Çfarë do të ndodhë më 21 korrik

Jul 7, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Ditët po bien njëra pas tjetrës nga kalendari. Data 21 korrik, kur është planifikuar votimi në Kuvend i Reformës në Drejtësi, po afrohet. Pyetja “çfarë do të ndodhë?” ngërthen për shumë e shumë njerëz kërshërinë dhe ndjesitë e një enigme. Për ta nisur me “të ëmblat në fillim”, mund të ndodhë që konsensusi PS-PD për pikën e mbetur të gjendet dhe reforma të votohet me unanimitet të plotë.

Pa dashur të bëhemi romantikë, kjo do të ishte vërtet një mrekulli. Do të kishim një reformë solide nga pikëpamja e themelimit dhe mbulimit të saj me votë. Do të përmbushnim një kriter tepër të rëndësishëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Do të hapej rruga për të pasur në gjithë sistemin e drejtësisë prokurorë dhe gjyqtarë të pastër, të pavarur, profesionistë të mirëfilltë.

Do të gëzonim dhe angazhonim në betejën historike kundër krimit dhe oligarkisë në sistem Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të kishim një arsye reale për të besuar në fillimin e erës së re të sundimit të ligjit në të gjithë piramidën e shtetit dhe shoqërisë, nga baza në majën më të lartë. Po sa shanse ka të gjendet konsensusi?

Shanset janë të hapura deri në minutën e fundit. Vetëdija dhe ndriçimi politik i palëve mund t’i nxjerrë e duhet t’i nxjerrë nga shtatë pash nën dhé po të jetë nevoja. Hapi i parë është dalja nga guaska e opsioneve të mbyllura, siç po bën opozita dhe kreu i saj Basha, i cili njoftoi dje publikisht një propozim të ri që derivon nga rekomandimi numër tetëdhjetë e tetë i Komisionit të Venecias, por është më afër shartimit me pozicionin e qeverisë.

Duhet thënë se lëvizja e Bashës ka një rëndësi të trefishtë: përafron kompromisin e shumëkërkuar, kthen topin në kampin e shumicës, heq presionin e ndërkombëtarëve nga oborri i partisë së tij. Dje, shumëkush mund të jetë befasuar që Rama, siç tha Basha, është njohur prej shumë ditësh me propozimin e ri të opozitës dhe nuk është bërë i gjallë.

Në fakt, handikapi i ri i reformës është pikërisht fakti se Rama ndihet shumë komod në llogoren e tij. Pas lavdërimeve ad hominem që ka marrë në fillim të qershorit nga partnerët amerikanë dhe europianë, ai nuk e ka vënë më ujët në zjarr për zhbllokimin e krizës. I intereson më shumë loja politike sesa reforma.

Po u votua mirë, po s’u votua akoma më mirë. Po u bë, do t’i bie gjoksit. Po s’u bë, do t’i bie opozitës dhe do të nxjerrë përfitime të tjera. Sakaq, nuk është mjaftuar të rrijë vetë në llogore, por është kujdesur t’i mbajë në llogore edhe kundërshtarët e tij, duke e paraqitur reformën si gogolin e tyre. Në emër të bashkautorësisë, amerikanët dhe europianët duhet të kishin reaguar kundër paraqitjes tribale të reformës, sikur po bëhet për t’i hedhur hekurat iksit apo ipsilonit.

Reforma ka sens dhe madhështi për faktin se krijon kushtet për të zbuluar e çuar para ligjit të paprekshmit në bazë të krimeve që ata kanë bërë. Por ajo nuk mund të jetë kurrë reformë, nëse i ka caktuar paraprakisht individët kundër të cilëve bëhet. Loja e Ramës me qarin ka ardhur duke u bërë çdo ditë e më e lexueshme për qytetarët.

Nga dita e djeshme ai ka humbur edhe “intrasigjencen” e opozitës që e përdorte si gjethe fiku. Ai është thirrur në kauzë të hedhë hapin e tij drejt kompromisit. Ndërkombëtarët duhet të trokasin në zyrën e tij tani. Lëviz apo nuk lëviz nga llogorja Kryeministri, opozitës dhe Bashës u shkon të mos i reshtin përpjekjet për kompromis.

Mund të duket paradoksale për një opozitë, por zgjidhja është aleatja dhe preferenca absolute e PD-së për të nxjerrë në breg një reformë shumë të rëndësishme që nuk ka impakt elektoral po të votohet, por mund të transformojë gjithë axhendën politike-elektorale në vend po të mbetet kështu siç është sot. Edhe po të mos arrihet asnjë zgjidhje, për opozitën ka rendësi të vijojë të investojë vullnetin, vizionin, transparencën dhe fleksibilitetin e saj në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje.

SHBA dhe Europa janë demokraci. Është e pamundur të mos dëgjohen e reflektohen prej tyre argumentet bindëse, kërkesat e arsyeshme. Është e pamundur të mbretërojë një anësi e verbër në Uashington dhe Bruksel ndaj zhvillimeve në Shqipërinë tonë të vogël. Ndodh nganjëherë që amerikanët dhe europianët të propozojnë nene, klauzola apo zgjidhje që, ndërsa janë shumë normale për demokracitë e tyre të konsoliduara, bëjnë masë në një demokraci të re siç është Shqipëria.

Një shembull është Byroja Kombëtare e Hetimit. Në një demokraci të pjekur nuk është problem që drejtorin e një institucioni të tillë ta emërojë Kryeministri apo ministri i Brendshëm, siç është e zakonshme që zgjedhjet t’i organizojë e drejtojë vetë qeveria. Këto praktika nuk shkojnë në Shqipërinë e polarizuar e të politizuar deri në palcë ku sundimi i ligjit vuan.

Ndaj u desh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, u desh kundërshtimi i vendosur i opozitës dhe mandej reflektimi pozitiv i ndërkombëtarëve që BKH t’i hiqej nga duart ministrit të Brendshëm dhe t’i jepej një institucioni të pavarur. Ky është një shembull që ilustron korrigjimin e reformës përgjatë kohës nga opozita. Opozita e ka marrë përsipër këtë barrë, duke ecur nganjëherë përmes keqkuptimesh e paragjykimesh. Por nuk ka kush ta bëjë tjetër.

Opozita do të komprometohej, nëse do ta tepronte. Deri tani, faktet tregojnë se nuk ka kërkuar qiqra në hell. Në këtë përpjekje, edhe pse sot i sheh të njësuara qëndrimet e Brukselit dhe Uashingtonit zyrtar me qëndrimet e shumicës sonë qeveritare, opozita e ka të qartë se ky është një njësim koniunktural. Të tjera janë qëllimet e partnerëve dhe të tjera qëllimet e qeverisë Rama-Meta.

Reflektimi i këtij ndryshimi në komunikimin me partnerët është një premisë e mirë për t’i angazhuar ata në gjetjen e konsensusit. Konsensus apo jo, kjo mbetet mbi të gjitha në dorën e ndërkombëtarëve, në radhë të parë të miqve dhe partnerëve amerikanë.

Nuk ka arsye të paragjykohet opozita e vendit për faktin se mes dy opsioneve të Komisionit të Venecias ajo ia ka vënë gishtin opsionit të përfaqësimit proporcional. Për të njëjtën arsye nuk mund të paragjykohet as shumica që ka zgjedhur opsionin tjetër të Venecias, atë të votimit me dy të tretat. Palët janë në pozita të barabarta në rrafshin e së drejtës.

Si i bëhet? Së pari, mendoj se ndërkombëtarët duhet të rikthejnë baraspeshën dhe drejtësinë në lidhje me qëndrimet që kanë mbajtur pas dështimit të dialogut RamaBasha. Nuk rezulton se opozita ka shpikur ndonjë opsion të vetin për të siluruar reformën. Thjesht ka përshtatur njërin prej opsioneve të Komisionit të Venecias. Pranimi i këtij fakti do të mjaftonte për relaksimin e komunikimit dhe rivendosjen e dialogut. Prej një muaji Rama ka vënë festën mbi sy. Pse të mos e verë kur ia kanë shtruar me dafina!

Zgjidheni me SHBA-të dhe Brukselin, me mua s’keni punë, u thotë opozitarëve. Partnerët duhet t’ia bëjnë të qartë se kërkimi i zgjidhjes është detyrë e të gjithëve, por në radhë të parë e shefit të shumicës. Së dyti, duhet parë se cilit prej dy opsioneve të Venecias i është futur mish dhie, siç thotë një shprehje e popullit. Djalli fle në detaje. Opozita pretendon se Rama me të tijtë kanë shfrytë- zuar garancitë e nevojshme të mosbllokimit të votimit me dy të tretat për t’i ngjitur reformës bishta që nxjerrin fitues njerëzit e tyre.

Kjo duhet sqaruar mirë. Nga ndërkombëtarët. Ne po vrasim mendjen si t’ia bëjmë kur opsionet konkurruese janë marrë siç i ka shkruar Venecia, por kur opsionet janë spërkatur apo injektuar me hile vendi, zgjidhja është e thjeshtë. Fiton opsioni origjinal. Pavarësisht programimit dhe kalendarit, ndërkombëtarët nuk mund të mos reagojnë dhe ndërhyjnë kundër kapjes së sistemit të Drejtësisë nga Kryeministri, s’ka rendësi nëse sot është Edi Rama, nesër Lulzim Basha, pasnesër një tjetër.

Me gjithë mirënjohjen dhe adhurimin e shprehur në sa e sa tekste për SHBAtë dhe si autor i sentencës sime më të cituar “ç’vjen nga Uashingtoni është e mirë për Shqipërinë”, unë, si mijëra e mijëra euroatlantistë ndihem keq që, për momentin, administrata e qeverisë Obama duket e pozicionuar kundër opozitës, liderin e ri të së cilës e ka mbështetur fuqishëm për dekriminalizimin dhe s’ka pak muaj që e priti në Uashington me një protokoll të pagjasë.

Si të gjithë euroatlantistët në vendin tonë, do të dëshiroja që amerikanët të flisnin hapur me lidershipin demokrat dhe me qytetarët. Në fund të fundit, duke mos e imagjinuar që amerikanët duan t’i japin fijet e Drejtësisë në Shqipëri Edi Ramës, shumica euroatlantike në Shqipëri nuk do të habiteshin dhe, madje, nuk do të ishin kundër që amerikanët të na e kërkojnë këtë reformë në mirëbesim, në formën “kështu na duhet dhe ju duhet”.

Është fat për ne që janë kaq të angazhuar. Këtë kemi dashur e duam. Nuk e mundin dot simbiozën e krimit dhe pushtetit oligarkik pa SHBA-të dhe Europën. Nuk e mbajmë dot busullën e oksidentalizmit dhe euroatlantizmit pa praninë dhe ndihmën e afërt amerikane. Këto janë të qarta. Ama, e dimë kujt po ia japim dhe pse. Kjo nuk bëhet duke biseduar kokë më kokë me deputetë të veçantë të opozitës.

Suksesi eventual i kësaj ndërmarrjeje do të hapte skenarë që nuk i marrim dot me mend tani. U takon aktorëve në lojë t’i peshojnë me shumë përgjegjësi. Sidoqoftë, nxitja e “rrenegatizmit” është një rrugë pa krye që rrezikon një dështim të dyfishtë: të reformës dhe të ndërmjetësve ndërkombëtarë. E mira është që kjo përpjekje të harrohet një orë e më parë si një ëndërr e keqe. Ndërkombëtarët duhet të vazhdojnë të flasin me opozitën si institucion, me lidershipin e saj dhe me atë të shumicës gjithashtu.

Aty është zgjidhja. Nuk jemi assesi në kushtet e anashkalimit të lidershipit dhe shpërbërjes së unitetit të partive. Pa konsensusin paraprak të palëve, nëse shkohet ku rafsha mos u vrafsha, seanca e 21 korrikut vështirë se do të hapet për arsyen e thjeshtë se në sallë nuk do të jenë nëntëdhjetë e katër deputetë, që është numri minimal i domosdoshëm për të votuar ndryshime kushtetuese.

Në këto kushte, ose do të vendoset një datë tjetër për t’i dhënë kohë kërkimit të zgjidhjes, ose Rama do të tentojë të ngrejë siparin e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të kërkojë t’i impostojë si një garë “e ka kush e ka” për fajin e dështimit të Reformës në Drejtësi.

Reforma do t’u sakrifikohej lojërave të reja për pushtet, vendi do të humbte një shans që nuk vjen shpesh, mbështetja ndërkombëtare do të merrte një goditje me pasoja të paparashikueshme. Me pak fjalë, të gjithë të humbur! Ky është lajmi i keq, shija e të cilit shpresojmë të nxisë në kohën e mbetur përpjekjet e gjithanshme për zgjidhjen, për konsensusin.

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura