Çështje të marrëzisë

Mar 10, 2016 | 13:20
SHPËRNDAJE

Preç Zogaj

PREÇ ZOGAJ

Kur përshtaten në shoqërinë e hapur demokratike, stilemat e fjalimeve revolucionare të kohës së diktaturës, transformohen herë në parodi, herë në marrëzi. Në parodi kur i deklamon një aktor humori. Në marrëzi kur i mban një lider politik i rëndësishëm. Dje, në Asamblenë Kombëtare të PS-së, shqiptarët patën rastin të ndiqnin një shfaqje kulmore të këtij transformimi, një paradë të mendësive të vjetra të Shqipërisë së mbyllur në epokën e re të Shqipërisë së hapur, anëtare e NATO-s dhe kandidate për t’u anëtarësuar në BE.

Sa më shumë baltë të na hedhin, aq më mirë e kuptojmë se jemi në rrugë të drejtë! Sa më fort t’i sulmojnë reformat tona, aq më të bindur jemi se këto janë reformat e duhura! Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara. Këto janë vetëm disa nga sentencat e arsenalit të vjetër që kanë lulëzuar me shumicë në fjalimet e kohëve të fundit të Edi Ramës dhe në atë të djeshmin, pa dyshim. Mungonte vetëm shprehja “armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykë të topit”.

Por jehona e saj ishte aty. Duke dëgjuar fjalimin patetik të Ramës, që përcillte në verb dhe në ton imazhin e një marshimi të vështirë dhe heroik mes armiqve dhe tradhtarëve, të vinte të pyesje: Në çfarë viti jemi? A e njeh mendimin ndryshe, a e njeh kundërshtimin ky njeri? A sheh të vërtetë dhe arsye edhe te palët e tjera, siç ndodh me mendjet e hapura? Apo i është mbushur mendja se ka monopolin e së vërtetës dhe gjithë të tjerët që nuk ia pëlqejnë qeverisjen, janë kundër progresit, janë armiq? Në fakt, kështu mendon.

E demaskon fjalori, ligjërimi. Me fjalën baltë, së paku në kontekstin e debateve që po zhvillohen këto ditë në Parlament dhe në PS, zoti Rama nuk ka parasysh vetëm shpifjet që meritojnë të neveriten, por nënkupton pikësëpari kritikën, kundërshtimin, denoncimin, akuzat. Por këtu bëhet një ngatërrim i madh, besoj me dashje.

Balta trajtohet si fjala përmbledhëse apo sinonime e kundërshtimit dhe denoncimit. Kur nuk është e tillë. Dëshira për t’i njësuar, në mos qoftë një marrëzi e pastër, ka për qëllim të tredhë dhe zhdukë kritikën, kundërshtimin, denoncimet, deri alternativën. Mirë- po mendimi ndryshe apo mendimi kundër është gur themeli në ngrehinat e partive demokratike. Në vitin e njëzet e gjashtë të demokracisë, kjo është e qartë edhe për nxënësit e shkollave.

Por jo për kryetarin e PS-së. Në përballjen e parë serioze me kundërshtime, kundërshtarë dhe rivalë brenda partisë së tij, ai po e ekspozon krenarisht formimin e tij antidemokratik. Duke huazuar metodat e shëmtuara enveriste të goditjes së kontestuesve me mitingashë, apo të hedhjes së tyre në prehrin e armikut, në rastin konkret në prehrin e Berishës, sikur Blushi, Arta Dade e të tjerë si këta të dy po bëjnë punën e opozitës!

O me ne, o kundër nesh! Rrugë të mesme nuk ka. Njëlloj si në partitë bolshevike apo naziste që funksionojnë si sekte. Sprova e një lideri demokrat në shoqërinë e hapur nuk është komforti që u krijon servilëve, por qëndrimi ndaj kritikëve, kontestatorëve, konkurrentëve. Në erën e Ramës po bie praktikisht miti i Partisë Socialiste si partia më liberale në Shqipëri. Po bie suvaja e tij si drejtues politik ndryshe.

E reja në këtë kundërzhvillim brenda partisë më të madhe të së majtës është vjetërimi i liderit nën impulset e një deliri madhështie, që për një studiues të shquar bashkëkohor si Alen Finkelktraut, konsiderohet një hologramë e shkarjes, prishjes. Nuk po përsëris këtu Ben Blushin që e quajti dje një marrëzi idenë e referendumit pa çështje.

Po hidhem në një çështje tjetër të ngjashme, tronditëse, sipas bindjes sime: te raporti i vërshimit të mijëra e mijëra shqiptarëve në Partinë Socialiste, ashtu siç e paraqiti Rama. Është shenjë e keqe për një shoqëri kur pjesëtarët e saj vërshojnë lumë, me fushata, në një parti qeveritare ku me sa kemi dëgjuar nuk paguhen kuota, por kryesisht mbahet radhë për një vend pune.

Është shenjë dyfish e keqe kur ky vërshim ndodh në një kohë kur në vitin e saj të tretë, qeverisja PS-LSI nuk ka rritur rroga, nuk ka rritur pensione, ka ulur konsumin në kufijtë e deflacionit, sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it, ka rritur taksat, çmimin e energjisë dhe borxhin, varfërinë dhe përkeqësimin.

Një udhëheqës me formim të shëndoshë perëndimor do të shqetësohej me vërshimin e qytetarëve në një parti qeveritare në këto kushte. Gjithnjë nëse nuk është një vërshim fiktiv. Por Rama duhet t’ua kishte kursyer shqiptarëve humorin e zi me anëtarësimet lumë për një arsye tjetër: shumë sondazhe kanë vënë në dukje se rreth shtatëdhjetë për qind e shqiptarëve do të donin të largoheshin nga Shqipëria po t’u jepet një perspektivë pune dhe jetese normale në një vend perëndimor. Kjo është shifra e dramës kombëtare.

Për t’u dukur i suksesshëm dhe sigurisht për t’u bërë karshillëk kundërshtarëve në parti, Kryeministri kërkon të na tregojë se shqiptarët nuk po ikin e nuk duan të ikin jashtë vendit, por po vërshojnë në partinë e tij. Edhe sikur kjo të ishte realisht e vërtetë, nuk duhej ta thoshte. Për të respektuar dramën e ikanakëve që janë ku e ku më të shumtë në numër.

Mendja e verbuar nga nevoja për propagandë nuk i sheh plagët që shkel. Dhe mandej ai “debati” i lebetitshëm “kush është më e rëndësishme, Partia apo Shqipëria”. Meqenëse Blushi kishte thënë Shqipëria, pipizanët e Ramës qenkan ngritur sipas mediave aty rrotull për ta rregulluar me urgjencë këtë herezi. Partia. Partia është mbi Shqipërinë. Partia mbi të gjitha, ka thënë shoku Enver. Kthehemi përsëri në pyetjen e fillimit: Në çfarë viti jemi? Si ua nxë goja! Janë për t’u vizituar, por edhe për t’u marrë me shqelma këta që vënë partinë mbi Shqipërinë.

Këta që mendojnë të shartojnë botëkuptimin e shoqërisë së mbyllur në trungun e shoqërisë së hapur. Ky operacion është i pamundur, e dimë. Po i merr kohë të çmuar vendit. E vonon Shqipërinë në rrugën e normalitetit demokratik. Sepse partia ku manifestohen këto marrëzira, është sot parti në pushtet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura