Ministri i Jashtëm grek pritet me protesta, takon homologun Cakaj, ja për çfarë diskutuan

Oct 20, 2020 | 12:21
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, e ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë, ku tema kryesore e takimeve që do të zhvillojë është ajo e riaktivizimit të bisedimeve për delimitimin e detit mes dy vendeve.

Fillimisht ai u prit në Ministrinë e Jashtme nga Ministri në detyrë Gent Cakaj dhe përkundër protestës së dhjetëra qytetarëve jashtë dhe përplasjes së tyre me policinë, brenda mureve të Ministrisë ishte tjetër panoramë.

Në një reagim në Facebook, lidhur me takimin e zhvilluar, Cakaj u shpreh, se me homologun grek, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe.

Gjithashtu në takim, u theksua mbështetja e Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh arritjet domethënëse të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër, sikurse bëri me dije Kryediplomati Cakaj në postim, Greqia do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të shtuar ritmin e punës së përbashkët e për të thelluar bashkëpunimin në çdo fushë të interesit të ndërsjellë mes dy vendeve.

TAKIMET

Në axhendën e takimeve parashikohen takime edhe me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta, takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, si dhe me kryetarin e PPDNJ-së, Vangjel Dule. Mësohet se më pas do të ketë takime me bizneset greke në Shqipëri, për ta mbyllur vizitën me një takim me Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Ministri Dendias ka qenë për herë të fundit në nëntor 2019, kur mbërriti menjëherë pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit e ku pa nga afër pasojat shkatërruese të tij dhe punën e ekipeve greke të shpëtimin që ndihmonin në terren.

Pas ndërrimit të qeverisë në Greqi dhe ardhjes së Demokracisë së re, interesi i dy vendeve është rritur për të gjetur zgjidhje të çështjeve të hapura mes dy vendeve, ku kryesorja pritet të jetë ajo e përcaktimit të kufirit detar dhe zonave ekonomike ekskluzive. Ministri Dendias ka shprehur vullnet për të avancuar në këtë drejtim, gjë që tregon se Tirana dhe Athina kanë punuar ndërkaq për një marrëveshje të mundshme. Por ministri Dendias nuk ka ngurruar t’i kujtojë Shqipërisë se fati i kësaj marrëveshjeje përcakton dhe fatin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Vetëm pak ditë më parë, Dendias u shpreh për mediat greke se kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë. “Zgjedhja e Greqisë është caktimi i kufijve të shelfit kontinental dhe EEZ-së, në bazë të Ligjit Ndërkombëtar, me të gjitha vendet fqinje. Pra, me Shqipërinë, ne duam ta zgjidhim këtë çështje të prapambetur sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj që së shpejti të jemi në gjendje të kapim përsëri fillin e bisedimeve përkatëse dhe të arrijmë një rezultat që do të kënaqë të dy palët. Është e rëndësishme, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duke pasur parasysh perspektivën europiane të vendit tonë fqinj, të mbyllim të gjitha çështjet e hapura”, tha Dendias për mediat greke. Mes palëve ka disa marrëveshje të cilat po implementohen dhe duket se kanë dhënë rezultate të mira. Marrëveshja e varrezave të të rënëve grekë në luftën e dytë botërore, është një prej tyre, po ashtu edhe marrëveshja e njohjes së patentave në dy vendet.

Tekstet shkollore janë një tjetër marrëveshje e vlerësuar si produktive, dhe po ashtu edhe marrëveshja e mirëmbajtjes së piramidave dhe operacioneve të shpëtimit në zonën tokësore dhe detare mes dy vendeve. Përmirësimi i kushteve të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, si dhe lehtësimet që pritet të jepen për emigrantët shqiptarë në Greqi, janë një temë në të cilën të dy vendet kanë investuar politikisht, madje në kuadër të integrimit të minoritetit Grek në Shqipëri, Athina shikon me sy të mirë shtimin e deputetëve minoritarë në listat fituese për parlamentin e ardhshëm në vendin tonë.

CENSUSI

Komisioni i Ligjeve zhbllokoi pas dy vitesh projektligjin për censin (regjistrimin) e popullsisë dhe banesave në Shqipëri, duke e miratuar atë në parim. Projektligji përcakton regjistrimin e të gjithë personave shqiptarë apo të huaj që ndodhen në Shqipëri, bashkë me objektet, duke i hapur rrugë miratimit në tërësi dhe më pas në Parlament. Nisma e depozituar në Kuvend që në vitin 2018 ishte lënë në harresë dhe papritur ajo ka kaluar për diskutim në komisionin parlamentar të ligjeve. Pika më e nxehtë e pyetësorit në kuadër të ligjit të censit, janë pyetjet mbi etninë dhe fenë, të cilat pritet të prodhojnë debate dhe zhvillime të befasishme ashtu si 10 vite më parë. Minoriteti grek ka pretenduar se zinte rreth 15% të popullsisë në Shqipëri. Por, nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, rezultoi se minoriteti grek ishte vetëm 0.87%. Partitë që përfaqësojnë minoritetin pretenduan se regjistrimi ishte manipuluar dhe se ishte ushtruar presion, për të mos deklaruar etninë greke. Ato nisën në regjistrim paralel, që dështoi. Debate ngjalli edhe përkatësia fetare. Me miratimin e ligjit të ri, çdo person brenda territorit shqiptar do të deklarojë edhe një herë përkatësinë etnike dhe fetare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura