Celulari në makinë/ 10-fishimi i gjobës, deputetja e PS: Të paguajmë dyfishin, po të na rikthehet patenta

Jul 11, 2018 | 20:33
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU / Ministria e Brendshme ka propozuar dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare 10-fishimin e gjobave për shoferët, të cilët do të kapen duke përdorur telefonin celular në makinë.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë

Ndryshimi në Kodin Rrugor është propozuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i cili tha se përdorimi i celularëve është bërë shkak serioz për shumë aksidente. Aktualisht, gjoba për përdorimin e celularit shkon nga 1 mijë deri në 1500 lekë të reja, ndërkohë që me propozimin e ri ajo do të shkojë deri në 15 mijë lekë.

“Do të donim që të shqyrtohet dhe një propozim për ashpërsimin e sanksioneve në lidhjen me përdorimin e celularëve gjatë drejtimit të automjeteve. Ky është një problem real dhe goxha i rëndë për momentin. Është burim i madh aksidentesh dhe është shqetësim real”, tha dje Hodaj. Ndërkohë që drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mitat Tola, u shpreh se nga 9 aksidente, 6 prej tyre ndodhin nga përdorimi i celularëve.

“Ne arritëm që t’i lidhim shoferët pas sedijes me masat ndëshkimore. Nëse do na e lini ta bëjmë dhe me celularin, që është masë shumë qesharake, nga 8 aksidente që ndodhin, 6 kanë një nga shkaqet celularin, masa është shumë qesharake. Ka mbetur një dispozitë e 1992-it, është krejtësisht e papërshtatshme me realitetin. Rripi i sigurimit mbron drejtuesin e mjetit dhe është gjithçka pasive, jo ofensive. Ndërsa celulari, përveç atij që e përdor, mund të vrasë dhe të tjerët. Është një nen, 10- fishimi i masës besoj se do të jepte rezultate të jashtëzakonshme”, tha Tola.

NUMRAT

Propozimi i zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme gjeti mbështetjen e deputetëve të Partisë Socialiste. Por i vetmi që i riktheu me “këmbë në tokë” ishte deputeti i PS-së, Spartak Braho. Sipas tij, Kodi Rrugor kërkon 84 vota, të cilat maxhoranca nuk i ka.

“Jam plotësisht dakord me propozimin që ta votojmë. Kjo dispozitë përfshihet në korpusin që duan 84 vota, që do të thotë që ne kuorum nuk kemi. Që të arrijmë numrin, na duhet kompromis me opozitën, tani po gjykoj personalisht. Kompromis me opozitën nuk ka, ata nuk vinë për Reformën në Drejtësi, jo të votojnë këtë dispozitë. Megjithatë ne t’ia bëjmë hyzmetin, e dashur kryetare”, tha dje Braho. Nisma për 10-fishimin e gjobave nuk u miratua dje për shkak se socialistët kërkuan më shumë kohë në dispozicion për ta riformuluar saktë këtë nen.

TË HUAJT

Dje, gjatë mbledhjes ku mungoi Partia Demokratike, socialistët shqyrtuan dhe propozimin e Pjerin Ndreut, i cili propozoi që për shtetasit e huaj, që ndalohen nga Policia dhe u hiqet patenta për shkelje të Kodit Rrugor, t’u jepet mundësia që të paguajnë dyfishin e gjobës dhe ta rimarrin prapë atë. Por këtë “lëshim” socialistët kanë kërkuar të bëhet dhe për shqiptarët.

“Në qoftë se unë si drejtuese mjeti, për një arsye madhore, më duhet ta përdor telefonin dhe do më ndalojë polici, duke ditur që s’kemi shofer etj.. Në moment, ju mendoni që unë mund të kem të drejtë që të paguaj gjobë dhe të marr patentën? Apo do më ndërpritet patenta, sipas Kodit aktual. Mendoj që të bëhen të njëjtat ndryshime dhe për shtetasit shqiptarë”, ka thënë Klodiana Spahiu. Kjo ide është përkrahur nga kryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj, por jo nga zëvendësministri i Brendshëm.

NDRYSHIMET NË KODIN RRUGOR

Ne nenin 127 të bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë:

1. Pika 3 të ndryshohet si vijon: “3. Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të Policisë, që ka tërhequr lejedrejtimin dhe, për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, nga organi kompetent i qeverisjes vendore të vendit ku është kryer shkelja, sipas pikës 1 të këtij neni. Ky i fundit ia njofton masën e marrë autoritetit përgjegjës të shtetit që ka lëshuar lejedrejtimin dhe e shënon, kur kjo është e mundur, në dokumentin e drejtimit te mjetit”.

2. Pas pikës 3, shtohen pikat 3/1 dhe 3/2 me këtë përmbajtje: “3/1. Kundër masës se pezullimit të lejedrejtimit lejohet ankim, brenda 20 ditësh, tek organet përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo drejtori merr masa brenda 30 ditëve në vijim. Kur ankesa gjykohet e drejtë, të interesuarit i kthehet lejedrejtimi. 3/2. Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të Policisë, që ka tërhequr lejedrejtimin dhe për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj pezullimi i parashikuar në dispozitat e këtij neni konvertohet në pagesën e një shume që është sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për dispozitën e shkelur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura