Çështja “Çinari”, Vllaznia i del në krahë Gjyrezit

Aug 24, 2018 | 19:23
SHPËRNDAJE

Çështja “Çinari” mbetet një mister. Tashmë gjithçka ka kaluar në dorë të Prokurorisë Shkodër, që ka nisur zyrtarisht hetimet pas akuzave të lëshuara për falsifikim firme. Zyra e shtypit sqaron edhe njëherë se asnjë dokument nuk ka dalë nga klubi apo emaili i tij, duke konfirmuar në këtë formë, atë që deklaroi një ditë më parë për gazetën edhe Astrit Gjyrezi. Ky i fundit shpjegonte se ai nuk ka firmosur asnjë shkresë për largimin e mesfushorit.

cinari3

“Kryetarja e Bashkisë Shkodër e ka dërguar në prokurori këtë çështje. Ne nuk mund të themi asgjë më shumë për këtë rast. Megjithatë, klubi mund të konfirmojë edhe një herë se nga zyrat e Vllaznisë nuk ka dalë asnjë lloj shkrese për këtë qëllim. Nuk ka asnjë firmë të dalë nga klubi, ndaj u mbetet organeve kompetente që të gjejnë personin apo personat që kanë firmosur. Tashmë, kjo nuk është çështje e jona.

Por, ajo që duam të themi është se edhe shkresa që pretendohet se ka dalë nga zyrat e klubit, është nisur nga një adresë e klubit, në të cilën evidentohen pakorrektësi. Në këtë shkresë është koka e klubit dhe firma e kryetares së bashkisë. Një gjë krejt absurde dhe e pakuptimtë. Megjithatë e themi edhe një herë se nga klubi ‘Vllaznia’ nuk ka dalë asnjë shkresë në drejtim të klubit të Alaveshit, për një transferim të futbollistit Eraldo Çinari. Të tjerat do të zgjidhen nga organet përkatëse”, kështu deklaroi për “Panorama Sport” përgjegjësi i mediave të Vllaznisë.

astrit gjyrezi

FAMILJARËT – Gazeta ka kontaktuar edhe familjarët e Erald Çinarit, të cilët zbulojnë se klubi spanjoll i ka kërkuar lojtarit që të qëndrojë në Kroaci, në pritje të zhvillimeve. Ata kërkojnë që çështja të zgjidhet nga ana e bashkisë dhe e klubit një orë e më parë, pasi po dëmtohet e ardhmja e mesfushorit.

“Ne jemi në pritje të një vendimi. Eraldi vazhdon të jetë në Kroaci dhe nga ana e klubit të Alaveshit i është bërë e ditur që duhet të presë atje. Ne nuk kemi marrë asnjë thirrje nga prokuroria të paktën deri sot (dje) dhe nuk kemi pse të presim një gjë të tillë. Klubi apo edhe bashkia duhet që t’i japin sa më shpejt një zgjidhje kësaj çështjeje, pasi po dëmtohet fëmija jonë”, thanë familjarë të lojtarit.

ADMIR URUÇI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura