazhdoi avazin, vazhdoi justifikimet, vazhdoi të prodhojë argumente të kota. Në fund fare të gjithë kësaj çështjeje, Rama nxori një propozim shumë qesharak.

Listat do të jenë të hapura, por deputetët do të shkojnë në Parlament sipas renditjes që do ta bëjë kryetari. Në thelb, kjo formë është më e rënda e gabimeve logjike, kur premisa dhe konkluzioni shkojnë rreth dhe ndërrojnë vendet.

Kjo është non sequitur. Pra, lista është e hapur plotësisht teorikisht dhe e mbyllur plotësisht praktikisht. Kjo është një ngarendje e verbër e Ramës drejt diçkaje që nuk do t’i sjellë atij dhe Shqipërisë asgjë të mirë, që do t’i sjellë atij vuajtje, dhimbje dhe dështim.

Ky proces nuk ka kthim, do të vijojë dhe do të sjellë vuajtje dhe dështim për Kryeministrin, sepse ky proces është në vetvete i pamoralshëm dhe kërkon të sjellë qetësi, largim të vuajtjes dhe sukses, duke justifikuar të pamoralshmen. Ky është një proces që është përshkruar në mënyrë monementale nga Andrea Long Chu, një shkrimtar amerikan, i cili para pak kohësh kreu një operacion kirurgjikal për të pasur vaginë, për t’u kthyer nga mashkull në femër (transgjendër).

Vetë Andrea Long Chu shkroi para operacionit: “Procedura do të zgjasë 6 orë dhe do më duhet 3 muaj mjekim për plagën. Unë e di se deri sa të vdes, trupi im do ta ndiejë si plagë vaginën. Ajo do të kërkojë kujdes dhe vëmendje të rrallë për t’u mbajtur. Unë e di se nuk do të më bëjë të lumtur, por kjo është ajo që dua”. Më tej, Andrea Long Chu shkruan: “…qëkur nisa këtë proces jam bërë më i dëshpëruar.

Kam filluar të ndiej ndryshimin te gishtat ose te pamja (për shkak të hormoneve femërore që merrte) dhe kur më thonë që po bëhem më e bukur, pezmatohem sepse unë e di se çfarë është e bukura, unë e kam neveri këtë që po ndodh me mua”. “Unë nuk e them këtë që të fitoj simpatinë tuaj, shkruan Andrea. – Unë po them vetëm se e dua këtë gjë me gjithçka. Dua lotët dhe dhimbjen, dua vuajtjen dhe dëshpërimin.

Që unë ta dua këtë proces, ai nuk duhet të më bëjë mua të lumtur….Asgjë, as operacioni kirurgjikal më i qetë dhe më i mirë nuk do të më bëjë të ndihem si kur kam qenë grua gjithnjë. Unë do të jetoj me këtë gjendje, me këtë dhimbje, me këtë vuajtje.

Dhimbje të tilla si dëshpërimi, keqardhja, neveria për veten, turpi etj., janë të drejta njerëzore, po aq të mëdha sa të drejtat njerëzore për ushqim, për kujdes shëndetësor etj.”. Pak a shumë, në gjendjen e shkrimtarit Andra Long Chu është Kryeministri Rama.

Ai ka zgjedhur ta kryejë këtë operacion, të ketë një “vaginë”, ai nuk mund të bëjë pa të. Ai e di se kjo do t’i sjellë shumë dhimbje, ai e di se nuk do të ketë sukses, se nuk do ta kalojë dëshpërimin e tanishëm, se do të ketë më shumë dëshpërim, por ai e sheh këtë vuajtje, këtë dëshpërim, këtë proces si të drejtë njerëzore të njëjtë me të drejtën për ushqim apo kujdes shëndetësor.

Kryeministri, me këtë sjellje, me këtë rraskapitje, me këtë konsumim të pazakontë që i bën vetes, nervave, moralit, shpirtit, ndërgjegjes etj., në përpjekje të bëjë atë që do, është duke bërë pikërisht atë që bëri Andra Long Chu, po hyn edhe më shumë në vuajtje dhe dështim.

Andrea Long Chu, për mënyrën sesi e kuptonte botën dhe për mënyrën sesi kishte zgjedhur të jetonte, ishte i detyruar të shkonte drejt kësaj zgjedhjeje, drejt operacionit. Për ta justifikuar, ai thotë se njeriu duhet t’i bëjë gjërat që “do” edhe kur ato japin dhimbje, edhe kur ato shkaktojnë vuajtje dhe çojnë në dështime. Ky në fakt është morali hedonist që shkatërron njeriun. Vagina nuk fitohet në këtë mënyrë.

Në këtë mënyrë mund të kesh vetëm një vaginë false. Marrja e një mandati të ri po kthehet ose është kthyer nga Rama si operacioni që kreu Andrea Long Chu. Ai operacionin po e bën me këmbëngulje, me sforco, po rraskapitet ta mbajë gjallë idenë e mandatit dhe mekanizmin kriminal të blerjes së votave, por është e kotë. Në fund do të ketë vetëm humbjen dhe asgjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura