Çfarë do të bëni me kungujt e Hallouinit?

Nov 3, 2014 | 13:20
SHPËRNDAJE

Me siguri që shumica prej jush as që e ka në plan t’i përdorë ata kungujt e verdhë të bukur, që dy ditë më parë i përdorët vetëm për të bërë dritë në errësirën e Hallouinit. Por më shumë sesa për këtë festë, kungulli tipik i këtij sezoni është për shëndetin. Uroj që të mos e keni hedhur ende. Në fakt, nuk besoj ta keni bërë, sepse një tjetër veti e këtij kungulli është jetëgjatësia. Mund të ruhet për disa ditë. Por po të dini ta përdorni, nuk do keni fare nevojë. Përveçse do t’ju shijojë, do të zgjidhni edhe 2-3 vakte. Sigurisht, nëse e keni blerë ca me peshë.

Makarona të mbushura me krem kungulli
Përbërësit:
Makarona që mund të mbushen si në fotografi
500 gr kungull të verdhë
1 qepë
30 gr parmixhano të grirë
30 gr pekorino të grirë
Kripë, piper, vaj ulliri

Për salcën beshamel:
½ lt qumësht
50 gr gjalpë
50 gr miell
Kripë
Arrë moskat

Përgatitja:
Përgatisni së pari kremin që ju duhet për të mbushur makaronat. Pastroni kungullin dhe priteni në feta të holla ose kubikë të vegjël. Skuqeni me pak qepë dhe shtoni pak ujë që të ziejnë. Kalojini në mikser dhe bëjini si masë kremi. Ndërkaq përgatisni salcën beshamel. Zieni makaronat pak dhe shtrojini në një tavë. Mbushini me kremin që përgatitët pasi i shtuat edhe djathërat e grirë e erëzat. Në fund hidhni salcën beshamel mbi makarona dhe futini në furrë.

Tortë kungulli
Përbërësit:
1 qepë e bardhë (bionde)
20 gr fara luledielli
Arrë moskat
Vaj ulliri
Djath i grirë parmixhano ose grana
1 brum sfoliat (të gatshëm)
Djath pa kripë (primosale)
1 vezë
Kripë, piper
350-400 gr kungull

Përgatitja:
Pastroni së pari kungullin. Qoftë për këtë recetë, qoftë për të tjerat me këtë produkt, kjo është puna e parë dhe më “e vështira”. Pastrojeni edhe nga farat dhe priteni në kubikë të vegjël. Vërini të ziejnë për rreth 20 minuta. Prisni qepën imët dhe kaurdiseni në një tigan me pak vaj ulliri; shtoni po aty kungullin. Rregulloni shijen me kripë dhe përziejeni me një lugë druri. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni mënjanë të ftohet. Të gjithë masën që përgatitët, transferojeni në mikser bashkë me një vezë, djathin e grirë, arrën moskat. Punojeni deri sa të përftoni një masë të trashë kremi.
Në tavën që do të përdorni për pjekje (nëse përdorni letër pjekjeje rrezikoni të mos ngjitet asgjë), hapni petën e brumit sfoliat dhe shtoni aty gjithë masën që përgatitët. Sipër vendosni feta të prera të djathit të bardhë pa kripë dhe farat e lulediellit. Piqeni në temperaturën 190 gradë për 25 minuta.

Rizoto në kungull
Përbërësit:
350 gr oriz
2 lugë gjalpë
1 qepë
300 gr kungull
Majdanoz të freskët
Djathë i grirë grana ose parmixhano
1 l lëng perimesh
Rozmarinë
Kripë, piper
Vaj ulliri

Përgatitja:
Nuk është e thënë që rizoton të vendosni ta shërbeni si në fotografi, por nëse do të zgjidhni kështu, me siguri që efekti do të jetë më i madh sesa pjatat e kompletit më të bukur. Për të përgatitur këtë pjatë, së pari pastroni kungullin dhe priteni në kubikë të vegjël. Skuqni në një tigan të madh qepën e grirë imët, shtoni kungullin. Kaurdisni e shtoni më pas orizin. Lëngu i perimeve do të shërbejë për të vijuar të gjithë zierjen e orizit. Në fund, rregulloni shijen me erëzat e mësipërme dhe djathin e grirë.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura