Ceremonia për vdekjen e Enverit, Isuf Kalo: Si ajo e Stalinit, pse Ramizi nuk u gjunjëzua para arkivolit

Mar 7, 2020 | 15:01
SHPËRNDAJE

Isuf Kalo ishte 11 vjeç kur, ashtu si Enver Hoxha që udhëhiqte mitingun e madh të mortit, u përgjunj përpara monumentit të Stalinit.

Enveri dhe mjeku Isuf Kalo
Enveri dhe mjeku Isuf Kalo

Kur vdiq Enver Hoxha, Kalo jo vetëm kishte mbi supe vetëm 2 dekada më shumë jetë, por edhe barrën e të qenit mjeku personal i diktatorit. Në librin e tij me kujtime e refleksione, “Blloku”, Kalo kujton vdekjen e Enver Hoxhës, përpjekjen që bëri i gjithë stafi mjekësor për ta mbajtur në jetë, por edhe reagimin e turmës, zinë që pushtoi vendin dhe qëndrimin që mbajti Ramiz Alia.

Kjo ngjarje i kujtoi vdekjen e Stalinit në 5 mars 1953, ceremoninë e lamtumirës, fjalimin e Enverit, premtimet dhe aktin e tij të papritur të gjunjëzimit.

ISUF KALO

TENTATIVË E DËSHTUAR

Njoftimi zyrtar i vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, e kapi në befasi popullin dhe të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë vendit. Ata nuk kishin pasur asnjë informacion për gjendjen e rënduar shëndetësore e shumë problematike gjatë dekadës së fundit të jetës së tij. Gjendja shëndetësore e të gjithë udhëheqësve më të lartë të vendit, e veçanërisht ajo e Enver Hoxhës, mbahej rreptësisht e fshehtë, e klasifikuar si sekret shumë i rëndësishëm shtetëror. Madje, edhe anëtarët e Byrosë Politike u informuan nga Ramizi për situatën alarmante, e madje pa shpresa shëndetësore të tij vetëm kur ai ra në gjendje kome. Para kësaj, ata nuk dinin asnjë hollësi në lidhje me dinamikën e situatës së tij shëndetësore. Mbajtja e Enverit në komë me anë të reanimimit intensiv mjekësor për dy ditë të tjera, që nga data 9 prill, kur pësoi sulmin fatal deri më 11 prill, kur zemra e tij pushoi së rrahuri përfundimisht, i dha kohë të mjaftueshme Ramizit që të përgatiste anëtarët e Komitetit Qendror, strukturat dhe institucionet shtetërore të ishin gati për detyrat që lindnin nga kjo ngjarje jo e zakontë. Nuk ishte ai që na e kërkoi ta mbanim Enverin thuajse artificialisht në jetë ato dy ditë. Ishte inercia e detyrës sonë, e gjithë ekipit mjekësor pranë tij, që të mos i ndaheshim asnjë çast, sepse e ndienim etikisht dhe profesionalisht detyrimin e padiskutueshëm të ofrimit të kujdesit mjekësor, deri në çastin kur vdekja do ta merrte përgjithmonë, pa kthim.

BYROJA POLITIKE E SHQIPERISE, E GJUNJEZUAR PERPARA SHTATORES SE STALINIT NE 5 MARS 1953
BYROJA POLITIKE E SHQIPERISE, E GJUNJEZUAR PERPARA SHTATORES SE STALINIT NE 5 MARS 1953

Asokohe, populli dukej sikur ishte mësuar ta besonte se Enver Hoxha ishte vërtet i pavdekshëm e do të jetonte, siç thoshte dhe kënga aq e përhapur vitet e fundit, “sa malet e shkrepat”. Jeta e Enverit u zgjat 12 vite pas infarktit në zemër të vitit 1973, në sajë të kujdesit të gjithanshëm mjekësor, por edhe falë bashkëpunimit shembullor të atij vetë si pacient dhe të kujdesit të përditshëm e të përnatshëm e të pazëvendësueshëm të së shoqes, Nexhmijes. Duke marrë parasysh se ai vuante që prej vitit 1948 edhe nga diabeti, pa këtë kujdes intensiv, infarkti mund të kishte rezultuar fatal për jetën e tij qysh atëherë.

Shkaqet e vdekjes së Enverit ishin të qarta, të njohura e të pritshme nga ana mjekësore. Ato u botuan në shtypin e ditës përmes komunikatës zyrtare dhe raportit mjekësor të nënshkruar nga anëtarët e ekipit të posaçëm: prof. Petrit Gaçe, prof. Fejzi Hoxha, prof. Nikolla Shurbani, prof. Ylli Popa, prof. Bajram Preza, dr. Hajro Shyti, dr. Ahmet Kamberi, dr. Sabit Brokaj, dr. Arben Fino, dr. Ilir Ohri dhe unë, Isuf Kalo.

Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, duke vendosur lule pranë monumentit të Stalinit
Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, duke vendosur lule pranë monumentit të Stalinit

Megjithatë, para kësaj ngjarjeje, shumë pak njerëz e dinin përballjen e gjatë të ekipit të tij mjekësor me sëmundjet, me komplikacionet shoqëruese dhe me situatat dramatike që e çuan atë drejt një fundi të shtyrë, të vonuar, por që një ditë do të vinte pashmangësisht. E pikërisht aty ku nuk ka informacion dhe transparencë lindin hamendësime, paragjykime, mite dhe legjenda gjithfarësh. Në këtë kontekst, mes dhjetëra personazheve dhe personaliteteve që dhanë intervista televizive me vlerësimet superlative për shokun Enver dhe “dhembjen e jashtëzakonshme” të tyre për “humbjen e pazëvendësueshme” të tij, ndërkohë që trupi i pajetë i tij ende i pavarrosur ishte i shtrirë në arkivol, në sallën e homazheve të ndërtesës së presidencës, m’u kërkua nga Alfons Gurashi, gazetari i njohur i TVSH-së, të thosha dhe unë disa fjalë lidhur me sëmundjet e tij, përballimin dhe kujdesin ndaj tyre. Mes të tjerash thashë: “Ne si mjekë të tij e dinim që populli ynë donte që për shpëtimin e jetës së Enverit të bëhej jo vetëm çfarë ishte e mundur, por edhe e pamundura. Dhe me të vërtetë për të u bë e pamundura. Atë e bëri partia, shokët e tij të ngushtë dhe besnikë të luftës e të punës, e bëri e shoqja e jetës së tij, Nexhmija, që e mbajti atë tërë jetën e saj në dritën e syrit, por të pamundurën më të madhe e bëri ai vetë me optimizmin, me bashkëpunimin dhe qëndresën e tij”.

Ramiz Alia, duke u betuar përpara varrit të Enver Hoxhës
Ramiz Alia, duke u betuar përpara varrit të Enver Hoxhës

Me sa më thanë, fjalët e mia në atë intervistë u mirëpritën. Njerëzit, të befasuar nga vdekja, mësuan për herë të parë nga komunikata e transmetuar tani dhe nga goja e mjekut personal të tij se ai, Enveri, i qeshur dhe entuziast në publik, kishte qenë për shumë vite mjaft i sëmurë. Fjalët që thashë ishin vlerësuar nga shumë persona që më përgëzuan, por me sa mësova më pas, edhe nga Ramizi. Këtë ma tha me ton admirues e bija e tij, Zana, aty në mjediset e Presidencës gjatë kohës që vazhdonin homazhet. Mundet që atij t’i kishin pëlqyer fjalët e vërteta që thashë për “shokët besnikë të luftës e të punës”. Por edhe thirrja që bëra me fjalë inkurajuese për ta parë me sy më optimist të ardhmen dhe për të dalë nga ajo gjendje zije me lot dhe ulërima që po përjetohej si një mynxyrë e gjendje fataliteti te njerëzit tanë. Kuja dhe i gjithë shpërthimi, si nga pikëllimi i sinqertë, ashtu edhe ai fals e hipokrit dhe gjithë ceremoniali deklamativ i pasvdekjes e varrimit, ishin mjaft të ngjashme me ato pas vdekjes së Stalinit, Maos apo Kim Ir Senit. Çuditërisht diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe kur u njoftua vdekja e Josif Broz Titos. Te ne ai quhej revizionist dhe “Marshalli i tradhtarëve” të marksizmit. Por kulti i tij nuk ndryshonte shumë nga ai e ishudhëheqësve të tjerë komunistë të asaj periudhe. I vetëshpallur president i përjetshëm, Titoja vdiq në maj 1980.

Ceremonia e varrimit të Enver Hoxhës
Ceremonia e varrimit
të Enver Hoxhës

Profesori kardiolog i famshëm, Michael De Bakey dhe profesori sovjetik Marat Knyzaev, të thirrur posaçërisht për të, nuk e shpëtuan dot. Ceremonia e varrimit të Titos vazhdoi 5-6 ditë. Trupi i tij u nis nga Lubjana, pas një mitingu madhështor, me trenin e posaçëm blu, dhe kaloi me radhë nëpër disa nga qytetet dhe vendet ku Titoja pat lënë gjurmë në histori dhe më në fund arriti në Beograd, ku u varros pas një mitingu po aq madhështor. Ramizi nuk do ta ketë dashur të tillë ceremoninë e përcjelljes së Enverit. Ai do të kishte dashur që ajo të mos ishte me ekzagjerime emocionale e të mos ishte kaq “lindore e aziatike”, që karakterizohej nga stili ekzibicionist e populist.

Donte t’i bëheshin nderime, por me më shumë natyrshmëri, racionalitet e kulturë qytetare europiane. Marksistët, vdekjen e cilitdo e konsiderojnë pjesë integrale e vazhdim të jetës e jo si katastrofë. Aq më pak e konsiderojnë atë si gjëmë kombëtare. Ishte rasti që Ramizi ta demonstronte këtë.

Mirëpo, në fakt, ai e pati keqllogaritur e nuk e kishte njohur sa duhej brendësinë emocionale, zakonore e shpirtërore të popullit të tij. Ato reagime popullore nga mbarë vendi ishin fryt i kultit të Enverit dhe i ekzaltimeve që ishin mbjellë për shumë vite me radhë në popull me anë të propagandës. Në ditët e mëpasshme, ai tentoi ta frenonte. Kjo u duk, kur përveç lajmeve të lidhura me Enverin, u shfaqën në shtyp, në radio dhe në TV edhe njoftime të shkëputura nga vendi për bujqësinë, minierat, shkollat, ekonominë apo lajme nga bota, pa lidhje me vdekjen. Pra, lajmet nuk i kushtoheshin ekskluzivisht Enverit. Mesazhi i nënkuptuar ishte: “Ndodhi çfarë ndodhi, jeta vazhdon. T’i kthehemi punës, halleve dhe detyrave përpara”. Ose “Nuk ka vdekur Shqipëria”.

I pari që reagoi për këtë tentativë “detragjedizuese” të ngjarjes ishte Sulo Gradeci, kryeroja i Enverit. Dy gazetat kryesore të atëhershme, “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, që ai i kishte në duar, i vërviti e i përplasi i inatosur para syve të mi, mbi tavolinën e zyrës së tij. Dhe turfulloi duke treguar me gisht në to. “Çfarë ka bërë ky kështu? Ç’janë këto bajga që ka hedhur ky në zemrën e lënduar të popullit? Është në vete ky apo jo? Qysh, ore, mbeti fare kalama ky? Sot po qan jo një Shqipëri, por e gjithë bota, kurse ky vete më vë në gazetën e partisë ca tërci e vërci”.

Ceremonia e varrimit të Enver Hoxhës
Ceremonia e varrimit
të Enver Hoxhës

Unë e dëgjoja pa folur. Dhe tek e shihja si të xhindosur, kujtova se sa me entuziazëm më kishte folur për Ramizin kur ai zuri vendin e Enverit. Një nga arsyet ishte se ata të dy, Ramizi dhe Suloja, kishin qenë të dy partizanë në Brigadën VII. Lidhjet dhe nostalgjia e viteve të Luftës determinuan për një kohë të gjatë vlerësimet dhe karrierat e ishpartizanëve në vitet pas saj. Fati i mirë që Adil Çarçani, ndihmësi dhe krahu i djathtë i Mehmetit, kish qenë në të njëjtën brigadë me Ramizin, mund të ketë përcaktuar edhe shpëtimin e tij nga persekutimi si “agjent i grupit të Mehmetit”, ndryshe nga ç’ndodhi deri me rojet dhe shoferët e tij. Kjo u përforcua me promovimin e papritur të Adilit si Kryeministër dhe krah i djathtë në regjimin posthoxhist të Ramiz Alisë. Ky ishte një lëshim që Enveri i bëri Ramizit meqë nuk kishte as njohuri, as eksperiencë në çështjet e ekzekutivit dhe ato ekonomike të shtetit dhe i duhej domosdo në krah një mik i besuar dhe me eksperiencë në punët e qeverisë. Në seancën e Parlamentit, atë ditë kur u shpall emërimi i Adilit Kryeministër, Enveri rrinte gjithë kohën i ngrysur në fytyrë dhe ndonëse duartrokiti, nuk ia hodhi as sytë Adilit.

Mirëpo, edhe në këtë tentativë për ftohjen e valës së nxehtë emocionale, të provokuar nga vdekja e Enverit, si dhe për shumë gjëra të tjera, Ramizi ishte i vonuar. Turma tashmë qe ndezur dhe reagimi i saj ndaj tentativës së tij për vetëpërmbajtje ishte me kah të kundërt dhe i menjëhershëm. Ajo shpërtheu disa ditë me radhë si ortek i pandalshëm, në formë bejtesh, vaji, elegjish, vargjesh, kujtimesh, rapsodish, zotimesh e deklaratash besnikërie për liderin e pazëvendësueshëm për ta.

Edhe unë vetë pata shkruar ca vargje që u botuan me pseudonim. Relacionet njerëzore, mirëkuptuese dhe me respekt të ndërsjellë mes tij si pacient dhe meje si mjek i tij, patën lënë natyrshëm gjurmë emocionale, të cilat i ruaj si privilegj në veprimtarinë time profesionale, por edhe si përvojë unike të jetës sime në tërësi.

Ramizi, i dobët e i pavendosur, iu nënshtrua heshturazi vrullit popullor. Pa kushte. Madje, me zell. Mbi arkivolin e Enverit ai mblodhi Byronë Politike dhe me pompozitet i premtuan të ndjerit, me grushtin lart, besnikëri! Dhe përpara trupit tashmë të ngrirë të tij thirrën: “Betohemi!”. Ramizi po imitonte Enverin, i cili bëri njëlloj betim solemn kur vdiq Stalini.

Po kështu bëri edhe në mitingun mortor përcjellës madhështor në sheshin “Skënderbej”. Ramizi foli i pari dhe gjithë të tjerët pas tij përsëritën “Betohemi, shoku Enver. Betohemi!”. (Prit tani kur të gjunjëzohet, mendova unë me vete.) Por kjo nuk ndodhi. Gjunjëzimi pat ndodhur në po atë shesh 32 vite më parë, para monumentit të Stalinit, i cili ngrihej pikërisht në vendin ku sot qëndron Skënderbeu mbi kalë. Unë isha fëmijë, 11 vjeç. Stalini vdiq më 5 mars 1953. Asokohe isha nxënës në shkollën “11 Janari”, afër Bllokut, në zonën që quhej Tirana e Re. Atë ditë, mësimi u ndërpre dhe të gjithë ne nxënësit na nxorën jashtë të rreshtuar në oborrin e shkollës. Përballë dolën të gjithë mësuesit. Ishte ditë e ngrysur me qiell të murrmë. Edhe mësuesit dukeshin shumë të pikëlluar. Lajmin e lexoi drejtoresha e shkollës, Silla Gjika, ngadalë, me zërin e saj disi të trashë, por plot trishtim. Mësueset ishin të parat që nisën vajin.

Disa prej tyre me dënesa. Fill pas tyre filluam të qanim edhe ne, nxënësit, në kor. Qava edhe unë. Qava shumë. Nuk kisha pasur deri atëherë asnjë fatkeqësi, vdekje në familjen time. “Stalini i madh” ishte i pari që po qaja. Edhe nëna ime u trishtua shumë. Ajo besonte se “Stalini ishte shenjtor që i kishte sjellë të mira e mbarësi vendit tonë”. Prandaj, ne mbanim si objekt adhurimi në korridor një bust të vogël të tij prej allçie, i lyer me varak të verdhë. (Kurse vite më pas, kur Enveri vdiq, ajo u përlot. “E kisha komandantin e djemve”, tha për dy vëllezërit e mi më të mëdhenj ish-partizanë, njëri në Brigadën e Parë dhe tjetri në Brigadën e Gjashtë. Dhe prej asaj dite deri kur mbylli vetë sytë, ajo e mbajti në dhomën e saj një bust të vogël dekorativ të Enverit prej porcelani të bardhë). Pas vajtimit në shkollë, në atë ditë marsi 1953, ne nxënësit të heshtur u drejtuam në rresht së bashku me mësuesit për në sheshin qendror të kryeqytetit.

Atje u bashkuam edhe me nxënësit e shkollave të tjera të Tiranës, që ishin derdhur në shesh bashkë me shumë qytetarë të saj. Atë ditë bënte ftohtë, por u gjallëruam kur erdhën aty udhëheqësit e lartë, me në krye Enverin. Ky ishte i vrenjtur dhe shumë i mërzitur. Flokët me thinja të rralla, të cilat sapo i ishin shfaqur, ia trazonte era. Ai dhe të gjithë anëtarët e Byrosë Politike që e shoqëronin kishin veshur pallto të gjata, të zeza. Enveri foli gjatë, me zë të trishtuar dhe në fund iu betua për shumë gjëra Stalinit. Vite më pas thanë se betimi i tij ishte i ngjashëm me atë që Stalini bëri para trupit të Leninit.

Por Stalini nuk i mbajti zotimet. Vetëm se, për ta nderuar më tepër sesa ai mësuesin e tij, Enveri, në fund të fjalimit, befas u ul në gjunjë, poshtë këmbëve të bronzta të Stalinit. Anëtarët e Byrosë, së pari, dhe turma fill pas tyre, u shtangën, ngrinë një çast nga ky gjest i papritur. Pastaj sikur u shkundën të gjithë e filluan menjëherë të gjunjëzoheshin valë-valë, duke përfshirë tërë masën e asaj turme gjigante. Duke parë mësuesit që na shoqëronin, u gjunjëzuam edhe ne të vegjlit. Për një moment, sheshin e pushtoi një heshtje e akullt, e rëndë. Ajo vazhdoi më pak sesa një minutë. Nuk di nëse ekziston e fotografuar ajo pamje. Do të ishte e rrallë.

Pastaj, Enveri u ngrit duke nderuar me grusht dhe bashkë me të, me njëfarë zhurmimi, u ngrit e gjithë turma. Edhe ne fëmijët. Nuk do ta harroj ndjenjën mistike që më shkaktoi gjithçka që ndodhi aty. Ishim si të magjepsur të gjithë, fëmijë e të rritur, nga një frymë e padukshme jashtëtokësore, që ra mbi ne prej lart, prej qiellit në shesh. Tani po zhvillohej thuajse i njëjti ritual nga Ramizi për Enverin. Po i betohej me fjalë, po i bënte be pothuaj njëlloj siç i bëri Enveri dikur Stalinit. Por Ramizi nuk u gjunjëzua. Ndoshta sepse Enveri ende nuk kishte monument. Betimi po bëhej poshtë monumentit të Skënderbeut mbi kalë. Monumentin Enverit do t’ia ngrinte, jo vonë pas vdekjes, vetë Ramizi, në po atë shesh, madje dy herë më të lartë sesa ai i Stalinit.

Ndërkohë, qielli atë ditë ishte i vrenjtur me re ngjyrë gri. Binte një shi i butë, i ngadaltë, si i lodhur e i pikëlluar, që me pauza pushonte. Ai kishte lagur edhe zogjtë që veç Zoti mund ta dinte pse nuk largoheshin nga pullazet e ministrive dhe nga shtyllat elektrike. Ishin kuriozë të dëgjonin çfarë po thoshte Ramiz Alia? Apo nuk po u besonin veshëve dhe prandaj kthenin kokën herë në një anë e herë në tjetrën shumë të përqendruar. Mos ndoshta për t’u siguruar nëse ai e kishte seriozisht apo bënte kinse? Apo dyshonin se mos si Stalini, as ai nuk do t’i bënte të gjitha ato që po i zotohej Enverit?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura