Cëzzz, korrenti!

Dec 1, 2014 | 14:55
SHPËRNDAJE

Andej nga klasa pas të 4-ës kujtohem që gati përditë ndonjëra nga mësueset ndërpriste e lemerisur mësimin, sepse befas i ishte tiposur që mund të kishte lënë sobën ndezur ose hekurin në prizë (pas ’95-s). Mësimi ndërpritej dhe nxënësi më i besuar ose mësuesja vetë shkonte për verifikim. Sido që të kishte vajtur puna, shqetësimi i madh ishte o për groshën, o për këmishën e djegur. Asnjëherë për faturën! Nëse nuk kishe lënë tenxhere mbi sobë, ohu, jo mësimi që nuk ndërpritej, po shkoje edhe për ndonjë qokë pas pune. Ikën edhe nja dy javë me pushime dhe i lë dritat ndezur se harrove ose se përtove, ishe duke ikur ashtu rrëmujshëm. Dikur e bëje për t’i thënë rrugës e komshiut se ka njerëz shtëpia brenda. E fikim çelësin vetëm nëse drita na shkakton bezdi, asnjë mendim tjetër ku të përfshihet kuleta, nuk na ka shqetësuar deri më sot. Mirëpo, vala e kursimeve sikur ka filluar, sado që jo gjithnjë atje ku duhet. Duhet t’jua kenë zënë veshët edhe ju për grevat e studentëve, që bëhen pothuajse çdo fillim viti shkollor. Kësaj radhe, më të zhurmshmit ishin ata të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Një grup studentësh shkonte klasë më klasë për të bindur moshatarët se pse duhet t’i bashkoheshin grevës. Arsyeja thelbësore ishte se nuk kishin laboratorë. Në rast se merrnin përgjigjen se laboratorë, në fakt, shkolla ka, e rregullonin pak qëllimin, duke thënë se laboratorët janë të vjetër. Pavarësisht vitit të prodhimit, të pyesësh studentët e shkencave, pajisjet e laboratorëve janë funksionale. Vetëm se tani ka dalë një problem. Korrenti! Siç duket, shkolla deri dje ka bërë siç kemi bërë të gjithë ne. Sot, të alarmuar nga zhurmat e rritjes së energjisë, profesorët i lejojnë studentët t’i përdorin mjetet e laboratorëve vetëm për disa sekonda. “Fike, fike shpejt, se harxhon shumë”. Përpara shpjegimit të situatës përkatëse, thuhet një herë ky togfjalësh, pastaj nis ora laboratorike. Praktikisht, studentët nuk është se arrijnë të shohin gjë brenda kohës së lejuar. Dhe, të thuash të drejtën, shumicës së studentëve mund t’u vijë i ëmbël ky urdhër. Tek e fundit, sa studentë të një grupi e kanë me aq zell orën mësimore?! Siç të gjithë e dimë, fare pak. Po të shtojmë këtu faktin se shumë studentë të viteve të para nuk kanë mësuar ende as ku janë klasat e laboratorit, jo të jenë bërë aq të shkathët me përdorimin e mjeteve, rezulton që ora praktikisht nuk zhvillohet. Kështu që, ata studentët që organizojnë greva, të shtyrë nga dikush o të organizuar vetë (!), bëjnë mirë ta ndërrojnë motivacionin e grevës. E mira do ishte që të shkojnë e të jenë ndonjëherë vetë pjesëmarrës në klasat e laboratorit, pastaj të ngrenë zërin. Ndërkaq, nëpër shtëpi hekurosja nuk është më procedurë e pastharjes së rrobave. Po të paktën sot, alternativat e tendencave të modës të lejojnë të vishesh si të duash. A nuk i pëlqeni shumë “të jashtmit” pikërisht pse janë ashtu, të shkujdesur, të zhubrosur?! Deri sot mund të keni thënë se janë me stil, po ja, tani mund të bëheni të gjithë. Dhe flini gjumë shpejt…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura