Çfarë duhet të kesh e çfarë duhet të dish kur je 30 vjeçe

Oct 7, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kur je femije, të 30-at të duken shumë larg. Mendon se kur të bëhesh 30 vjeç do t’i kesh të gjitha në vijë. E parafytyron veten zonjë shtëpie, të martuar me burrin që do, me një apo dy fëmijë dhe me një punë që të pëlqen… Por vitet ikin aq shpejt saqë mund të ndodhë që kur të jesh te të 30- at të mos kesh asnjë nga këto.

femra 30 gjera
Mund të jesh beqare, pa punë, pa shtëpi.. ose të kesh disa gjëra e të të mungojnë disa të tjera… Por ama, janë disa gjëra që duhet t’i dish dhe duhet t’i kesh. Duhet të dish të japësh një mesazh përmes puthjes, të dish të lësh një burrë apo një punë, të kesh një shoqe të ngushtë që të të bëjë të qeshësh e të të lërë të qash, të kesh një komplet kaçavidash apo një palë reçipeta me dantella të zeza…

Për ato që i kanë kaluar, ndoshta është pak vonë, edhe pse disa gjëra edhe mund të arrihen, por ato që janë rrugës mund të mësojnë diçka. Shtëpia botuese “Minerva” ka nxjerrë në treg librin “Tridhjetë gjëra që duhet t’i ketë dhe duhet t’i dijë çdo grua kur bëhet 30″, përkthyer nga Çeltina Lloshi.

Një libër i realizuar nga redaktoret e “Glamour” dhe gazetarja Pamela Redmond Satran. Ishte kjo e fundit që 15 vjet më parë e hartoi këtë listë, e cila u kthye në një “virus” që kalonte nga email-i në email, që çdo grua e vajzë ia niste shoqes. Rrugës, lista u plotësua me eksperiencat jetësore të poetes dhe aktores të ndarë nga jeta një vit më parë, Maya Angelou, stilistja dhe shkrimtarja Lauren Conrad, gazetarja dhe shkrimtarja Katie Couric, aktorja Kathy Griffin, këshilltarja financiare Suze Orman, këngëtarja dhe aktorja Taylor Swift, stilistja Rachel Zoe, e shumë e shumë të tjera.

Më poshtë, ju paraqesim listën origjinale të Pamela Redmond Satran:

Kur arrin të tridhjetat duhet të kesh…

1. Një të dashur të vjetër, tek i cili mund të përfytyrosh të kthehesh sërish, dhe një tjetër, i cili të kujton se sa larg ke arritur.
2. Një mobilie të hijshme, që të mos e ketë pasur më parë ndonjë pjesëtar i familjes tënde.
3. Diçka të përkryer për ta veshur për rastin kur punëdhënësi apo burri i ëndrrave të tua do të kërkonte të të takonte brenda një ore.
4. Një çantë, një valixhe dhe një çadër, që nuk do të të vinte turp t’i mbaje.
5. Një rini, të cilën je e kënaqur ta lësh pas.
6. Një të kaluar plot ëndje, të cilën mezi pret ta rrëfesh kur të jesh e moshuar.
7. Të kuptosh se në të vërtetë do të arrish një moshë të madhe dhe duhet të kesh disa para mënjanë për këtë periudhë.
8. Një adresë email-i, një postë zanore dhe një llogari në bankë, për të cilat të kesh mundësi hyrjeje vetëm ti.
9. Një rezyme që të mos jetë aspak e fryrë.
10. Një mikeshë që të bën gjithmonë të qeshësh dhe një që të lë të qash.
11. Një komplet kaçavidash, një turjelë me bateri dhe një palë reçipeta me dantellë të zezë.
12. Diçka jashtëzakonisht të shtrenjtë që e ke blerë për veten tënde, thjesht sepse e meriton.
13. Besimin se ti e meriton.
14. Një regjim për kujdesin ndaj lëkurës, ushtrime të zakonshme dhe një plan për të trajtuar ato pak aspekte të tjera të jetës që nuk përmirësohen pas të 30-ave.
15. Një fillim solid në një karrierë të kënaqshme, një marrëdhënie të kënaqshme dhe të gjitha aspektet e tjera të jetës që përmirësohen.

Kur të arrish të tridhjetat duhet të dish…

1. Si të biesh në dashuri pa humbur veten.
2. Si të ndihesh lidhur me çështjen e të pasurit fëmijë.
3. Si të lësh një punë, si të ndahesh nga një burrë dhe si të përballesh me një mik pa e prishur marrëdhënien.
4. Kur duhet të përpiqesh më fort dhe kur duhet të heqësh dorë.
5. Si të puthësh në një mënyrë që komunikon me përsosmëri atë që do të doje dhe nuk do të doje të ndodhte më pas.
6. Emrin e kryeministrit, emrat e stërgjyshërve dhe emrin e rrobaqepësit më të mirë në qytet.
7. Si të jetosh e vetme edhe pse nuk të pëlqen.
8. Ku të shkosh, qoftë te tavolina e kuzhinës së shoqes së ngushtë, apo tapeti i jogës kur shpirti yt ka nevojë të qetësohet.
9. Se nuk mund ta ndryshosh gjatësinë e këmbëve, gjerësinë e vitheve apo natyrën e prindërve të tu.
10. Se fëmijëria jote mund të mos ketë qenë e përsosur, por tashmë ka mbaruar.
11. Çfarë do të bëje dhe çfarë nuk do të bëje për para apo për dashuri.
12. Se askush nuk mund t’u shpëtojë pasojave të pirjes së duhanit, alkoolit, të marrjes së drogës apo mospastrimit të dhëmbëve për shumë kohë.
13. Cilit mund t’i besosh, cilit nuk mund t’i besosh dhe përse nuk duhet ta marrësh personalisht.
14. Të mos kërkosh falje për diçka, për të cilën nuk ke faj.
15. Përse thonë që jeta fillon në të 30-at

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura