Çfarë do të ndodhë me PD-në?

Sep 23, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

ERGYS MËRTIRI 

ergys-mertiri655-744x450Prej dy javësh, opozita ka hyrë në një qerthull përplasjesh, ku nuk po kursehet asgjë. Mbështetësit e ish-kryetarit Berisha justifikohen duke thënë se kjo që po ndodh është në thelb diçka e mirë. Ata pohojnë se nuk po përçajnë partinë, por po përpiqen të ndreqin gjithçka që deri tani është bërë keq. Ata thonë se ky konflikt u ka krijuar demokratëve mundësitë që të shprehen, të diskutojnë hapur dhe të kërkojnë përgjegjësi ndaj fajtorëve. Sipas tyre, kjo do të bëjë që partia të hapet e reformohet, çfarë do ta bëjë atë edhe më të fortë e të bashkuar.

Në fakt, gjuha e tyre, nervozizmi, radikalizmi, ekstremizmi në akuza, nuk duket se i ndihmon qëllimit të pretenduar. Shumë prej aktorëve të përfshirë në këtë sherrnajë, nuk kanë vullnetin të tolerojnë as praninë e qëndrimeve të kundërta mbi çfarë po ndodh. Një armatë aktivistësh, politikanë, gazetarë, militantë, patrullojnë hapësirën e debatit, duke iu turrur me fyerje, akuza e linçime deri tek ato më banalet e të pabesueshmet, kujtdo që merr kurajën të shprehet ndryshe nga ç’duan ata. Ky mjedis armiqësor ndaj pluralitetit ka për qëllim doemos të demotivojë një angazhim të gjerë publik në trajtimin e çështjes çfarë do të thotë se askush nuk e do debatin dhe shprehjen e hapur të të vërtetave.

Veç kësaj, përdorimi i lajmeve të rreme, deformimi i fakteve, shtrembërimi i realiteteve, të përdorura masivisht në portale e reagime publike, tregon mungesë vullneti për të patur një klimë lirie për një debat normal. A mund të hapet, reformohet e demokratizohet një parti në këto kushte? Natyrisht, problemet në Partinë Demokratike janë të dukshme, shumë prej të cilave, duhet thënë, vijnë edhe nga vetë ata që sot përgjërohen për demokratizim. Doemos që ajo ka nevojë të hapet, ka nevojë të flasë hapur, ka nevojë të reformohet, të ripërtërihet e të krijojë një fytyrë të re. Por, kjo duhet bërë vazhdimisht e jo në mënyrë sporadike me revolucion popullor, ka nevojë të bëhet me arsye e qetësi, jo me zjarr e tërbim dhe, mbi të gjitha, ka nevojë të bëhet nga njerëz që, përpara se të hedhin gurin e parë, të ndalen e të mendojnë se nuk janë vetë pa mëkate.

Problemi themelor në këtë histori është se palët, që kërkojnë ndryshim, nuk kanë një alternativë. Ata duken thjesht një masë njerëzish të zemëruar, por jo një grup i konsoliduar me një projekt politik konkret. E gjithë retorika e tyre fillon e mbaron me akuzat ndaj kryetarit dhe kërkesën imediate që ai të ikë. E kjo vjen vetëm pak muaj pasi ata vetë kanë votuar masivisht, që ai të vijojë të jetë në krye të partisë. Kjo tregon se aksioni i tyre është vetëm një reagim emocional i pastudiuar, pa asnjë platformë e strategji. Askush nuk e ka të qartë dhe nuk na thotë dot se çfarë vjen më tej, pas përmbysjes së tyre, çfarë projektojnë ata për të ardhmen e PD-së.

Kërkesat politike nuk janë çështje dëshirash, por mundësish dhe realitetesh, të cilat formësohen nga flukset e influencave dhe aksioneve të aktorëve të përfshirë. Në politikë, ashtu si në realitet, nuk mund të ekzistojë vakumi. Ajo i krijon konjukturat e saj vetëm mbi bazë të alternativave konkurruese, dhe, për të rrëzuar një projekt, duhet të ofrosh një tjetër më të mirë, nuk mjafton të bindësh të tjerët se projekti ekzistues është i keq. Lëvizja që sot kërkon të reformojë PD-në, duket se as që e ka një projekt, qoftë edhe të keq. Kjo lëvizje nuk na tregon dot asgjë mbi të ardhmen që planifikon.

Idetë e artikuluara mbi kthimin e statueshmërisë në parti janë një kërkesë politike, por jo një projekt mbi të ardhmen, për të justifikuar një përmbysje. Kjo lëvizje nuk na paraqet asnjë kandidat alternativ kundër kryetarit aktual. Vetë z. Berisha është shprehur se nuk konkurron për të marrë kreun e partisë. Nga ana tjetër, ajo akuzon lidershipin ekzistues si humbës, por nuk na tregon asgjë bindëse sesi mund të fitohet, ajo denoncon mënyrën sesi u shkarkua ish-kryetari Berisha, por nuk na thotë dot se si do të zgjidhë problemin me SHBA-të. Pra, edhe nëse i marrim plotësisht të mirëqena akuzat e tyre, është e pavend që, përballë një rruge të keqe, të zgjedhësh një rrugë pa krye.

Alternativa e zemërimit, ajo çfarë ofron Foltorja e z. Berisha, ngre më shumë pyetje se përgjigje. Duke parë mënyrën sesi ajo zhvillohet, njerëzit që e mbështesin, gjuha që ata përdorin, tezat që ngrenë, nuk duket se ajo na shpie gjëkundi. Kjo nismë, për vetë logjikën dhe motivet që e kanë krijuar, do ta shtyjë PD-në drejt qëndrimeve radikale, të cilat nuk e bëjnë dot një alternativë për pushtet. Radikalizimi nuk mund ta bëjë kurrë konkurruese një forcë politike, e aq më pak maxhorancë. Për të qenë pretendues për të ardhur në pushtet, duhet një hapje e qenësishme e saj ndaj një mase të madhe grupesh shoqërore, të cilat radikalizmi nuk i përfshin dot.

Për vetë rrethanat që e krijuan dhe kushtet në të cilat do të veprojë, PD-ja që projekton Foltorja do të priret të jetë një parti që ka për qëllim mbijetesën e jo pushtetin. Ajo do të ndërtohet në funksion të nevojës për t’u mbrojtur nga presionet e shumta (presioni i maxhorancës, qeverisë, institucioneve, medias, shoqërisë, si dhe ai i faktorit ndërkombëtar etj.) Ajo do të shkojë gradualisht drejt izolimit, barrikaduar nga një vizion armiqësor ndaj mjedisit përreth. Ajo shndërrohet kështu, pa kuptuar, në një garnizon ushtarak, i mbyllur brenda guaskës së vet duke shtrënguar radhët përballë armiqve.

E zhytur në këtë rrugë, ajo do të rrudhet gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më e pashpresë për t’u ringritur në pozitën e një alternative qeverisëse. A mund të kemi një alternativë të tretë mes Bashës dhe Berishës? Ndoshta, por kjo nuk mund të prodhohet në kushtet ku jemi. Pikësëpari, kjo alternativë duhet të kishte dalë, nëse ekziston, por, nëse do të duhej, ajo nuk mund të prodhohet pa u konsumuar më parë konflikti. Në situata të tilla, asgjë nuk ekziston jashtë antagonizmit të dialektikës që ai prodhon. Për këtë arsye, konsumimi i tij është kushti i parë për të rimenduar një realitet të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura