Çështja “Gjika”, tërhiqet gjyqtari Skënder Haluci. Ka njohje me të pandehurin

Jul 7, 2015 | 17:49
SHPËRNDAJE

Një nga anëtarët e trupit gjykues në çështjen “Gjika” është tërhequr nga procesi ndaj ish-kryebashkiakut me motivacionin se ka konflikt interesi.

Shpëtim Gjika në gjykatë

Kjo ka bërë që të kërkohet short tjetër për treshen që do të gjykojë ish-kryebashkiakun e Vlorës. Në shortin e hedhur më datë 17 qershor të këtij viti, për gjykimin e Gjikës u zgjodhën gjyqtarët, Laurent Fuçia, Anastas Shehu dhe Skënder Haluci.

Ky i fundit është edhe gjyqtari që është tërhequr nga çështja, për shkak se kishte njohje me ish-kryebashkiakun e Vlorës.

“Rezulton se gjatë kohës nga seanca gjyqësore e datës 17/06/2015, deri në seancën gjyqësore të datës 07/07/2015, një nga anëtarët e trupit gjykues ka hequr dorë nga gjykimi i kësaj çështje penale.

Konkretisht ka hequr dore gjyqtari z. Skender Haluci, i cili ushtron edhe detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Duke qenë në këtë cilësi, heqja dorë nga gjykimi i kësaj çështje penale është miratuar nga Kryetari i Gjykatës së Apelit Vlorë.

 Nga motivacioni i përdorur në deklaratën e heqjes dorë, rezulton se gjyqtari ka pranuar njohjen dhe marrëdhënien me një nga të pandehurit në këtë çështje penale, e konkretisht me të pandehurin Shpëtim Gjika”, shkruan një deklaratë e Prokurorisë.

Gjithashtu provohet se trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Skender Haluci, Anastasi Shehu dhe Laurent Fuçia, gjykojnë çështje penale për një periudhe më shumë se njëvjeçare.

Në këtë kuptim, fakti se një nga anëtarët e trupit gjykues, i cili ka dhe detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka hequr dorë nga gjykimi, duhet të tërhiqen edhe dy anëtarët e tjerë.

Kjo për faktin se në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe në cilësinë e ish-kryetarit të këtij trupi gjykues (kjo për efekt të ligjit), duke pranuar interesin në zgjidhjen e çështjes, ka ndikuar apo mund të ndikojë mbi dy anëtarët e trupit gjykues, duke cenuar parimin e besueshmërisë në dhënien e drejtësisë. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura