Berisha: Dëshmitari i mbrojtur u kërcënua nga juristi i OSHEE

Sep 24, 2015 | 6:37
SHPËRNDAJE

Kryeministri Berisha ka denoncuar dje atë që ai e quajti presion ndaj dëshmitarit të mbrojtur nga Drejtësia përmes juristit të OSHEE-së në lidhje me aferën e kompanisë “DIA” të Kastriot Ismailajt.

Gjatë fjalës së tij dje në Kuvend, Berisha tha se dëshmitari i mbrojtur i Drejtësisë mund të kontaktohet vetëm nga prokurori i çështjes.

Berisha-ne-Kuvend (1)
“Dëshmitari më i çmuar i mbrojtur nga Drejtësia, që vetëm në shtetin e bandave mund të bëhet kjo, të cilit s’mund t’i shkojë njeri, as dhe Presidenti i Republikës, as dhe Kryeministri i vendit, as dhe kryetari i Parlamentit, as dhe ministri i Brendshëm, asnjëri, atij mund t’i shkojë në përputhje me procedurën vetëm prokurori i çështjeve, por edhe ai jo vetëm. Vendndodhjen e tij nuk mund ta dijë kurrë asnjë njeri, sekretet e Drejtësisë nuk janë sekrete të administratës publike, ai (dëshmitari) pra ka garanci të plotë. Dhe çka ndodh? Atij i dërgohet xhelati. Kush ishte xhelati? Kësaj here nuk ishte Tahiri që iu dërgua Bamit, s’ishte Sajmir Shullazi. Jo! Kësaj here u zgjodh një jurist, që i çoi mesazhin e kokës, kërcënimit me jetë që të tërhiqet, një njeriu që ka vënë veten, ka vënë gjithë qenien e tij, jetën e tij, familjen e tij në funksion të interesit publik. I dërgohet një xhelat në banesën ku është për t’i thënë: ‘qepe se përndryshe të likuidojmë’. Ky nuk është shtet, ky është antishtet, ky është shtet i bandave”, tha Berisha dje në Parlament.

Ai akuzoi Kryeministrin Rama se është ai që e ka denoncuar kryetarin e Kuvendit Meta se është i përfshirë në aferën e Kastriot Ismailajt me CEZ-in. “Ish-drejtori i parë i CEZ-it në Shqipëri, Hajsek, deklaron se ‘ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta ka ardhur në Pragë dhe ka negociuar me mua për Kastriot Ismailaj’. Të gjitha këto kërkojnë hetim në mënyrën më serioze. I kërkuam hetim Ilir Metës. Nuk themi asgjë, i besojmë hetimit që duhet të bëhet. Dhe çfarë ndodhi?! Edi Rama e kapi menjëherë, pasi i kishte nxjerrë vetë të gjitha këto, pasi ia kishte dhënë ‘Clifford & Chance’ të gjitha të dhënat, përfshirë edhe dëshminë, edhe investigimin e agjencive të lëvizjes së transaksioneve, dhe thotë “tani jemi 1 me 1, unë kam firmosur marrëveshjen, ti je i përzierë me DIA-n, tani të sulmojmë Berishën”, tha Berisha.

Ish-kryeministri kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës dhe hetim ndërkombëtar për aferën e Ismailajt me kompaninë CEZ. “Duke mbështetur plotësisht kërkesën e mëparshme për dorëheqjen për hetim të zotit Meta, unë kërkoj hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it. Ju siguroj se pa hetimin ndërkombëtar, paqja dhe stabiliteti në këtë vend nuk do vendoset. Unë mendoj se duhet të ulemi qetë, ta marrim pa pasion. Pjesa dërrmuese e juaja s’ka asnjë lidhje me atë çështje. Hetimi i asaj çështjeje është interesi më jetik i atyre që kanë votuar për ju, hetimi nuk vjen te ju, është një grup drejtuesish kryesorë të vendit që do të hetohen dhe që unë e konsideroj jetik hetimin. Atëherë, bëhuni një herë më në fund të lidhur me zgjedhësit tuaj, vini një herë në jetën tuaj të parat interesat e zgjedhësve tuaj dhe jo të Edi Ramës, jo pushtetit të tij dhe hajnave të tij. Urdhëroni, keni eksperiencë me hetimet ndërkombëtare dhe hetimi ndërkombëtar në atë rast dha një përgjigje. Jo më të plotën, por ama e dha një përgjigje, s’mund të thotë kush se nuk e dha. Atëherë urdhëroni, të ndërmarrim një hetim ndërkombëtar, nuk ka çështje më të tmerrshme se kjo, nuk ka gjë më të dhimbshme”, tha Berisha gjatë fjalës së tij dje në Kuvend.
ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura