Çështja “Muzaka”, FSHF tallet me Tiranën. Zvarritja e situatës mund të përfundojë në FIFA

Jun 19, 2018 | 20:50
SHPËRNDAJE

Federata është duke mbajtur pezull çështjen e “Muzakës” dhe në pamje të parë duket sikur po i bën nder klubit të Tiranës. Sepse kështu lexohet nga jashtë situata: “Ne t’i hoqëm tri pikë sepse nuk po i paguan borxhin, por tani po negociojmë me lojtarin dhe ta bindim të zbutet pak”.

Halili-Muzaka

Ndërkaq, nga ana tjetër i thonë Muzakës se “ne e dhamë vendimin pro teje në këtë çështje, por duhet të biesh patjetër dakord që të mos e çosh më tej, sepse nuk duam ta dënojmë Tiranën”. Nuk është kështu pra. FSHF, e pazonja për të vendosur standarde që duhet të respektohen nga të gjithë, është duke bërë manovrat e saj të zakonshme dhe të dëmshme. Luan me dy porta, i mban të dyja palët me shpresën se njëra nga ato do të thyhet dhe në fund merr meritat se i kënaqi të dy.

E pamundur. Muzaka deri tani ka dhënë sinjale të forta se nuk pranon asnjë lloj kompromisi dhe se kërkon t’i paguhen detyrimet. Në këtë rast, Muzaka nxori blof edhe sekretarin e FSHF-së, Ilir Shulku, që publikisht deklaroi se ishte arritur marrëveshja. Gabim i rëndë për numrin 2 të Federatës. Klubi i Tiranës, që shpiku edhe një gënjeshtër se gjoja e kishte çuar çështjen në KAS, për shkak të vështirësive financiare që ka, shpreson ende se federata do t’ia bëjë këtë “nder” dhe ta bindë Muzakën ta zvarrisë edhe ca këtë punën e pagesës.

Ndërkaq, FSHF, që nuk mëson kurrë nga gabimet, vazhdon të marrë përsipër gjëra që nuk i zgjidh dot, siç bëri edhe vitin e kaluar kur e mori në qafë Tiranën, duke e licencuar pa të drejtë në Europë. Po çfarë ndodh tani? Thjesht FSHF gënjen klubin Tirana dhe tifozët e saj. Kjo ndodh sepse nuk është në gjendje të marrë një vendim dhe t’ia bëjë të qartë klubit kryeqytetas se po nuk shleve detyrimet, rrezikon të biesh nga kategoria.

Tani që i ka hequr tri pikë, FSHF ka frikë të vazhdojë me të njëjtin “metër” veprimi dhe nis të zvarrisë procesin. Kështu ndodhi edhe me Flamurtarin dy sezone më parë. Ndërkohë që nëse lojtari e çon çështjen në FIFA, atëherë Tirana ose paguan paratë ose bie nga kategoria dhe nuk ka më kthim pas. Pra, FSHF jo vetëm që nuk po e ndihmon Tiranën ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje, por po ia mban sipër “kokës” vendimin me heqje pikësh, tamam si një hanxhar. Herë i thotë se do ta bindë ajo lojtarin të zbutet dhe herë i bën presion të paguajë paratë ose ndryshe do t’i heqë pikë. Një tallje e madhe për një klub shumë të madh…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura